Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K. DH. SH. II. nr. 131/23] të 18 majit 2023, të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë

Nr. të lëndës KI190/23

Parashtruesit: Jaffa Champion sh.p.k

Shkarko:

KI190/23, Parashtrues: “Jaffa Champion” sh.p.k., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K. DH. SH. II. nr. 131/23], të 18 majit 2023, të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë

 KI190/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 nëntorit 2024, publikuar më 12 dhjetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga ajo se parashtruesi i kërkesës dhe Xh. S. kanë një kontest pronësor me I. K. Parashtruesi i kërkesës si njëri nga paditësit është pronar në ngastrën kadastrale nr. 4945/10, në vendin e quajtur “Livadhet e Arapit”, në Gjilan në sipërfaqe prej 16661 metra katror, sipas certifikatës mbi të drejtat e pronës së paluajtshme nr. 9265, e 10 korrikut 2009. Ndërsa paditësi tjetër Xh. S. është pronar i njësisë kadastrale P-704013-04945-2, në vendin e quajtur “Livadhet e Arapit”, në Gjilan e cila kufizohet me pronën kontestuese. Sipas shkresave të lëndës, I. K. është përfaqësues ligjor i Ndërmarrjes Private “Albimi” Sh.p.k., me seli në Gjilan. I njëjti është titullar i pronës së paluajtshme në njësinë kadastrale P-704013-04945-3, me sipërfaqe prej 5112 metra katror në vendin e quajtur “Livadhet e Arapit” në Gjilan. Parashtruesi i kërkesës dhe XH. S. parashtruan kërkesëpadi ndaj të paditurit  “Albimi” Sh.p.k. me përfaqësues ligjor I. K., pranë Gjykatës Komunale, duke kërkuar që të: (i) vërtetohet se i padituri e ka kryer aktin e pengim posedimit në dëm të parashtruesit të kërkesës, në atë mënyrë që i ka zënë pjesën e rrugës e cila shpie deri te ngastra e tij nr. 4945/2 e cila evidentohet në certifikatën mbi të drejtat e pronës së paluajtshme UL-70403013-09356 Zona dhe Komuna Kadastrale Gjilan dhe ngastrën e paditësit të dytë nr. 4945/10 e cila evidentohet në certifikatën mbi të drejtat e pronës së paluajtshme UL-70403013-0965 Zona dhe Komuna Kadastrale Gjilan, me çka u ka pamundësuar paditësve hyrje-daljen në paluajtshmërinë e tyre, dhe në posedimin e fundit të qetë dhe faktik, të këtyre paluajtshmërive; (ii) urdhërohet i padituri “Albimi” Sh. p. k. që në afat prej tri ditëve ta kthejë gjendjen e mëparshme të posedimit, duke mënjanuar pengesat nga rruga, në atë mënyrë që mos t’i pengojë paditësit në posedimin e qetë dhe të lirë, të kësaj rruge, në këtë mënyrë apo të ngjashme, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm; (iii) parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi të caktohet masa e përkohshme dhe t’i urdhërohet të paditurit ta kthejë gjendjen e mëparshme të posedimit, dhe në të ardhmen të mos i pengojë paditësit në shfrytëzimin e lirë dhe të qetë të rrugës për hyrje-daljen në paluajtshmëritë e tyre, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm, pasojave ligjore dhe gjobës në shumën prej 2.000 euro. Gjykata Komunale në Gjilan kishte vendosur lidhur me masën e përkohshme dhe kishte lëshuar masë të përkohshme të sigurisë ku kishte urdhëruar të paditurin që të largojë kioskën nga ngastra kontestuese dhe të ndërpresë punimet. Më tej në vendosjen lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës Gjykata Komunale kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe obligoi të paditurin që parashtruesin e kërkesës dhe Xh.S mos t’i pengojë në të ardhmen në shfrytëzimin e qetë të paluajtshmërisë nr. 4945-15, dhe ta kthejë gjendjen e mëparshme me mënjanimin e objektit të ndërtuar në ngastrën kadastrale nr. 4945-15, ndërsa pjesën e kërkesëpadisë sa i përket shfrytëzimit të hyrje-daljes në paluajtshmërinë e tyre e refuzoi, kurse lidhur me masat e përkohshme vendosi se me hyrjen në fuqi të vendimit masat shfuqizohen. Kundër këtij vendimi ankesë kishte paraqitur i padituri I. K. dhe “Albimi” Sh. p. k., e cila ankesë ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit dhe lënda ishte kthyer në rigjykim. Në rigjykim, Gjykata Komunale prapë kishte vendosur si herën e parë, ku prapë ankesë kishte bërë i padituri, e cila ankesë ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit dhe lënda ishte rikthyer prapë në rigjykim dhe rivendosje.  Gjykata Themelore në rivendosje kishte vendosur që ta refuzojë padinë e parashtruesit të kërkesës, si dhe ta shfuqizojë masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Komunale. Kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte vendosur që ta prishë vendimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen ta kthejë në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në rivendosje prapë kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte shfuqizuar vendimin lidhur me masën e përkohshme. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, ku kjo e fundit kishte refuzuar ankesën e tij dhe kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin [K. DH. SH. II. nr. 131/23] e 18 majit 2023 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, përmes së cilit pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij në Gjykatë, në esencë, thekson se Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, nuk ka arsyetuar vendimin e saj sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me gabimin në aktvendimin e Gjykatës Themelore, përkatësisht dallimin në mes të arsyetimit të vendimit dhe dispozitivit të tij. Lidhur me këtë pretendim për kundërthënie në mes të dispozitivit dhe arsyetimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi pretendon se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë i është përgjigjur duke minimizuar gabimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata vërejti se Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, i kishte dhënë përgjigje pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me gabimin në aktvendimin e Gjykatës Themelore, ku kishte konstatuar se ai gabim është një gabim teknik dhe jo përmbajtjesor dhe, si i tillë, nuk paraqet shkelje të dispozitave të LPK-së, dhe se një gabim i tillë nuk ndikon në të drejtat e parashtruesit të kërkesës dhe se gabimi formal nuk i përgjigjet qëllimit të vendimit të gjyqtarit dhe si i tillë mund të përmirësohet në çdo kohë.

Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Gjykata konsideroi se pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre të drejtave themelore, me mosarsyetimin e vendimeve gjyqësore, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.

Prandaj, Gjykata konstatoi se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit  nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenin e Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ai. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Jaffa Champion sh.p.k

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile