Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit nr. AC-I-20-0254, të 11 marsit 2021

Nr. të lëndës KI83/21

Parashtruesit: Çerkin Ibishi

Shkarko:

KI83/21, Parashtrues: Çerkin Ibishi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit nr. AC-I-20-0254, të 11 marsit 2021

KI83/21, Aktvendim i 11 majit 2022, publikuar më 3 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, kompensim, zbatim i gabuar i ligjit, e drejta e punës, mbrojtja e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me kontestin civil, përkatësisht me kërkesën monetare për kompensim për shkak të shkëputjes së parakohshme të kontratës së punës nga ndërmarrja shoqërore NSH “Rilindja”. Parashtruesi i kërkesës fillimisht parashtroi kërkesë pranë Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për kompensim për shkak të ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënies së punës, dhe kërkesa e tij është refuzuar për arsye se ndërprerja e marrëdhënies së punës nuk ka ndodhur si rrjedhojë e veprimit të ndërmarrë nga AKP-ja, përkatësisht nuk ka ndodhur për shkak të likuidimit. I pakënaqur me këtë vendim, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), Kolegji i Specializuar i së cilës, përmes Aktgjykimit [C-VI-17-0291] e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi Vendimin [PRN142-0415] e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së. Kundër këtij Aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJ-së, i cili, pas analizimit të pretendimeve të ngritura, e refuzoi ankesën dhe vërtetoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese ngre pretendime për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke arsyetuar se në rastin e tij nuk është dashur të zbatohet Rregullorja e UNMIK-ut dhe rrjedhimisht ai do të duhej të merrte kompensimin monetar për shkak të shkëputjes së parakohshme të kontratës nga NSH “Rilindja”.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), fillimisht rikujton se, përtej pretendimeve për interpretimin e gabuar të ligjit, përkatësisht zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut, parashtruesi i kërkesës nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim dhe zbatim i ligjit nga AKP dhe DHPGJS mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë AKP dhe DHPGJS, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se AKP dhe DHPGJS kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar të njëjtat dhe qartë kanë arsyetuar përse kërkesa e parashtruesit për kompensim nuk është e pranueshme. Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të punës dhe të drejtave pronësore, Gjykata konstatoi se këto pretendime, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së dhe Gjykatës, duhej të ishin shpallur qartazi të pabazuara, sepse, sipas vlerësimit të Gjykatës, nuk është e mjaftueshme që parashtruesit e kërkesës, vetëm t’u referohen neneve përkatëse pa shtjelluar tutje se si dhe përse janë shkelur ato nene specifike.

Rrjedhimisht dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e kolegjeve të DHPGJS, të gjitha parashtrimet dhe përfundimet e lartcekura, konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar të ligjit, përkatësisht për zbatim të Rregullores së UNMIK-ut, i përkasin kategorisë së parë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”, andaj, si të tilla, duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese; si dhe që pretendimet për shkeljen e “të drejtës së punës” dhe të drejtës “për mbrojtje të pronës” i përkasin kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, këto pretendime, si të tilla, duhet të shpallen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, është deklaruar e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Çerkin Ibishi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile