KI15/19, Parashtrues i kërkesës: Shemsi Ferizi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë NJN. Nr. 157/2017, i 13 prillit 2018
KI15/19, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2020, i publikuar më 28 tetor 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, bashkëpunim ndërkombëtar, konvertim i dënimit, çështje penale, ligji më i favorshëm, ratione materiae, kërkesë e papranueshme
Në rastin konkret, Gjykata Penale në Basel-Zvicër kishte dënuar parashtruesin e kërkesës me burgim të përjetshëm për shkak të veprës penale të vrasjes dhe vrasje e shumëfishtë në tentativë. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë tek autoritetet zvicerane për transferim dhe vuajtje të dënimit në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
Bazuar në kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe të autoriteteve zvicerane, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për ndërmarrjen e veprimeve lidhur me transferimin e parashtruesit të kërkesës nga institucionet korrektuese të Zvicrës për në Institucionin Korrektues të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë nxori vendim për konvertim të dënimit me burg të përjetshëm të parashtruesit të kërkesës të shqiptuar nga Gjykata Penale në Basel. Ky vendim ishte i formës së prerë dhe se nuk lejohej ankesë ndaj tij.
Në Gjykatën Kushtetuese parashtruesi i kërkesës, mes tjerash, pretendoi shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 2 të Protokollit Nr. 7 (E drejta e apelit në çështjet penale) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ). Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të neneve 8 dhe 11 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut.
Si çështje paraprake në këtë rast, Gjykata është dashur të vërtetojë datën se kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Duke qenë se as Gjykata Themelore në Prishtinë dhe as Ministria e Drejtësisë nuk mund ta vërtetonin me saktësi se kur ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar, Gjykata duke marrë parasysh seriozitetin e rastit vendosi që kërkesën ta vlerësojë se është paraqitur brenda afatit ligjor katër (4) mujor, në mënyrë që të shmanget interpretimi i rreptë i rregullave procedurale dhe qasja në drejtësi.
Gjykata përfundon se konvertimi i dënimit dhe transferimi i parashtruesit të kërkesës është zbatuar në pajtim me testin e GJEDNJ-së të përdorur në rastin Grori kundër Shqipërisë, sepse: (i) parashtruesi ka dhënë pëlqimin e tij për transferim dhe konvertim të dënimit; dhe (ii) transferimi dhe konvertimi i dënimit të parashtruesit të kërkesës është zbatuar në bazë të nenit 65 të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale; dhe, (iii) Marrëveshjen Ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane mbi transferimin e personave të dënuar.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata vërejti se gjykata themelore gjatë procedurës së konvertimit të dënimit nuk ka përcaktuar të drejtat dhe detyrimet civile dhe as bazueshmërinë e akuzës penale në ngarkim të parashtruesit të kërkesës veçse iu është përmbajtur konstatimeve të paraqitura nga shteti dënues (shih neni 65 i Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale Nr. 04/L-213). Bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, procedurat lidhur me ekzekutimin e dënimit nuk mbulohen nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm është i papajtueshëm ratione materiae me dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të KEDNJ-së, nenin 2 të Protokollit Nr. 7 [E drejta e apelit në çështjet penale] të KEDNJ-së dhe nenin 8 [pa titull] të DUDNJ-së, Gjykata vërejti se vetëm shteti dënues ka të drejtë të vendosë mbi aplikimin e rishqyrtimit të dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë ka kompetencë lidhur me procedurën e ekzekutimit të dënimit dhe se vendimi i saj nuk mund të ankimohet. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se parashtruesit nuk i është cenuar e drejta në ankesë sepse atij i është mundësuar dhe në të vërtetë ka dorëzuar kërkesë kushtetuese në këtë Gjykatë, që është autoritet kompetent për të vlerësuar substancën e ankesave të parashtruesit të kërkesës. Gjykata shtoi se E drejta për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe për një mjet efektive juridik nuk ofron garanci për rezultat të favorshëm për parashtruesin e kërkesës dhe se mjeti efektiv juridik në kontekst të nenit 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, nuk nënkupton një mjet të suksesshëm juridik, por thjesht një mjet të qasshëm para një autoriteti kompetent për vlerësim në substancë të ankesave të parashtruesit të kërkesës.
Ndërsa sa i përket pretendimit për zbatim të ligjit më të favorshëm, Gjykata vlerësoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës se ish ligji i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës është më i favorshëm në rastin e tij, është pretendim qartazi i pabazuar duke pas parasysh se për veprën në fjalë parashihej edhe dënimi me vdekje.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi që kërkesa në baza kushtetuese, duhet të refuzohet e papranueshme siç përcakton neni 113 (7) i Kushtetutës, parashikojnë nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe siç specifikohet më tej me rregullin 39 (2) dhe (3) (b) të Rregullores së punës.
Shemsi Ferizi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale