Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-AKP nr.06/2021, të 27 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI28/22

Parashtruesit: Fadil Marevci

Shkarko:

Prishtinë, më 1 gusht 2022

Nr. ref.:RK 2029/22

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI28/22

 

Parashtrues

 

Fadil Marevci

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë

Aktvendimit AC-AKP nr. 06/2021 të 27 janarit 2022

të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Fadil Marevci, nga Komuna e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Ekrem Agushi, avokat nga Prishtina.

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Vendimi i kontestuar është Aktvendimi [AC-AKP nr. 06/2021] i 27 janarit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me Vendimin [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006, të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë KKPBK).

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 1 mars 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  1. Më 3 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [KI28/21], caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).

 

  1. Më 11 mars 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi edhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.

 

  1. Më 23 maj 2022, bashkëshortja e parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë lidhur me rastin, duke përsëritur të njëjtat pretendime që i kishte paraqitur parashtruesi në kërkesën e tij fillestare.

 

  1. Më 6 korrik 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi i kërkesës në cilësi të blerësit dhe personi D.I. në cilësi të shitësit, më 27 dhjetor 2001, kishin lidhur “Kontratë mbi shitblerjen e patundshmërisë”, respektivisht parashtruesi i kërkesës kishte blerë banesën e cila gjendet në Prishtinë, në lagjen “Dardania”. Kontrata e lartcekur ishte vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë më 11 mars 2002, përmes Vendimit [Vr. nr. 1128/2002]. Nga shkresat e lëndës rezulton se palët e lartcekura kishin përmbushur obligimet kontraktuale që dilnin nga Kontrata e lartcekur, respektivisht parashtruesi i kërkesës kishte paguar çmimin e shitblerjes, ndërsa D.I. ia kishte dorëzuar në posedim banesën.

 

  1. Më 28 qershor 2001, D. I. i ishte drejtuar KKPBK-së me kërkesën, që t’i kthehej e drejta e posedimit në banesën e lartpërmendur. Kjo kërkesë ishte regjistruar në KKPBK, me numrin DS200498.

 

  1. Më 27 qershor 2003, KKPBK-ja përmes Vendimit [HPCC/D/78/2003/C] aprovoi kërkesën e D. I. dhe vendosi që t’i kthehet e drejta e posedimit në pronën e lartpërmendur.

 

  1. Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se më 3 shtator 2002, R. E. kishte paraqitur kërkesë pranë KKPBK-së, kërkesë kjo e cila ishte regjistruar me numrin DS004209, ku kishte pretenduar se ishte pronar i pronës së lartpërmendur, të cilën në vitin 2001 parashtruesi i kërkesës pretendon se e kishte blerë nga personi D. I.

 

  1. Më 22 tetor 2005, KKPBK-ja përmes Vendimit [HPCC/D/222/2005/A&C] kishte vendosur që kërkesa me nr. DS004209, respektivisht e parashtruar nga R. E. të aprovohet dhe atij t’ i kthehet e drejta pronësore, në banesën e lartpërmendur.

 

  1. Kundër dy vendimeve të lartpërmendura të KKPBK-së, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Komisionin e shkallës së dytë të KKPBK-së, me kërkesë që të njëjtit të shfuqizohen.

 

  1. Më 19 tetor 2006, Komisioni i shkallës së dytë të KKPBK-së, përmes Vendimit [HPCC/REC/74/2006] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vendosi që Vendimi [HPCC/D/222/2005/A&C] si dhe Vendimi [HPCC/D/78/2003/C] të ndryshohen dhe të lëshohet një vendim i ri në përmbajtje. Lidhur me kërkesën e R. E. theksohet se “ t’i kthehet e drejta pronësore, pasi DCPB të përcaktoj shumën e pagesës për apartament, sipas nenit 4.2 të Rreg. së UNMIK-ut, nr.2000/60”. Ndërsa lidhur me personin D. I. theksohet se “të sjellë dëshmi në Drejtori se ka kthyer çmimin blerës që e kishte pranuar nga banori aktual (F. M.) sipas marrëveshjes së pavlefshme të shitjes ndërmjet tyre, që pastaj për t’u kompensuar nga Drejtoria për shumën të cilën e kanë paguar për blerjen e pronës përkatëse”.

 

  1. Vendimi ishte bërë res judikata në vitin 2006.

 

  1. Më pas rezulton se Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKKVP) , sipas Ligjit 05/L0101 përveç mandatit kryesor kishte trashëguar edhe një pjesë të kompetencave të Agjencisë Kosovare të Pronës dhe Drejtorisë për Kërkesa Pronësore Banesore (kryesisht për implementimin e vendimeve të saj të plotfuqishme).

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, AKKVP-ja kishte njoftuar R. E. për implementimin e Vendimit [HPCC/REC/74/2006], dhe nga ky i fundit AKKVP-ja kishte pranuar kërkesë për kthimin e të drejtës pronësore, sipas Vendimit të KKPB-së.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, AKKVP-ja kishte njoftuar D.I. për implementimin e Vendimit [HPCC/REC/74/2006], dhe nga shkresat e rastit rezulton se ky i fundit, nuk kishte parashtruar kërkesë për kompensim.

 

  1. Më 13 dhjetor 2019, KKPK-ja përmes Vendimit [KPCC/D/COMP/02/2019], në zbatim të Vendimit të plotfuqishëm [HPCC/REC/74/2006] i cili ishte nxjerrë në bazë të kërkesës së R.E., këtij të fundit i konfirmohet pronësia mbi pronën e lartpërmendur, dhe urdhërohet që i njëjti të regjistrohet si pronar i ligjshëm në shënimet publike. Në vendimin e lartpërmendur, duke elaboruar kornizën ligjore dhe duke u thirrur në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 10/2018 për Procedurat e Skemës së Kompensimit për Zbatimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, theksohet se ky i fundit përcakton procedurat, kriteret dhe metodat për implementimin e 143 vendimeve të KKPB-së lidhur me kthimin e të drejtave pronësore. Më tej në vendim ceket se çdo palë tjetër, i cili pa të drejtë e ka uzurpuar banesën duhet që të njëjtën ta liroj në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh.

 

  1. Më 25 maj 2021, AKKVP i dërgoi një shkresë parashtruesit të kërkesës për lirimin e pronës së lartpërmendur.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër Vendimit [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006, duke pretenduar ndër të tjera vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe shkelje të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, si rezultat i mosnjoftimit për procedurën e zhvilluar.

 

  1. Më 27 janar 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [AC-AKP nr. 06/2021] refuzoi si të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetim të Aktvendimit të Gjykatës Supreme, shtohet se Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të vendosur lidhur me vendimet e KKPB-së dhe vendimet e AAVP-së, me arsyetimin:

 

Vendimi i shkallës së dytë, përfundimtar në këtë lëndë HPCC/REC/74/2006, i dt. 19 tetor 2006, është i plotfuqishëm, në pajtim me nenin 2, paragrafi 7, të Rregullores së lartcekur. nr. 1999/23, i njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë, as sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.2000/60, sepse  dispozitat e këtyre dy rregulloreve të cekura si më lart që ishin në fuqi, si dhe aktet ligjore të mëvonshme dhe tani në fuqi, që e rregullojnë këtë lëmi, nuk parashohin ndonjë mjet juridik të rregullt apo të jashtëzakonshëm të goditjes ndaj vendimeve përfundimtare të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore.

 

Sipas dispozitave të rregullores së lartcekur, nr. 1999/23, pas vendosjes nga Komisioni për Kërkesa Pronësore Banesore me vendimin i cili është bërë i formës së prerë, çështja e vendosur trajnohet res judicata, sepse sipas nenit 2.5, të kësaj Rregulloreje, në çështjet e pronave banesore  juridiksioni i gjykatave lokale ishte përjashtues, ndërsa komisioni ka kompetenca ekskluzive për të zgjedhë kategoritë e kërkesave të theksuara si në nenin 1.2 të kësaj Rregulloreje.

 

Ngjashëm është edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës sa i përket vendimeve të formës së prerë të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore (shih, Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në rastin me numër KI104/10 e në mënyrë specifike paragrafët, 64-75 të këtij Aktgjykimi)”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimin e kontestuar i është shkelur e drejta e tij e mbrojtur me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Kontratës së Shitblerjes të lidhur në vitin 2001, e kishte fituar të drejtën e pronësisë në banesën në të cilën jeton që mbi 20 (njëzetë) vjet. Për më tepër lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se personi “E. asnjëherë me asnjë titull juridik dokument të formës së prerë nuk e ka vërtetuar ekzistimin e së drejtës së pronësisë në banesën kontestuese, ndërsa e drejta e shfrytëzimit të banesës nuk përfaqëson titull juridik për fitim të pronësisë, pa u zbatuar procedura e shitblerjes së banesave”.

 

  1. Gjithashtu parashtruesi i kërkesës pretendon se R. E. nuk ka mundur të fitoj të drejtën e pronësisë pa lidhur një kontratë për shitblerje me shtetin e RSFJ-së.

 

  1. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që kërkesën ta deklarojë si të pranueshme, të anulojë vendimin e kontestuar.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës. .
  2. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  1. Në vazhdim, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor …”.

 

  1. Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-AKP nr.06/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 27 janarit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (3) (c) i Rregullores së punës, përcakton që:

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“(3) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse ndonjë nga kushtet në vijim është i pranishëm:

 

[…]

 

  1. c) kërkesa nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën

[…]”.

 

  1. Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Vendimin [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006. Pas pranimit të këtij të fundit, ai ka përdorur mjetin juridik ankesën në Gjykatën Supreme. Më tej, në arsyetimin e aktvendimit të kontestuar  theksohet se bazuar në nenin 15.1 të Ligjit nr. 05/-L-010 kundër vendimeve të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje të Pronës si dhe kundër vendimeve të KKPBK-së palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme, megjithatë “sipas këtij ligji nuk është e paraparë që vendimet e Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore, përkatësisht Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore në kuadër të kësaj Drejtorie, apo aktet e tjera të mëvonshme të nxjerra nga AKKVP, lidhur me zbatimin e tyre, se mund të jenë objekt i kontestimit qoftë me padi apo me ankesë në Gjykatën Supreme […] Vendimi i shkallës së dytë përfundimtar në këtë lëndë Vendimit HPCC/REC/74/2006 i dt. 19 tetorit 2006, është i plotfuqishëm në pajtim me nenin 2, paragrafi 7, të Rregullores së lartcekur nr. 1999/23 i njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë as sipas Rregullores së UNMIK nr. 2000/6, sepse dispozitat e këtyre dy dispozitave të cekura më lart që ishin në fuqi, që e rregullojnë këtë lëmi, nuk parashohin ndonjë mjet juridik të rregullt apo të jashtëzakonshëm të goditjes ndaj vendimeve përfundimtare të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore”.

 

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje që përmes aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, ku parashtruesi në mënyrë shprehimore parashtroi ankesë kundër Vendimit [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006, Gjykata Supreme, e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të palejuar, duke mos e trajtuar në merita rastin e parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Nga si më sipër dhe nga arsyetimi i Gjykatës Supreme, vërehet se pas Vendimit [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006, parashtruesi i kërkesës nuk ka pasur mjet juridik në dispozicion.

 

  1. Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Vendimi [HPCC/REC/74/2006] të 19 tetorit 2006 të KKPBK-së i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij/saj në Gjykatë, në përputhje me nenin 39 (3) (d) të Rregullores së punës.

 

  1. Për të përcaktuar juridiksionin kohor të Gjykatës, është qenësore të identifikohet në secilin rast konkret koha e saktë e shkeljes së pretenduar. Duke vepruar ashtu, Gjykata duhet të marrë parasysh faktet për të cilat ankohet parashtruesi dhe shtrirjen e të drejtës kushtetuese që pretendohet se është cenuar (shih, rastin e GJEDNJ-së, Blečić kundër Kroacisë, 59532/0, Aktgjykimi i 8 marsit 2006, paragrafi 82).

 

  1. Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ankohet kundër Aktvendimit [AC-AKP nr. 06/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 27 janarit 2022, megjithatë siç u sqarua më lart Vendimi [HPCC/REC/74/2006] i 19 tetorit 2006 i kishte trajtuar meritat e rastit dhe i cili po ashtu ishte bërë përfundimtar gjatë vitit 2006.

 

  1. Bazuar në atë që u tha më sipër, Gjykata konkludon se shkelja e pretenduar e të drejtave të parashtruesit të kërkesës, të garantuara me Kushtetutë, ka ndodhur me vendimin i cili është bërë res judikata para 15 qershorit 2008, që është data e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, dhe nga e cila datë Gjykata ka juridiksion kohor.

 

  1. Gjykata konkludon se veprimet dhe vendimet në lidhje me pretendimet e parashtruesit janë zhvilluar në rrethana të ndryshme dhe në kohë kur Gjykata nuk kishte juridiksion kohor, dhe si të tilla nuk janë ratione temporis në pajtim me Kushtetutën (shih, rastet e Gjykatës, rastin KI47/14, parashtrues Mustaf Zejnullahu, Aktvendimi për papranueshmërinë, i 11 gushtit 2014, paragrafi 25, KI54/14, Hamdi Ademi, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 qershorit 2014, paragrafi 21; KI62/19, Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 nëntorit 2019, paragrafi 44).

 

  1. Prandaj, në pajtim me rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës, Gjykata konstaton se kërkesa, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës, duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës, më 6 korrik 2022, njëzëri

 

VENDOS 

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues                                                   Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Radomir Laban                                                                      Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Fadil Marevci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative