Prishtinë, më 20 mars 2023
Nr. Ref.:RK 2138/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI126/22
Parashtrues
Gëzim Bajrami
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit Rev. nr. 116/2022 të 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Gëzim Bajrami, i përfaqësuar me autorizim nga Bekim Sylejmani, avokat në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin, Rev. Nr. 116/2022 të 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 10 të Deklaratës Universalë për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ) dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës); dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 17 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 22 gusht 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 25 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit Nr. GJR.KSH 126/22 e caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtare)
Më 6 tetor 2022, përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës dorëzoi njoftimin për korrigjimin e datës së lindjes së parashtruesit të kërkesës në formularin e kërkesës.
Më 11 tetor 2022, Gjykata parashtruesit të kërkesës i kërkoi që të dorëzojë kopjet e: ankesës të parashtruar në Komisionin për shqyrtimin e ankesave kundër Vendimit të Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: SHSKUK-së) të 30 qershorit 2015; Vendimit nr. [1359/7, të 5 gushtit 2015, të Komisionit për shqyrtimin e ankesave; Vendimit nr. [2058/2] të Inspektoratit të Punës, të 19 tetorit 2015; dhe Vendimit nr. [192/2015] të 19 nëntorit 2015 të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës.
Më 17 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumentet e kërkuara si më lart.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 janar 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe me shumicë votash votoi kundër propozimit të gjyqtares raportuese për të shpallur kërkesën e pranueshme. Të njëjtën ditë, Gjykata me shumicë votash vendosi që të shpallë kërkesën të papranueshme. Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani dhe gjyqtarja, Remzie Istrefi-Peci votuan kundër papranueshmërisë së kërkesës.
Në të njëjtën datë Gjyqtarja raportuese në bazë të paragrafit (4) të rregullit 58 (Këshillimet dhe Votimi) te Rregullores së punës, kërkoi nga Kryetarja e Gjykatës që të caktohet një gjyqtar tjetër, nga shumica, për të përgatitur Aktvendimin për papranueshmëri.
Në të njëjtën ditë, në bazë të rregullit të lartcekur, Kryetarja e Gjykatës e caktoi gjyqtarin Radomir Laban, si njërin nga gjyqtarët e Kolegjit shqyrtues, për të përgatitur Aktvendimin për papranueshmëri.
Më 7 mars 2023, gjyqtari Radomir Laban prezantoi Aktvendimin për papranueshmëri para Gjykatës.
Përmbledhja e fakteve
Më 25 qershor 2011, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Punëdhënësi) kishte emëruar parashtruesin e kërkesës drejtor të Spitalit Rajonal në Ferizaj. Kontrata e tij e punës në këtë pozitë ishte vazhduar nga punëdhënësi edhe për periudhën 26 qershor 2013 deri më 31 dhjetor 2013, si dhe për periudhën 1 janar 2014 deri më 25 nëntor 2014. Më vonë, si rezultat i përfundimit të procedurës së konkursit të hapur nga ana e Punëdhënësit, parashtruesi i kërkesës ishte emëruar në pozitën e njëjtë me kontratë të punës për periudhën 25 nëntor 2014 deri më 25 nëntor 2017.
Më 30 qershor 2015, Punëdhënësi pas vlerësimit të performancës gjashtë (6) mujore të punës, përmes Vendimit [nr. 1359/2] ndërpreu marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal. Kundër këtij vendimi të Punëdhënësit, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Komisionin e Ankesave brenda Punëdhënësit.
Më 5 gusht 2015, Komisioni për Ankesa i Punëdhënësit përmes Vendimit [1359/7] ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar. Në këshillën juridike të këtij Vendimi ishte specifikuar se: “Kandidati i pakënaqur ka të drejtë ankese pranë Inspektoratit të punës në Prishtinë në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të së njëjtës.”
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Inspektoratin e Punës.
Më 19 tetor 2015, Inspektorati i Punës përmes Vendimit [nr. 2058/2] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Në këshillën juridike të këtij Vendimi ishte specifikuar se: “Kundër këtij Vendimi mund të bëhet ankesë në afat prej 8 ditësh, T.E të Inspektoratit të Punës [Trupi Ekzekutiv I Inspektoratit të Punës] nëpërmes Inspektoratit të Punës në Prishtine [...].”
Në një datë të pasaktësuar, kundër këtij vendimi të Inspektoratit të Punës, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në organin e shkallës së dytë, gjegjësisht në Trupin Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës.
Më 19 nëntor 2015, Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të punës përmes Vendimit [nr. 192/2015] ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar. Në këshillën juridike të këtij Vendimi ishte specifikuar se: ”Kundër këtij vendimi mund të ngritet kontesti administrativ në Gjykatën Themelore në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi.”
Më 9 shkurt 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes të cilës kërkoi që të anulohet Vendimi [1359/2] i 30 qershorit 2015, i Punëdhënësit dhe të detyrohet që ky i fundit ta kthejë atë në vendin e tij të mëparshëm të punës si Drejtor i Spitalit Rajonal me të gjitha të drejtat që burojnë nga kjo pozitë dhe ta kompensojë atë me dyfishin e pagave dhe përfitimeve të humbura si rezultat i këtij vendimi.
Më 15 korrik 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. Nr. 116/16]: (i) aprovoi në tërësi padinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi si të kundërligjshëm Vendimin e Punëdhënësit [nr. 1352/2] të 30 qershorit 2015; (iii) obligoi Punëdhënësin që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal në Ferizaj me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës duke filluar nga 1 korriku 2015 deri në vlefshmërinë e kontratës së punës; (iv) refuzoi propozimin e parashtruesit për caktimin e masës së sigurisë për shpalljen e konkursit për pozitën e Drejtorit në Spitalin Rajonal të Ferizajt. Kundër këtij vendimi, Punëdhënësi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 22 maj 2018, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 3503/16] aprovoi ankesën e Punëdhënësit dhe çështjen e ktheu në rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore. Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore përfshihej me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Procedura e parë gjyqësore pas kthimit të rastit në rivendosje
Më 1 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. Nr. 524/18]: (i) aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi si të kundërligjshëm Vendimin e Punëdhënësit [nr. 1352/2] të 30 qershorit 2015 dhe Vendimin [nr. 1359/7] të 5 gushtit 2015 të Komisionit të Ankesave të Punëdhënësit; (iii) obligoi Punëdhënësin që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal në Ferizaj; (iv) detyroi Punëdhënësin që për periudhën 1 korrik 2015 deri më 29 shkurt 2020 parashtruesit të kërkesës ti paguaj shumat prej 49.294, 00 euro në emër të pagës mujore, 2.841, 84 euro në emër të kontributeve pensionale, 4.202,82 euro në emër të tatimit në pagë dhe 497, 86 euro në emër të ndalesave për sindikatë në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të Aktgjykimit.
Në një datë të pasaktësuar, Punëdhënësi kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale duke kërkuar që të refuzohet në tërësi kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës.
Më 23 qershor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. Nr. 5029/20] aprovoi ankesën e Punëdhënësit dhe çështjen e ktheu në rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore.
Gjykata e Apelit konstatoi se Gjykata Themelore nuk i ka zbatuar në tërësi dispozitat e procedurës kontestimore që i referohen kompetencës lëndore të kësaj gjykate në lidhje me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për arsye se kjo gjykatë nuk ka përcaktuar nëse pozita të cilën e kishte ushtruar parashtruesi i kërkesës i takonte apo jo kategorisë së shërbyesit civil.
Procedura e dytë gjyqësore pas kthimit të rastit në rivendosje
Më 23 shtator 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. Nr. 524/18]: (i) aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi si të kundërligjshëm Vendimin e Punëdhënësit [nr. 1352/2] të 30 qershorit 2015 dhe Vendimin e Komisionit të Ankesave të Punëdhënësit [nr. 1359/7] të 5 gushtit 2015; (iii) obligoi Punëdhënësin që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal në Ferizaj; (iv) detyroi Punëdhënësin që për periudhën 1 korrik 2015 deri më 29 shkurt 2020 parashtruesit të kërkesës ti paguaj shumat prej 49.294, 00 euro në emër të pagës mujore, 2.841, 84 euro në emër të kontributeve pensionale, 4.202,82 euro në emër të tatimit në pagë dhe 497, 86 euro në emër të ndalesave për sindikatë në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të Aktgjykimit.
Në seancën e shqyrtimit kryesor, Punëdhënësi kishte pretenduar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është e pasafatshme ashtu siç përcaktohet me nenin 79 (Mbrojtja e të Punësuarit në Gjykatë) të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës).
Gjykata Themelore fillimisht konstatoi se pozita e Drejtorit të Spitalit Rajonal e ushtruar më parë nga parashtruesi i kërkesës në bazë të Ligjit nr. 03/L-149 mbi Shërbimin Civil të Kosovës nuk konsiderohet si pozitë e shërbyesit civil.
Gjykata Themelore më tej konstatoi se Vendimi i Punëdhënësit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës: “[...] është i kundërligjshëm sepse i mungon një arsyetim i mirëfilltë, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 72 të Ligjit të Punës. Për më tepër, sipas Gjykatës Themelore, Punëdhënësi nuk ka arritur që “më asnjë provë ta bëjë të besueshëm pretendimin e saj, lidhur me mospërformancën e [parashtruesit të kërkesës] , përvecse bazohet në formularin e vlerësimit të performances, i vlerësuar dhe plotësuar nga Drejtori i SHKSKUK-së.”
Në lidhje me pretendimin e Punëdhënësit se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është e pasafatshme, Gjykata Themelore konstatoi se: “[parashtruesi i kërkesës] vendimin nga Trupi i Inspektoratit Ekzekutiv të Punës e ka pranuar më 13 janar 2016, ndërsa padinë e ka paraqitur në këtë gjykatë më 09 shkurt 2016, që do të thotë se padia ka qenë ligjërisht e afatshme, ashtu siç përcaktohet me nenin 79 të Ligjit të Punës në fuqi.”
Në një datë të pasaktësuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, Punëdhënësi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale. Punëdhënësi po ashtu specifikoi se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës.
Më 5 janar 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 9442/21] refuzoi ankesën e Punëdhënësit dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të 23 shtatorit 2021.
Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Në lidhje me pretendimin e Punëdhënësit se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, Gjykata e Apelit konsideroi si “të ligjshëm dhe të duhur vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.”
Në një datë të pasaktësuar kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Punëdhënësi parashtroi revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të ligjit. Në kërkesën e Punëdhënësit për revizion, nga ky i fundit ishte ngritur edhe çështja e afatshmërisë së kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje ndaj revizionit të Punëdhënësit.
Më 6 maj 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. Nr. 116/2022] aprovoi revizionin e Punëdhënësit si të bazuar dhe prishi Aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore dhe hudhi poshtë si të pasafatshme kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Supreme vlerësoi se: “[...] punësuari për tu mbrojtur te drejtat e tij mund t'i drejtohet punëdhënësit, ndërsa me nenin 79 te ligji te njëjtë është parapare që nëse nuk është i kënaqur me vendimin e punëdhënësit ose nëse punëdhënësi nuk i përgjigjet brenda afatit ligjor, i punësuari mundet ne afatin prej 30 ditësh te inicioj kontest pune në gjykatën kompetente. Në rastin konkret, [parashtruesi i kërkesës] i është drejtuar organeve të brendshme të punëdhënësit përmes parashtrimit të ankesës ndaj Njoftimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nr. 1359/2 dt. 30.06.2015. Komisioni për ankesa si organ i shkallës së dytë i punëdhënësit përmes Vendimit nr. 1359/7 dt.05.08.2015 e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e [parashtruesit të kërkesës]. Në shkresa të lëndës nuk ka prova lidhure me atë se kur [parashtruesi i kërkesës] e ka pranuar këtë vendim, por meqenëse kundër këtij vendimi në Inspektoratin e Punës ka parashtruar ankesë më 11.08.2015 kjo datë mund të konsiderohet e pakontestueshme kur shtrohet pyetja e datës se prej kur ka filluar të rrjedhë afati për paraqitjen e padisë, ku i njëjti ka paraqitur datën 11.09.2015. Pra padia është ngritur së paku pesë muaj pas skadimit të afatit të paraparë ligjor. Nuk ka ndikim në këtë fakt kjo se [parashtruesi i kërkesës] i është drejtuar organeve të inspektimit, ngase inspektorati i punës sipas nenit 3 të Ligjit për inspektoratin e punës, është definuar si organ i autoritetit ekzekutiv përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore dhe nënligjore në fushën e punës, përfshirë marrëdhëniet e punës, mbrojtjen në punë, mbrojtjen shëndetësor të të punësuarve dhe ambientit të punës....Pra, inspektorati i punës nuk përfaqëson dhe nuk është organ i brendshëm i punëdhënësit, dhe askund dhe me asnjë rregullim ligjor nuk është paraparë se me parashtrim të ankesës në këtë organ, prolongohet afati për paraqitje të padisë në gjykatë, gjë që marrë parasysh natyrën juridike të një afati të përcaktuar kësisoji, as nuk është e mundur.”
Në vijim, Gjykata Supreme përfundoi që: ”Afati i përcaktuar me nenin 79 të Ligjit për punën është prekluziv në kuptimin e asaj që më lëshimin e të njëjtit humbet e drejta për ngritje të padisë dhe meqë bëhet fjale për kontest të punës, në këtë kuptim aplikohen dispozita e Ligjit të Punës si dhe afate e përcaktuar me këtë ligj. Padia pra është paraqitur pas skadimit të afatit të paraparë ligjor që do të thotë se është shkaktuar prekluzioni, në fakt humbja e të drejtës për paraqitje të padisë, për të cilën gjë gjykata është e obliguar të kujdeset sipas detyrës zyrtare.” Përfundimisht, Gjykata Supreme konstatoi se aktgjykimet e shkallës më të ulët janë përfshirë në zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë ka dorëzuar kopje të propozimit që ndërlidhen me veprime procedurale në kuadër të procedurës përmbarimore për përmbarimin e Aktgjykimit [P. Nr. 524/18], të 23 shtatorit 2021, të Gjykatës Themelore i vërtetuar përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 944/21] të Gjykatës së Apelit, të parashtruar më 16 shkurt 2022 . Në kuptim të kësaj procedurë e cila nuk është objekt i vlerësimit të kërkesës së tij, Gjykata bazuar në këto shkresa vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm ka dorëzuar Aktvendimin [E.nr. 84/22] të Gjykatës Themelore në Ferizaj përmes të cilit ishte lejuar përmbarimi i Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, të 23 shtatorit 2021.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij në lidhje me të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm vetëm ka specifikuar se atij i është shkelur kjo e drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pohon se atij po ashtu i është shkelur e drejtat e tij për barazi para ligjit me arsyetimin se Gjykata Supreme në rastin e tij në mënyrë selektive ka zbatuar dispozitat e Ligjit të Punës.
Parashtruesi i kërkesë pretendimin e tij për shkelje të nenit 7 të Kushtetutës e ndërlidh me shkeljen e të drejtës së tij në punë, që sipas tij garantohet me nenin 49 të Kushtetutës. Sipas tij Gjykata Supreme ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 49 të Kushtetutës duke zbatuar gabimisht dispozitat e Ligjit të Punës.
Në vijim, parashtruesi i kërkesës po ashtu pohon se Gjykata Supreme ka shkelur nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, me arsyetim se vendim i së njëjtës është në kundërshtim me “vendimet” e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më lidhje me afatshmërinë e kërkesëpadisë së tij, parashtruesi i kërkesës specifikon se çështja e afatshmërisë së padisë së tij është “shqyrtuar në 6 shkallë 3 here në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe tri here në Gjykatën e Apelit.” Sipas tij pretendimi i Punëdhënësit për çështjen e afatshmërisë nuk është ngritur para gjykatave të shkallës më të ulët. Në këtë kuptim, sipas tij nuk janë shteruar mjetet juridike nga ana e Punëdhënësit në kuptim substancial.
Parashtruesi i kërkesës thekson se neni 82 i Ligjit të Punës përcakton mbrojtjen e të drejtave të tij në punë përmes Inspektoratit të Punës. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës specifikon se ai kishte parashtruar ankesë në Inspektoratin e Punës, dhe se kjo e fundit kishte vendosur në lidhje me ankesat e tij në të dyja shkallët e këtij organi. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës sqaron se vendimin e organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës e kishte pranuar më 13 janar 2016 përderisa kërkesëpadinë e tij në Gjykatën Themelore e kishte paraqitur më 9 shkurt 2016.
Tutje, parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet me konstatimin e Gjykatës Supreme se me paraqitjen e ankesës në Inspektoratin e Punës prolongohet afati për paraqitjen e kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se: “sqarim nga praktikat e deritanishme të inspektoratit të punës kemi me mijëra vendime të inspektoratit qe ka vendosur për kthim të puntorve në punë, anulim te vendimeve mbi ndërprerje e mardhenjes se punës e shume rast ete tilla te ngjashme-nga kto vërehet se gjykata supreme e ka trajtuar këtë qeshtje ne kundërshtim me dispozitat ligjore-duke bere interpretime te ndryshme ligjore [...]”. Sipas tij, nenet 1 dhe 2 të Ligjit për Inspektoratin e Punës përcaktojnë fushëveprimin dhe funksionet e Inspektoratit të Punës dhe për pasojë parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet me konstatimin e Gjykatës Supreme që “largimi i punëtoreve nga puna” nuk është në domenin e Inspektoratit të Punës.
Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës po ashtu i referohet nenit 6 të Ligjit për Inspektoratin e Punës, përmes të cilit sipas tij përcaktohen veprimet që palët duhet ti ndërmarrin dhe afatet për mundësinë e ngritjes së kërkesëpadisë në gjykatën kompetente.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës rithekson se kërkesëpadinë e tij në Gjykatën Themelore e ka parashtruar brenda afatit të përcaktuar me nenet 78 dhe 79 (Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit) të Ligjit të Punës.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë se Aktvendimi [Rev. Nr. 116/2022] i 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme është në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 49 të Kushtetutës; (ii) të shpallë pavlefshëm këtë aktvendim; dhe (iii) të vërtetojë Aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore përmes të cilave kërkesëpadia e tij ishte aprovuar.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
LIGJI 03/L-212 I PUNËS
[publikuar në Gazetën Zyrtare më 1 dhjetor 2010]
KREU IX
PROCEDUARAT PËR REALIZIMIN E TË DREJTAVE NGA MARRËDHËNIA E PUNËS
Neni 78
Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit
1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.
2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.
3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh.
Neni 79
Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë
Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.
Neni 82
Mbrojtja e të punësuarit nga Inspektorati i Punës
1. I punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien nën kompetencat e këtij organi.
2. Inspektorati i Punës duhet të nxjerrë vendime lidhur me ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve ose ta informojë parashtruesin e ankesës lidhur me zgjatjen e afatit brenda të cilit duhet të merret vendimi.
Neni 94
Mbikëqyrja
Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe mbrojtjen në punë, e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligji Nr. 2003/19 për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
LIGJI NR. 2002/9 PËR INSPEKTORATIN E PUNËS
[I plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-017, i publikuar në Gazetën Zyrtare, më 10 shtator 2008]
Neni 1
(Fushëveprimi i Inspektoratit të Punës)
1.1 Me këtë ligj themelohet Inspektorati i Punës si trup Ekzekutiv i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Inspektorati i Punës mbikëqyrë zbatimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore në lëmin e punës në mënyrë gjithë përfshirëse duke përfshirë marrëdhëniet e punës, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.
Neni 2
(Funksionet e Inspektoratit të punës)
2. Inspektorati i punës:
a) Do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit të punës, Ligjit për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës, si dhe dispozitave tjera të aplikueshme nga fusha e punësimit dhe mbrojtjes në punë.
b) Do t’iu siguroj informacion teknik dhe këshilla punëdhënëseve dhe punëtorëve për çështjet më të efektshme të zbatimit të dispozitave ligjore.
c) Do të njoftoj ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale apo ndonjë organ tjetër kompetent për ndonjë mungesë apo ndonjë shpërdorim në ligjin e aplikueshëm.
d) Do t’iu siguroj informatat dhe këshillat punëdhënësve dhe punëmarrësve të cilat do të jenë në pajtim me ligjin dhe t’i paralajmërojnë autoritetet kompetente për çfarëdo defektesh apo shpërdorimesh që nuk janë përfshirë me dispozita ligjore ekzistuese.
e) Do t’iu jep këshilla për çështje lidhur me ligjin e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve me rastin e riorganizimit apo ristrukturimit të një ndërmarrjeje.
Neni 3
(Autoriteti i Inspektoratit të punës)
3.1 Inspektorati i punës themelohet nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe është përgjegjës para kësaj Ministrie në lidhje me koordinimin e veprimeve ekzekutive sa i përket Inspektorit të punës në Kosovë.
3.2 Autoriteti i Inspektoratit të punës përbëhet nga Kryeinspektori i punës dhe inspektorët e punës të cilët ushtrojnë funksionet e tyre në tërë Kosovën.
3.3 Inspektorati i Punës përbëhet nga Kryeinspektori i punës dhe inspektorët e punës të cilët ushtrojnë funksionin e tyre kudo në territorin e Republikës së Kosovës’’.
3.4 Me qëllim të zbatimit të ligjit nga fushëveprimatria e tij, Inspektorati i punës koordinon veprimet dhe bashkëpunon me qeveritë komunale, inspektoratet, me autoritetet tjera relevante dhe me policinë e Kosovës.
3.5 Kryeinspektorin e punës e emëron Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
3.6 Inspektorët komunal i zgjedhë Kuvendi i komunës
Neni 6
(Procedura sipas ankesës)
6.1 Kundër vendimit të inspektorit të punës, organ i shkallës se parë, mund t’i bëhet ankesë në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së vendimit, autoritetit të Inspektoratit të Punës, organ i shkallës se dytë.
6.2. Autoriteti i Inspektoratit të punës është i obliguar që në afat prej 60 ditësh të vendos sipas ankesës të ushtruar në vendimin e inspektorit të punës.
6.3 Kundër vendimit të Inspektoratit të punës mund të ngritët kontesti administrativ në gjykatën kompetente në afat prej 30 ditësh.
6.4 Ankesa e ushtruar në vendimin e Inspektorit të punës nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev.nr.116/2022] të 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu i referohet rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Specifikisht, rregulli 39 (2) përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Gjykata fillimisht rikujton se më 30 qershor 2015, Punëdhënësi pas vlerësimit të performancës gjashtë mujore të punës, përmes Vendimit [nr. 1359/2] kishte ndërprerë marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal. Kundër këtij vendimi të Punëdhënësit, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Komisionin e Ankesave brenda Punëdhënësit. Ky i fundit, më 5 gusht 2015 ankesën e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar përderisa në këshillën e këtij vendimi ishte specifikuar se kundër këtij Vendimi, parashtruesi i kërkesës mund të paraqesë ankesë në Inspektoratit të Punës. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesë kishte ndjekur ankesat para dy organeve të Inspektoratit të Punës, të cilat ankesat e tija i kishte refuzuar si të pabazuara. Vendimi organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës ishte nxjerrë më 19 nëntor 2015, të cilin parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar më 13 janar 2016. Në këtë Vendim, ishte specifikuar se parashtruesi i kërkesës mund të inicojë padi në gjykatën kompetente. Më 9 shkurt 2016, gjegjësisht brenda tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të Vendimit të Inspektoratit të Punës, të 19 nëntorit 2015, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatë Themelore. Kjo e fundit përmes Aktgjykimit [C. Nr. 116/16] të 15 korrikut 2016 kishte: (i) aprovuar në tërësi padinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e Punëdhënësit [nr. 1352/2] të 30 qershorit 2015; (iii) obliguar Punëdhënësin që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të punës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal në Ferizaj me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës duke filluar nga 1 korriku 2015 deri në vlefshmërinë e kontratës së punës. Kundër këtij vendimi, Punëdhënësi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 3503/16] të 22 majit 2018 kishte aprovuar ankesën e Punëdhënësit si të bazuar dhe lëndën e kishte kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje si rezultat i shkeljes së dispozitave kontestimore. Në procedurë të parë të rivendosjes, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 524/18] të 1 tetorit 2019 sërish aprovoi kërkesëpadinë e parashtrueset të kërkesës për kthim n në vendin e tij të mëparshëm të punës, duke i akorduar edhe kompensimin adekuat. Si rezultat i ankesës Punëdhënësit të paraqitur në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [C. Nr. 5029/20] të 23 qershorit 2021 kishte aprovuar ankesën e tij si të bazuar dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje me qëllim të caktimit të kompetencës materiale të kësaj gjykatë, përkatësisht përcaktimit nëse në rastin konkret pozita e Drejtorit Rajonal hyn në kategorinë e shërbyesit civil apo jo. Në procedurë të dytë të rivendosjes, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. Nr. 524/18] të 23 shtatorit 2021 pasi që kishte përcaktuar se në rastin konkret në lidhje me pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal ligj i aplikueshëm është ligji i Punës, kishte aprovuar edhe kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me afatshmërinë e kërkesëpadisë, e njëjta gjykatë kishte konstatuar se është paraqitur brenda afatit të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës, duke konstatuar se Vendim i fundit para parashtrimit të kërkesëpadisë së tij ishte Vendimi, i organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, i 19 nëntorit 2015. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Themelore ishte aprovuar edhe përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 9442/21] të Gjykatës së Apelit, të 5 janarit 2022. Punëdhënësi kundër dy Aktgjykimeve të fundit të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, përmes të cilit ndër tjerash kishte pretenduar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës.
Gjykata rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të kontestuar [Rev. 116/2022] të 6 majit 2022 kishte aprovuar revizionin e Punëdhënësit si të bazuar dhe kishte prishur Aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore duke hudhur poshtë si të pasafatshme kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Supreme duke u bazuar në nenin 79 të Ligjit të Punës kishte konstatuar se kërkesëpadia e tij në Gjykatën Themelore ishte paraqitur jashtë aftit të paraparë me këtë dispozitë. Më konkretisht, Gjykata Supreme vlerësoi se vendim i fundit i Punëdhënësit është Vendimi i Komisionit të Ankesave, i 5 gushtit 2015, dhe se kërkesëpadia e tij e parashtruar më 9 shkurt 2016 në Gjykatën Themelore është jashtë afatit të përcaktuar me ligj. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar kishte vlerësuar se Inspektorati i Punës nuk përfaqëson dhe nuk është organi i brendshëm i Punëdhënësit, dhe rrjedhimisht ankesat e paraqitura në këtë organ ekzekutiv nuk mund të prolongojnë afatin tridhjetë (30) ditor të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme duke pretenduar ndër tjerash shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pohon se kërkesëpadia e tij është paraqitur brenda afatit të përcaktuar me ligj pas marrjes së vendimit të organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës. Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit të Inspektoratit të Punës pohon se i njëjti është kompetent për të vendosur në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Në vijim, parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të së drejtës të së drejtës së tij për barazi para ligjit dhe të drejtës së tij të punës dhe ushtrimit të profesionit të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës.
Në vijim, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për të vazhduar me pretendimin e tij për shkelje të së drejtës së tij të punës dhe ushtrimit të profesionit.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit të punëdhënësit për shkëputjen e marrëdhënies së punës, të 30 qershorit 2015 kishte paraqitur ankesë në organin e shkallës së dytë të punëdhënësit, dhe ky i fundit më 5 gusht 2015 ankesën e tij e kishte refuzuar si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës në vijim kishte parashtruar edhe ankesë në të dyja shkallët e Inspektoratit të Punës. Si rezultat i refuzimit të ankesës së tij nga organi i shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës [Vendim, i 19 nëntorit 2015], parashtruesi i kërkesës më 9 shkurt 2016 kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e Vendimit të Punëdhënësit për shkëputjen e marrëdhënies së punës; (ii) kthimin në pozitën e tij të mëparshëm të punës: dhe (iii) kompensimin e pagave dhe përfitimeve si rezultat i ndërprerjes së marrëdhënies së tij të punës.
Gjykata fillimisht vë në pah se parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar se cilat nga kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë cenuar në rastin e tij. Parashtruesi i kërkesës pohon se neni 82 i Ligjit të Punës përcakton mbrojtjen e të drejtave të tij në punë përmes Inspektoratit të Punës. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës specifikon se ai kishte parashtruar ankesë në Inspektoratin e Punës, dhe se kjo e fundit kishte vendosur në lidhje me ankesat e tij në të dyja shkallët e këtij organi. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës sqaron se vendimin e organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës e kishte pranuar më 13 janar 2016 përderisa kërkesëpadinë e tij në Gjykatën Themelore e kishte paraqitur më 9 shkurt 2016.
Tutje, parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet me konstatimin e Gjykatës Supreme se me paraqitjen e ankesës në Inspektoratin e Punës prolongohet afati për paraqitjen e kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se: “sqarim nga praktikat e deritanishme të inspektoratit të punës kemi me mijëra vendime të inspektoratit qe ka vendosur për kthim të puntorve në punë, anulim te vendimeve mbi ndërprerje e mardhenjes se punës e shume rast ete tilla te ngjashme-nga kto vërehet se gjykata supreme e ka trajtuar këtë qeshtje ne kundërshtim me dispozitat ligjore-duke bere interpretime te ndryshme ligjore [...]”. Sipas tij, nenet 1 dhe 2 të Ligjit për Inspektoratin e Punës përcaktojnë fushëveprimin dhe funksionet e Inspektoratit të Punës dhe për pasojë parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet me konstatimin e Gjykatës Supreme që “largimi i punëtoreve nga puna” nuk është në domenin e Inspektoratit të Punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se ky pretendim i ngritur në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së ndërlidhet me konstatimin e gjykatave të rregullta përkitazi me ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës dhe si i tillë bie në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”.
Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim, e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, paragrafi 61).
Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës KI75/17, me parashtrues X, të cituar më lart, paragrafi 59).
Në këtë kontekst, Gjykata duke u bazuar në kronologjinë procedurale të këtij rasti para gjykatave të rregullta vëren se kërkesëpadia e tij ishte aprovuar si pjesërisht e bazuar deri në momentin e nxjerrjes së Aktvendimit [Rev. Nr. 116/2022] të 6 majit 2022. Në vijim të kësaj, Gjykata po ashtu vë në pah se në procedurë para Gjykatës Themelore dhe të Gjykatë së Apelit, Punëdhënësi, në cilësinë e palës së paditur përmes përgjigjes në kërkesëpadi dhe ankesave kishte ngritur çështjen e afatshmërisë së kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore dhe së fundmi të njëjtin pretendim i njëjti e kishte ngritur edhe përmes revizionit të tij në Gjykatë Supreme. Si rezultat i revizionit të Punëdhënësit, në vlerësimin e pretendimit thelbësor të Punëdhënësit që ndërlidhet me afatshmërinë e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës në Gjykatë Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të saj, të kontestuar kishte vendosur që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës e paraqitur në Gjykatën Themelore, më 9 shkurt 2016 të hudhet poshtë si e pasafatshme, pasi kjo gjykatë duke u bazuar në nenin 79 të Ligjit të Punës kishte konstatuar se kjo kërkesëpadi ishte paraqitur jashtë afatit ligjor të përcaktuar me këtë dispozitë. Gjegjësisht, Gjykata Supreme konsideroi se ankesat e tij të parashtruara në Inspektoratin e Punës nuk mund prolongojnë afatin tridhjetë (30) ditor të përcaktuar me ligj.
Gjykata vëren se sipas interpretimit të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës është dashur që kërkesëpadinë e tij në Gjykatën Themelore ta parashtrojë brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të Vendimit të organit të shkallës së dytë të Punëdhënësit, të 5 gushtit 2015.
Gjykata rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj kishte konstatuar se: “....Pra, inspektorati i punës nuk përfaqëson dhe nuk është organ i brendshëm i punëdhënësit, dhe askund dhe me asnjë rregullim ligjor nuk është paraparë se me parashtrim të ankesës në këtë organ, prolongohet afati për paraqitje të padisë në gjykatë, gjë që marrë parasysh natyrën juridike të një afati të përcaktuar kësisoji, as nuk është e mundur.” Gjykata, në vijim vëren se përgjatë procedurave të zhvilluara para gjykatave të shkallës më të ulët, për aq sa mund të konstatohet nga shkresat e lëndës, këto gjykata, përkatësisht Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kishin konstatuar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte parashtruar brenda afatit të përcaktuar me ligj, gjegjësisht nenit 79 të Ligjit të Punës.
Bazuar në arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj, Gjykata vëren se kjo e fundit ka arritur në këtë përfundim pas shqyrtimit të rrethanave faktike dhe juridike dhe interpretimit të legjislacionit përkatës në fuqi.
Prandaj, duke marrë për bazë atë që është cekur më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si këto interpretime të dispozitave përkatëse ligjore, të bëra nga Gjykata Supreme, kanë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme në rastin e tij apo se si procedura para kësaj gjykate në tërësinë e saj, mund të mos ketë qenë e drejtë apo edhe të kenë qenë arbitrare.
Prandaj bazuar në si më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Në lidhje me pretendimet për shkelje të nenit 24 dhe 49 të Kushtetutës
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij kishte pretenduar edhe shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Në lidhje me të drejtën e tij për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës vetëm pohon se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj të kontestuar në rastin e tij në mënyrë selektive ka zbatuar dispozitat e Ligjit të Punës.
Megjithatë, Gjykata thekson se lidhur me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar informatë përkatëse në lidhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme që dëshmon vendosjen ndryshe të kësaj gjykate në raste të ngjashme.
Përderisa në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të së drejtës së tij në punë dhe ushtrim të profesionit, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme atij i ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 49 të Kushtetutës duke zbatuar gabimisht dispozitat e Ligjit të Punës. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se pretendimin për zbatim të gabuar të dispozitave përkatëse ligjore, parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur edhe në kuadër të pretendimit të tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Megjithatë, në sfondin e këtij pretendimi të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, Gjykata po ashtu vë në dukje praktikën e saj gjyqësore ku është sqaruar se Kushtetuta përkufizon një standard që ngërthen garancitë dhe të drejtat për të punuar, mundësitë e punësimit dhe të sigurimit të kushteve të barabarta të punës pa diskriminim, si dhe të drejtën e zgjedhjes së vendit të punës dhe ushtrimit të profesionit në mënyrë të lirë, pa detyrime të dhunshme. Këto të drejta janë të rregulluara në mënyrë më specifike me ligjet e aplikueshme (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI46/15, me parashtruese Zejna Qosaj, Aktvendim për papranueshmëri i 20 tetorit 2015, paragrafi 26; KI70/17, parashtrues Rrahim Ramadani, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 majit 2018, paragrafi 48; dhe KI115/19, parashtruese Sadete Jusufi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2019, paragrafi 65).
Gjykata thekson se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtës në punë duhet kuptuar në dritën e interpretimit të mësipërm. Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës, në rastin konkret, argumenton se atij i është cenuar e drejta në punë dhe ushtrim të profesionit, sipas kuptimit të nenit 49 të Kushtetutës.
Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në asnjë mënyrë nuk e ndalon parashtruesin e kërkesës të punojë ose të ushtrojë profesionin. Si rrjedhojë, nuk ekziston asgjë në pretendimin e parashtruesit të kërkesës që do të arsyetonte konstatimin se janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 49 të Kushtetutës.
Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: se (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20 parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021, paragrafi 42).
Bazuar në si më sipër, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me ekzistimin e divergjencës në praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe për shkelje të neneve 24 dhe 49 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tij:
Përkitazi me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së bien në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës; dhe
Përkitazi me nenet 24 dhe 49 të Kushtetutës bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës, më 25 janar 2023, me shumicë votash:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Gëzim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile