Prishtinë, më 12 gusht 2024
Nr. ref.: RK 2510/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI99/24
Parashtrues
Ismet Arifaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ismet Arifaj nga fshati Shtupel, Komuna e Klinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk specifikon se cilin akt konkret të autoritetit publik e konteston në procedurë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Objekti i çështjes
Parashtruesi i kërkesës nuk saktëson cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) janë cenuar.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 8 prill 2024, parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 prill 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me dokumentet dhe informatat si në vijim: (i) cilin vendim të autoritetit publik e kontestoni para Gjykatës; (ii) specifikoni cilat të drejta dhe liri kushtetuese pretendoni se u janë cenuar; (iii) bashkëngjitni vendimin e fundit të kontestuar së bashku me vendimet tjera apo dokumentet e nevojshme që kanë të bëjnë m e këtë kërkesë; dhe (iv) dorëzoni dhe plotësoni formularin e kërkesës për procedurë në Gjykatë së bashku me dokumentacionin përcjellës.
Më 24 prill 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një urdhër përmbarimor dhe një konkluzion të Gjykatës Themelore në Pejë por pa specifikuar se cilat të drejta dhe liri themelore i janë cenuar dhe nëse i janë cenuar në lidhje me dokumentet e bashkëngjitura, për më tepër, nuk dorëzoi as formularin e kërkesës për procedurë në Gjykatë së bashku me dokumentacionin përcjellës, siç i ishte kërkuar me shkresën e 23 prillit 2024.
Më 25 prill 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI99/24] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues, ndërkaq përmes Vendimit [Nr. KSH. KI99/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë dorëzoi: (i) Urdhrin Përmbarimor [P.nr.1048/2018] të datës 21 tetor 2021 të nxjerrë nga përmbaruesi privat B.B., kundër parashtruesit të kërkesës për mbylljen borxhit prej 640.07 euro në dobi të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike Sh.a. (KESco); dhe (ii) Konkluzion [Cpp.nr.14/20] të 10 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë, përmes të cilit ishte refuzuar e pabazuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për lirim nga pagesa e gradacionit për ankesë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës vetëm sa ka dorëzuar urdhrin dhe konkluzion e lartpërmendur por nuk ka artikuluar asnjë ankesë apo pretendimin lidhur me dokumentet në fjalë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1.Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata po ashtu iu referohet neneve 47 (Kërkesa individuale) dhe 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Në kontekst të dispozitave të lartcekura, Gjykata thekson se bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 1 të nenit 47 dhe nenit 48 të Ligjit, parashtruesit e kërkesave duhet të specifikojnë aktin konkret të autoritetit publik që kontestohet dhe gjithashtu janë të detyruar që të qartësojnë se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar.
Në rastet kur kërkesa nuk i përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të pranueshmërisë, Ligji dhe Rregullorja e punës përcaktojnë procedurën që duhet ndjekur nga Gjykata në mënyrë që parashtruesit të kërkesës t’i jepet mundësi për të kompletuar dhe plotësuar kërkesën e tij.
Në lidhje me këtë, Gjykata, përmes shkresës së 23 prillit 2024, kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të njoftojë Gjykatën se (i) cilin vendim të autoritetit publik e kontestoni para Gjykatës; (ii) specifikoni cilat të drejta dhe liri kushtetuese pretendoni se u janë cenuar; (iii) bashkëngjitni vendimin e fundit të kontestuar së bashku me vendimet tjera apo dokumentet e nevojshme që kanë të bëjnë me këtë kërkesë; dhe (iv) dorëzoni dhe plotësoni formularin e kërkesës për procedurë në Gjykatë së bashku me dokumentacionin përcjellës.
Në vijim të kërkesës së Gjykatës, parashtruesi i kërkesës, më 24 prill 2024, dorëzoi Urdhrin Përmbarimor [P.nr.1048/2018] të datës 21 tetor 2021 të nxjerrë nga përmbaruesi privat B.B., kundër parashtruesit të kërkesës për mbylljen borxhit prej 640.07 euro në dobi të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike Sh.a. (KESco); dhe (ii) Konkluzion [Cpp.nr.14/20] të 10 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë, përmes të cilit ishte refuzuar e pabazuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për lirim nga pagesa e gradacionit për ankesë. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës vetëm sa ka dorëzuar dokumentet e lartpërmendura por pa artikuluar asnjë ankesë apo pretendimin lidhur me to.
Bazuar në si më sipër, Gjykata duke u mbështetur në Rregulloren e punës, mund ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet pikës (a) paragrafi 2 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, i cili specifikon:
“[...]
(2) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në
qofte se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës ose kërkesave
nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë ose të qartësojë kërkesën;
[...]”
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e 24 prillit 2024 ka dorëzuar Urdhrin Përmbarimor [P.nr.1048/2018] të datës 21 tetor 2021 dhe Konkluzion [Cpp.nr.14/20] të 10 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë, mirëpo në procedurë para Gjykatës nuk ka specifikuar e as saktësuar se cilat të drejta dhe liri themelore i janë cenuar, siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit.
Në këtë kontekst, për Gjykatën është objektivisht e pamundur për të dhënë vlerësim kushtetues kundrejt kërkesës së parashtruesit të kërkesës.
Gjykata përsëritë se barra për te ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, te cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesave nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesit të kërkesës (shih, rastet e Gjykatës, KI13/23, parashtruese Marigona Ðorđević-Jakaj, Vendim për refuzim të kërkesës i 29 gushtit 2023, paragrafi 22; KI08/22, parashtrues Bajram Santuri, Vendim për refuzim të kërkesës, i 6 korrikut 2022, paragrafi 38; dhe KI101/21, parashtrues “N.T.SH. Morina B”, Vendim për refuzim të kërkesës, i 8 shtatorit 2021, paragrafi 36).
Si përfundim, Gjykata, në bazë të nenit 48 të Ligjit dhe pikës (a) të paragrafit 2 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës konstaton se kërkesa është e paplotë dhe e paqartë dhe duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113 (1) dhe (7) të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën me procedurë të shkurtër;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Ismet Arifaj
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës