Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr. 138/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Nr. të lëndës KI03/23

Parashtruesit: Ali Zhushi

Shkarko:

KI03/23, Parashtrues Ali Zhushi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr. 138/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

KI03/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prill 2023, publikuar më 31 maj 2023

Fjalët kyqe: kërkesa individuale, qartazi e pabazuar, qasja në drejtësi

Më 29 gusht 1983, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë pune me Korporatën Energjetike të Kosovës (punëdhënësi). Pas privatizimit të sektorit të shpërndarjes dhe të furnizimit nga kjo e fundit parashtruesi i kërkesës vazhdoi kontratën e punës më KEDS (punëdhënësi). Më 27 shtator 2016, parashtruesi i kërkesës njoftohet nga punëdhënësi përkitazi me vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Parashtruesi i kërkesës, më 2 nëntor 2016, paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për anulimin e vendimit të lartcekur. Më 6 tetor 2020, Gjykata Themelore mbajti seancën e parë përgatitore, në të cilën mungoi parashtruesi i kërkesës dhe avokati i tij. Gjykata Themelore caktoi seancën tjetër më 2 nëntor 2020, dhe vendosi që ta ftojë në këtë seancë personalisht parashtruesin e kërkesës. Meqë Gjykata Themelore nëpërmjet korrierit nuk arriti të gjejë adresën e banimit të parashtruesit të kërkesës, vendosi që ftesën për të ta afishojë në tabelën e shpalljeve. Në seancën e mbajtur më 2 nëntor 2020, nuk mori pjesë parashtruesi i kërkesës dhe as avokati i tij, dhe rrjedhimisht, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktvendimit [C.nr.2650/16], e konsideroi të tërhequr padinë. Më 1 prill 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi parashtresë në Gjykatën Themelore, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e vendimit për tërheqjen e padisë, dhe kthimin në gjendjen e mëparshme. Gjykata Themelore, më 2 qershor 2021, hodhi poshtë propozimin për shkak se ishte paraqitur pas afatit ligjor. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme vërtetuan aktvendimin e Gjykatës Themelore, dhe vendosën që propozimi i parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur pas afatit kohor të përcaktuar nga ligji.

Parashtruesi i kërkesës ne Gjykatën Kushtetuese pretendoi që akti i kontestuar, ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Instrumenteve Ndërkombëtare], të Kushtetutës, dhe shkelje të Konventave dhe të instrumenteve të tjera ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Sipas tij, Gjykata Themelore shkeli të drejtat e lartcekura, për faktin që nuk e kishte ftuar për pjesëmarrje në seancën përgatitore, sipas procedurave të parapara me ligjore, dhe rrjedhimisht ka mohuar “qasjen në drejtësi”.

Gjykata ne fillim vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës dhe përcaktoi që: parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; kontestoi kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik; kishte shterur mjetet juridike; saktësoi të drejtat kushtetuese të cilat pretendonte që i ishin shkelur dhe paraqiti kërkesë brenda afatit ligjor. Gjykata vazhdoi analizën në lidhje me pretendimet e ngritura duke iu referuar parimeve të përgjithshme të përcaktuara me jurisprudencën e GJEDNj-së dhe të saj, përkitazi me të drejtën për “qasjen në drejtësi”, dhe i aplikoi ato në rrethanat e rastit konkret. Gjykata rikujtoi që, secili individ ka të drejtë që të paraqesë padi pranë një gjykate të themeluar me ligj, në lidhje me “të drejtat dhe detyrimet civile”, brenda një afati të arsyeshëm kohor. E drejta për “qasje në drejtësi”, paraqet një nga elementet kryesore të procesit të rregullt gjyqësor, si e drejtë e garantuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së. Gjykata mbi bazën e shkresave të lëndës, vlerësoi që parashtruesi i kërkesës dhe avokati i tij kishin treguar neglizhencë në lidhje me mosparaqitjen në seancat përgatitore, si dhe lëshimit të afateve ligjore për të kërkuar kthim në gjendje të mëparshme. Gjykata rikujtoi që nuk është detyrë e saj të lëshohet në mënyrën e interpretimit të ligjit, të bëra nga gjykatat e rregullta, për sa kohë që interpretimi i tyre nuk është dukshëm arbitrar dhe qartazi i pabazuar. Në rastin konkret, Gjykata vërejti që gjykatat e rregullta nuk e kanë interpretuar ligjin në mënyrë të tillë, prandaj nuk kanë cenuar të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin saj të publikuar, Gjykata konstatoi se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, përkitazi me mohimin e të drejtës për “qasje në drejtësi”, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”,  andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese deklarohen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 7, 21, 22, 24 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tillë, në baza kushtetuese edhe këto pretendime ne baza kushtetuese shpallën qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, u shpall qartazi e pabazuar dhe e papranueshme.

Parashtruesit:

Ali Zhushi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile