KI83/18, Parashtrues i kërkesës: Ivica Milošević, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-17-0402, të 22 shkurtit 2018
KI83/18, Aktvendim për papranueshmëri i 10 shtatorit 2019, i publikuar më 18 tetor 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, kërkesë për vendosje të masës së përkohshme, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rregullat 32 dhe 56 të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Më 14 shtator 1982, Miroslav Milošević (në tekstin e mëtejmë: babai i parashtruesit të kërkesës) lidhi Kontratën mbi ndërrimin vullnetar të paluajtshmërive [Vr. nr. 3008/82] me Ndërmarrjen Shoqërore KBI „Kosova-export“ (në tekstin e mëtejmë: KBI „Kosova-export“). Objekti i kontratës ishte ndërrimi i ngastrës kadastrale (1338/2) në pronësi të parashtruesit të kërkesës me ngastrën kadastrale (1692/2) në pronësi të KBI „Kosova-export“.
Pas kësaj, KBI „Kosova-export“ në bazë të kontratës në fjalë hyri në posedim të ngastrës nr. 1338/2 dhe e zbatoi ndryshimin e pronësisë në librat kadastral. Megjithatë, babai i parashtruesit të kërkesës nuk e zbatoi ndryshimin e pronësisë në ngastrën nr. 1692/2 në librat kadastral.
Më 10 dhjetor 2012, babai i parashtruesit të kërkesës paraqiti në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së) padinë për anulimin e Kontratës Vr. nr. 3008/82, me propozim që të caktohet masa e përkohshme dhe të parandalohet kështu Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) që të shes pronën në pronësi të KBI „Kosova-export“, konkretisht, ngastrën kadastrale nr. 1338/2.
Më 3 prill 2015, babai i parashtruesit të kërkesës ka ndërruar jetë dhe pas kësaj, në bazë të Aktvendimit mbi trashëgiminë, parashtruesi i kërkesës është shpallur për trashëgimtarin e vetëm.
Kolegji i Specializuar refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e kontratës si të pabazuar për shkak të parashkrimit.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit kundër Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar.
Kolegji i Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e Kolegjit të Specializuar.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta i interpretuan gabimisht faktet dhe ligjin, gjë që shkaktoi shkelje të nenit 46 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar me prova se vendimet e kontestuara shkelin të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se vendimet e gjykatave të rregullta kanë shkaktuar në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj, Gjykata konsideron se në baza kushtetuese, kërkesa është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme.
Ivica Milošević
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile