Prishtinë, më 28 qershor 2024
Nr. ref.: RK 2455/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI182/23
Parashtrues
Bajram Santuri
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së aktit të paspecifikuar
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Bajram Santuri, nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk specifikon se cilin vendim të autoritetit publik e konteston.
Objekti i çështjes
Parashtruesi në kërkesën e tij nuk saktëson se cilat të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) i janë shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 22 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 shtator 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi të: (i) plotësonte formularin e kërkesës; (ii) të specifikonte se cilin vendim të autoritetit publik e konteston; (iii) të saktësonte cilat të drejta dhe liri kushtetuese pretendon se i janë shkelur.
Më 18 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI182/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 21 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës dërgoi një kërkesë në Gjykatë, nëpërmjet së cilës kërkonte sqarime se për cilin rast të tij bëhej fjalë, dhe gjithashtu kërkonte një afat shtesë për plotësimin dhe sqarimin e kërkesës.
Më 29 shtator, 16 tetor, 15 nëntor dhe 23 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesa në Gjykatë edhe katër herë të tjera në të kaluarën.
Në rastin e parë KI63/09, kërkesën e kishte dorëzuar më 15 dhjetor 2009. Gjykata nëpërmjet aktvendimit për papranueshmëri të 6 korrikut 2011, shpalli kërkesën të papranueshme “ratione temporis” dhe “ratione personae” me Kushtetutën.
Në rastin e dytë KI65/14, kërkesën e kishte dorëzuar më 1 prill 2014. Gjykata nëpërmjet aktvendimit për papranueshmëri të 1 korrikut 2014, shpalli kërkesën e papranueshme, një pjesë për shkak të mosshterjes së mjeteve juridike dhe një pjesë për shkak se ishte paraqitur jashtë afatit kohor.
Në rastin e tretë KI134/18, kërkesën e kishte dorëzuar më 28 gusht 2018. Gjykata nëpërmjet Vendimit për refuzim të 16 janarit 2019, refuzoi kërkesën sepse ishte përsëritje e dy kërkesave të para.
Në rastin e katërt KI08/22, kërkesën e kishte dorëzuar më 24 janar 2022. Gjykata nëpërmjet Vendimit për refuzim të 6 korrikut 2022, refuzoi kërkesën sepse ishte e paplotë dhe jo e qartë.
Kjo është kërkesa e pestë që parashtruesi i kërkesës e parashtron në Gjykatë, e regjistruar me nr. KI182/23.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk përmend asnjë pretendim në lidhje me shkeljet eventuale kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta.
Parashtruesi i kërkesës në formularin e kërkesës përshkruan në mënyrë të paqartë shumë pretendime për kryerje të veprave penale dhe shkelje të dispozitave ligjore.
Parashtruesi i kërkesës i përsërit përshkrimet nga rastet e kaluara në Gjykatë.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me nenet 46, 47, 48 të Ligjit, dhe rregullave 54 dhe 74 të Rregullores së punës.
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
Neni 46
[Lejueshmëria]
Gjykata Kushtetuese pranon dhe procedon kërkesën e ngritur sipas nenit 113, paragrafi 7 të Kushtetutës, nëse konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore.
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Rregulli 54
[Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
(2) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës ose kërkesave nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë ose ta qartësojë kërkesën;
[...]
Rregulli 74
[Kërkesa në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 4 6, 47, 48, 49 dhe 50 të Ligjit]
(1) Kërkesa e ngritur sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin (7) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 46 (Lejueshmëria), 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës), 49 (Afatet) dhe 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit.
(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendohet se janë shkelur dhe se cili është akti konkret i autoritetit publik i cili kontestohet.
Gjykata thekson se bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, një kërkesë kushtetuese duhet t’i përmbajë dy elemente: pretendimet faktike dhe argumentet ligjore që i mbështesin ato. Këto dy elemente janë të ndërlidhura njëra me tjetrën sepse faktet e prezantuara duhen parë nën dritën e argumenteve dhe anasjelltas. Të gjitha kërkesat duhet të përmbajnë, ndër të tjera, një përmbledhje të qartë të fakteve dhe shkeljeve të pretenduara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së dhe argumentet përkatëse. Mosrespektimi i këtyre elementeve të kërkesës, mund të rezultojë në mosshqyrtimin e kërkesës nga Gjykata. (rasti i GJEDNJ-së, Rustavi 2 Broadcasting Company LTD dhe të tjerët kundër Gjeorgjisë, nr. 16812/17, aktgjykim i 18 korrikut 2019, paragrafi 244).
Gjykata përsërit se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota dhe nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesës. (Rasti i Gjykatës, KI08/22, parashtrues Bajram Santuri, Vendim për refuzim të kërkesës i 6 korrikut 2022, paragrafët 37-39; KI134/18, parashtrues Bajram Santuri, Vendim për refuzimin e kërkesës i 16 janarit 2019, paragrafi 36; KI48/17, parashtrues Slađana Radojković Marinković, Vendim për refuzim të kërkesës i 14 nëntorit 2017, paragrafi 20-25).
Gjykata vëren se në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar një numër të madh të dokumenteve. Në formularin e kërkesës parashtruesi i kërkesës ka shkruar se nuk konteston një akt të autoritetit publik por shumë akte të autoriteteve publike. Në lidhje me kohën e nxjerrjes së aktit publik që e konteston, parashtruesi ka shkruar se aktet publike janë nxjerrë nga viti 2000 deri në vitin 2023.
Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur akte konkrete të autoriteteve publike të cilat i konteston dhe nuk ka përmbledhur në mënyrë të qartë faktet e rastit. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur pretendime për shkelje kushtetuese dhe as argumente ligjore që do të mbështesnin ato. Kërkesa e parashtruesit është kaotike, e mbushur me dokumente të cilat nuk kanë lidhshmëri logjike njëra me tjetrën dhe e ngjashme me kërkesat e tjera të tij të paraqitura në Gjykatë.
Gjykata thekson se i kishte bërë kërkesë parashtruesit të kërkesës të sqaronte kërkesën e tij, të specifikonte aktin publik që e konteston dhe t’i saktësonte të drejtat kushtetuese që pretendon se i janë shkelur. Parashtruesi i kërkesës nuk e bëri një gjë të tillë edhe pas kërkesës së Gjykatës. Përkundër që dërgoi dokumente shtesë në gjykatë, në kuptimin përmbajtësor nuk ndryshoi asgjë kërkesa e tij.
Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është jo e plotë dhe e paqartë. Rrjedhimisht, bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 54 (2) (a) vendos të refuzojë kërkesën.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 30 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën me procedurë të shkurtër;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin
20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi në momentin e publikimit në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Bajram Santuri
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Vendim për refuzim të kërkesës
Penale