Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-AKP nr.06/2021, të 27 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI28/22

Parashtruesit: Fadil Marevci

Shkarko:

KI28/22, Parashtrues: Fadil Marevci, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-AKP nr.06/2021, të 27 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI28/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 korrikut 2022, publikuar më 3 gusht 2022

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, res judikata, kërkesë e papranueshme, ratione temporis

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës, në cilësi të blerësit, dhe personi D.I., në cilësi të shitësit, më 27 dhjetor 2001, kishin lidhur “Kontratë mbi shitblerjen e patundshmërisë”, respektivisht, parashtruesi i kërkesës kishte blerë banesën e cila gjendet në Prishtinë. Kontrata e lartpërmendur ishte vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë.

Më pas, lidhur me banesën e lartpërmendur kishin filluar procedurat pranë Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës, ku së pari D. I. kishte kërkuar që t’i kthehej e drejta e posedimit në banesën e lartpërmendur dhe më pas personi R. E. kishte pretenduar se ishte pronar i banesës së lartpërmendur. 

Komisioni për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës kishte aprovuar kërkesën e R. E. dhe kishte vendosur që R. E. t’i kthehej e drejta pronësore mbi banesën e lartpërmendur. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në shkallë të dytë në Komisionin për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës, ky i fundit miratoi vendimin e shkallës së parë. Më pas vendimi i lartpërmendur ishte bërë res judikata në vitin 2006.

Parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të lartpërmendur parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit refuzoi ankesën me arsyetimin se mjeti juridik i përdorur nga parashtruesi i kërkesës ishte i palejuar.

Parashtruesi i kërkesës, i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se vendimi i kontestuar ka shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.

Në thelb parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes Kontratës së Shitblerjes të lidhur në vitin 2001, e kishte fituar të drejtën e pronësisë në banesën në të cilën jeton që mbi 20 vjet.  Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se R. E. nuk ka mundur të fitoj të drejtën e pronësisë pa lidhur një kontratë për shitblerje me shtetin e RSFJ-së.

Më tej nga arsyetimi i Gjykatës Supreme, vërehet se pas Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës të 19 tetorit 2006, parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur ndonjë mjet juridik në dispozicion. Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë ankohet kundër Aktvendimit  të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 27 janarit 2022, megjithatë siç u sqarua më lart, Vendimi i Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës kishte trajtuar meritat e rastit dhe i cili po ashtu ishte bërë përfundimtar gjatë vitit 2006.

Gjykata konkludoi se veprimet dhe vendimet në lidhje me pretendimet e parashtruesit janë zhvilluar në rrethana të ndryshme dhe në kohë kur Gjykata nuk kishte juridiksion kohor, dhe si të tilla nuk janë ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.

Prandaj, në pajtim me rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme sepse nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.

Parashtruesit:

Fadil Marevci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative