Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 409/2020], të 28 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI14/22

Parashtruesit: Shpresa Gërvalla

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 6​​ prill​​ 2023

Nr.ref.:AGJ​​ 2148/23

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

 

 

 

 

 

 

AKTGJYKIM

 

 

rastin nr. KI14/22

 

parashtruese

 

Shpresa Gërvalla

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ 

Aktgjykimit​​ Rev. nr. 409/2020​​ ​​ 28 shtatorit 2021​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Shpresa Gërvalla, e përfaqësuar me autorizim nga Ymer Bardhi, avokat në Zyrën Juridike “Bardhi dhe Partnerët”, Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).

 

 

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesja e kërkesës e konteston Aktgjykimin Rev. nr. 409/2020 të 28 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saja të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit ] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenet 1 dhe 2 ​​ të Konventës Ndërkombëtare për të Gjitha Format e Diskriminimit Racor, si dhe nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së. ​​ 

 

Baza juridike​​ 

 

  •  ​​​​ Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin​​ 32 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatë​​ 

 

  • Më 27 janar 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në​​ Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 10 shkurt 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH 14/22], e caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha.

 

  • Më 14 shkurt 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi​​ Gjykatën Supreme dhe Raiffeisen Bank J.S.C. në cilësinë e palës së kundërshtuar​​ për regjistrimin e kërkesës.

 

  • Më 8 dhjetor 2022, Gjykata shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri vendosi që shqyrtimin e kërkesës pas plotësimeve shtesë ta shtyjë për një seancë tjetër të radhës.​​ 

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më​​ 23 shkurt 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga​​ gjyqtarja​​ raportuese​​ dhe njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata​​ me shumicë​​ votash​​ vendosi​​ që: (i) të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë se​​ Aktgjykimi [Rev.nr.409/2020]​​ i 28 shtatorit 2021 i Gjykatës Supreme​​ nuk është në përputhshmëri​​ me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së; (iii) të​​ deklarojë​​ të​​ pavlefshëm Aktgjykimin [Rev.nr.409/2020]​​ të​​ 28 shtatorit 2021,​​ të​​ Gjykatës Supreme;​​ dhe (iv) të​​ kthejë​​ Aktgjykimin​​ [Rev.nr.409/2020]​​ të​​ 28 shtatorit 2021 të​​ Gjykatës Supreme​​ për rivendosje në​​ pajtim me​​ Aktgjykimin e Gjykatës.​​ 

 

  • Në përputhje me rregullin 61 (Mendimet mospajtuese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim mospajtues, i cili do të publikohet së bashku më këtë Aktgjykim.

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Më 18 nëntor 2011, parashtruesja e kërkesës duke kryer detyrat e saja të punës si arkëtare e divizionit të KEK-ut, dega në Fushë-Kosovë, si rezultat i rrëzimit të saj në shkallët e objektit Raiffeisen Bank, dega në Fushë-Kosovë mori lëndime trupore.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës kundër Raiffeisen Bank paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), ​​ përmes të cilës kërkoi dëmshpërblim për lëndimin e pësuar në objektin e Raiffeisen Bankës.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, Raiffeisen Bank, në cilësinë e palës së paditur parashtroi përgjigje ndaj padisë së parashtrueses së kërkesës, përmes të cilës kërkoi që padinë e saj ta refuzojë si të pabazuar, pasi që aksidenti i pësuar nga parashtruesja e kërkesës nuk kishte ndodhur në vendin e saj të punës.

 

  • Më 4 janar 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3134/11]:​​ 

 

  • Aprovoi pjesërisht padinë e parashtrueses së kërkesës dhe “për lëndimin e pësuar në vendin e punës [më 6 shkurt 2012] për 70 % të përgjegjësisë”​​ si kompensim për dëmin jo-material, obligoi Raiffeisen Bank t'ia paguajë asaj shumat si në vijim: 7. 000 euro si kompensim për dhimbje të përjetuara fizike; 8,400.00 euro kompensim për frikën e shkaktuar; 2,450.00 euro kompensim për shëmtim trupor; dhe 3,500.00 euro kompensim për shkak të kufizimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor;

  • Refuzoi padinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar “përtej​​ shumave të gjykuara si në pikën një të dispozitivit”, përkatësisht refuzoi kërkesat e saja për kompensim: në shumë ​​ prej 12,000.00 euro për frikën e shkaktuar; në shumë prej 10,000.000euro ​​ për dhimbjet e shkaktuara fizike; në shumë prej 3,500.00 euro për shëmtim trupor; shumën prej 1,500.00 euro për shkak të kufizimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor; shumën prej 1,500.00 euro për ndihmë nga personi i tretë; shumën prej 3,000.00 euro për ushqim të përforcuar dhe shumën prej 2,000.000 euro për rehabilitim klimaterik; dhe​​ 

  • Detyroi Raiffeisen Bank që parashtrueses së kërkesës për pjesën e aprovuar të kërkesëpadisë t’ia paguaj asaj edhe kamatën vjetore ligjore, duke filluar nga [4 janari 2017] e deri në pagesën e plotë, si dhe shpenzimet e procedurës në lartësi prej 1,750.00 euro.

 

  • Gjykata Themelore si rezultat i administrimit të provave të paraqitura para kësaj gjykate konstatoi se:​​ “Nuk ka qenë kontestuese se [parashtruesja e kërkesës] me datë 18.11.2011, është lënduar gjatë orarit të rregullt të punës në shkallët e objektit të të paditurës, mirëpo kontestuese ka qenë përgjegjësia për lëndimin. Me provat e administruara siç është fletëparaqitja e fatkeqësisë në punë e datës 22.11.2011 gjykata ka gjetur se me datë 18.11.2011, përderisa [parashtruesja e kërkesës] ishte duke kryer detyrat e punës si arkëtare në Distriktin e Prishtinës në Fushë-Kosovë si punëtore në marrëdhënie të rregullt pune në KEK Divizioni i Furnizimit në Prishtinë, me ç’ rast është lënduar duke zbritur në shkallët e jashtme të ndërtesës së Raiffeisen Bankës, dega në Fushë-Kosovë, ku me këtë rast ka rrëshqitur dhe është rrëzuar ku edhe ka pësuar lëndime. Gjykata për​​ të vërtetuar shkaqet që kanë sjellë deri te lëndimi i [parashtrueses së kërkesës] në vendin e saj të punës në cilësinë e provës materiale ka nxjerrë ekspertizën e mbrojtjes në punë e datës 19.07.2015 të punuar nga eksperti [H.N]. Eksperti i mbrojtjes në punë ka vlerësuar se konstruksioni i shkallëve shihet se ka qenë i punuar me dimensione standarde, por sipërfaqja horizontale e shkallës ku shkelë këmba me këpucë ka qenë e rrëshqitshme, andaj i padituri [Raiffeisen Bank] ka qenë i i obliguar që të krijoj kushte për siguri gjatë lëvizjes së njerëzve nëpër shkallë. ​​ I padituri [Raiffeisen Bank] nuk ka bërë vlerësimin e hollësishëm mbi rrezikun e mundshëm gjatë ndikimit të të reshurave atmosferike për ndërmarrjen e masave të nevojshme për të mos ardhur deri te rrëshqitja e njerëzve gjatë lëvizjes nëpër shkallë. Eksperti ka shtuar se çdo herë kur ekzistojnë këto kushte atmosferike është rregull që të vendoset çdo herë shenja hyrje - dalje të objektit për të shtuar kujdesin gjatë ecjes. Ka konstatuar se për siguri gjatë ecjes nuk mjafton vetëm në pjesën horizontale para hyrjes të vendoset shtresa e gomës me sipërfaqe dhe trashësi të cekur, porse duhet përfshirë të gjitha shkallët sepse në këtë rast se [parashtruesja e kërkesës] nuk ka rrëshqitur në pjesën horizontale hyrje-dalje por ka rrëshqitur duke zbritur nëpër shkallë dhe se lëshimet e të paditurës kanë qenë sepse nuk ka marrë masat e nevojshme për të mos ndodhur rrëshqitja e njerëzve në kushte të ndikimit të të ​​ reshurave atmosferike, kurse lëshimet e [parashtrueses së kërkesës] janë sepse nuk ka qenë mjaft e vëmendshme gjatë zbritjes nëpër shkallë sepse duke zbritur shkallëve nuk i ka shfrytëzuar gilinderat në njërën anë ose tjetrën për t’u mbajtur me dorë. Andaj, bazuar në këto gjetje eksperti ka konstatuar se e paditura mbanë përgjegjësi primare dhe paditësja mbanë përgjegjësi sekondare.

 

  • Si pasojë e vërtetimit të gjendjes së lartcekur faktike nga ana e Gjykatës Themelore, kjo e fundit konstatoi se kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës që ndërlidhet me përgjegjësinë e Raiffeisen Bank dhe detyrimin për ta kompensuar atë për lëndimet e mbështetë në nenet 173 dhe 174, në lidhje me nenin 192, paragrafin 1 të ​​ Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Rrjedhimisht, Gjykata Themelore konstatoi se Raiffeisen Bank, në cilësinë e palës së paditur është përgjegjëse për kompensimin e dëmit të parashtrueses së kërkesës “në shkallë prej 70 %, ngase nga provat e administruara gjykata gjeti se në rastin konkret ekziston përgjegjësia e ndarë në mes të parashtrueses së kërkesës dhe [Raiffeisen Bank]. ​​ 

 

  • Në një datë të pasaktësuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, Raiffeisen Bank paraqiti padi në Gjykatën e Apelit për shkak të​​ shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.​​ Parashtruesja e kërkesës ndaj ankesës së Raiffeisen Bank nuk paraqiti përgjigje.

 

  • Më 24 shkurt 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1034/17]:

 

  • Refuzoi si të pathemeltë ankesën e Raiffeisen Bank, vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore por ndryshoi këtë të fundit sa i përket pjesës së kamatës ligjore duke vendosur që “gjykohet me kamatë ligjore, sikurse për mjetet ​​ e deponuara në bankat komerciale të Kosovës, në afat mbi një vit, pa destinim të caktuar, duke filluar nga dita e marrjes së aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, e deri në pagesën definitive”.

 

  • Aprovoi pjesërisht si të themeltë ankesën e Raiffeisen Bank dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore ​​ në pikën I të dispozitivit të këtij aktgjykimi, duke e detyruar Raiffeisen Bank që parashtrueses së kërkesës​​ “në emër të dëmit jo material, t'ia kompensojë shumat si në vijim: për dhimbje fizike, shumën prej 3,500.00 €, për frikë, shumën prej 3,200,00 € dhe për shëmtim trupor, shumën prej 1,200.00 €, me kamatë ligjore, sikurse për mjetet e deponuara në bankat komerciale të Kosovës, në afat mbi një vit, pa destinim të caktuar, duke filluar​​ nga dita e marrjes se aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, e deri në pagesën definitive, të gjitha këto, në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit”.

 

  • Refuzoi si të pathemeltë kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës sa i përket shumave të gjykuara sipas pikës II të Aktgjykimit; dhe

 

  • Pika II e dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore “që ka të bëjë me pjesën e refuzuar të kërkesëpadisë së [parashtrueses së kërkesës] mbetet e pashqyrtuar”.

 

  • Gjykata e Apelit sa i përket pjesës së vërtetuar në pikën I të dispozitivit të kësaj gjykate vlerësoi se qëndrimi juridik i Gjykatës Themelore është i ​​ drejtë dhe i bazuar në ligj dhe se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje​​ thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, par. 2, pikat (b), (g), 0), (k) dhe (m) i Ligjit të Procedurës Kontestimore e as më zbatim të gabuar të së drejtës materiale: “përveç pjesës së ndryshuar, për të cilën është ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, gabimisht e ka zbatuar të drejtën materiale, për çka edhe ajo pjesë e dispozitivit të aktgjykimit të atakuar, është dashur të ndryshohet”.

 

  • Gjykata e Apelit sa i përket bazës ligjore të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës konstatoi se​​ “[...] ashtu siç​​ rezulton nga shkresat e lëndës, si dhe arsyetimi i dhënë në aktgjykimin e atakuar, një bazë e tillë është vërtetuar në bazë të provave adekuate, konkretisht, me anë të ekspertizës së mbrojtjes në punë, të datës 19.07.2015, të punuar nga eksperti [H.N], e cila gjendet në shkresat e lëndës, e cila është sqaruar siç duhet edhe në pjesën arsyetuese të aktgjykimit të atakuar, sa i përket përfundimit të nxjerrë lidhur me përgjegjësinë objektive në shkallën prej 70% të [Raiffeisen Bank] ​​ (sipas nenit 154, parag.2 dhe 3 të LMD-së që ka qenë në fuqi në kohën e shkaktimit të aksidentit në punë). Një ekspertizë të tillë, [Gjykata Themelore] e ka caktuar në pajtim me dispozitat e nenit 356 (e më tutje), të LPK-së dhe të thënat në të, janë marrë si të mirëqena nga gjykata, sipas bindjes së lirë, vlerësim ky, që në mungesë edhe të ndonjë prove apo konstatimi tjetër profesional që do ta përjashtonte tërësisht përgjegjësinë objektive [Raiffeisen Bank] për incidentin e ndodhur, vlerësohet si i drejtë dhe i ligjshëm nga kjo Gjykatë e shkallës së dytë”.

 

  • Sa i përket shumave të kompensimit për​​ dhimbjet fizike, frikën dhe shëmtimin trupor​​ Gjykata e Apelit aprovoi pjesërisht si të bazuar ankesën e Raiffeisen Bank dhe për pasojë ndryshoi shumën e vendosur nga Gjykata Themelore, duke arsyetuar se “[...]​​ të njëjtat, janë vlerësuar si shumë të larta, për të përmbushur qëllimin e satisfaksionit material të palës së dëmtuar”.​​ Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore nuk ka aplikuar si duhet nenin 200, paragrafin 2 të LMD-së. Në kontekst të kësaj të fundit, ​​ Gjykata e Apelit vlerësoi se​​ “kompensimi duhet të jetë adekuat me natyrën e lëndimit, intensitetin dhe kohëzgjatjen e dhimbjeve të përjetuara, si dhe frikës së palës së dëmtuar, ashtu që kompensimi të përfaqësojë një lehtësim në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të dëmit që në këtë rast [parashtruesja e kërkesës] ka pësuar në aksidentin e ndodhur, e që në të njëjtën kohë, ato të jenë reale dhe të paraqesin satisfaksion të vërtetë, për aq sa është e mundur, duke u shkuar për shtati synimeve shoqërore për kompensimin e dëmit”.

 

  • Më 10 qershor 2020, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Raiffeisen Bank paraqiti revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljes së dispozitave kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Raiffesien Bank përmes revizionit të parashtruar në Gjykatën Supreme, ndër tjerash pretendoi se “E paditura Raiffeisen Bank J.5.C konsideron se Aktgjykimi i goditur​​ përmes këtij revizioni është nxjerrë në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe atë në kuptim të nenit 182.2 n) të LPK-së, i cili përcakton qartë që shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:​​ "në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në te nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit". Duke qenë se Gjykata në të dy instancat ka përshkruar dhe trajtuar vetëm provat e paraqitura nga ana e palës paditëse ndërsa në të njëjtën kohë i shpërfillë krejtësisht duke mos i përmendur fare faktet dhe provat e paraqitura nga e paditura, aktgjykimet kanë përmbajte të njëanshme dhe kontradiktore me vet përmbajtjen e lëndës”.

 

  • Më 27 gusht 2020, parashtruesja e kërkesës paraqiti përgjigje ndaj revizionit të parashtruar nga Raiffeisen Bank duke i kontestuar pretendimet e paraqitura në revizion, me propozimin që i njëjti të hedhet poshtë.

 

  • Më 28 shtator 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 409/2020] pranoi si të bazuar revizionin e Raiffeisen Bank dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës.

 

  • Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj nuk e pranoi si të bazuar qëndrimin juridik të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit sa i përket​​ aprovimit të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, përkatësisht neneve ​​ 173 dhe 174 në lidhje me nenin 192, paragrafin 1 të LMD-së.

 

  • Në lidhje me konstatimin e lartcekur të saj, Gjykata Supreme arsyetoi se:

 

Gjykata Supreme nga shkresat e lëndës ka gjetur, se [Gjykata Themelore] dhe [Gjykata e Apelit] bazuar në provat e administruara, mbi gjendjen faktike të vërtetuar, në mënyrë të gabuar kanë aplikuar të drejtën materiale, duke e aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e [parashtrueses së kërkesës], dhe duke e detyruar [Raiffeisen Bank] që [parashtrueses së kërkesës] t’ia kompensoj dëmin [...].​​ 

Vlerësimi i gabuar i gjendjes faktike të vërtetuar [Gjykata Themelore] dhe [Gjykata e Apelit], konsiston në vlerësimin e gabuar të provave të administruara, kjo për faktin se [Gjykata Themelore] me rastin e aprovimit të pjesshëm të ​​ kërkesëpadisë, dhe [Gjykata e Apelit] duke vepruar sipas ankesës, sa i përket vërtetimit të faktit nëse ekziston përgjegjësia dhe detyrimi i [Raiffeisen Bank] që [parashtrueses së kërkesës] t'ia kompensoj dëmin e pësuar me datë 18.11.2011, ku [parashtruesja e kërkesës] duke zbritur në shkallët e jashtme të ndërtesës së Raiffeisen Bank, dega në Fushë-Kosovë, ka rrëshqitur dhe është rrëzuar, dhe ka pësuar lëndime trupore, në momentin e rrëzimit ishte duke kryer detyrat e punës si arkëtare në Distriktin e Prishtinës në Fushë-Kosovë si punëtore në marrëdhënie të rregullt pune në KEK Divizioni i Furnizimit në Prishtinë, aktgjykimin e ka bazuar në mendimin e dhënë nga eksperti i mbrojtjes në punë [H.N], e cila ekspertizë në këtë rast nuk ka qenë e nevojshme”.

 

  • Gjykata Supreme, në vijim konsideroi se:​​ Gjykata Supreme vlerëson se në rastin konkret nuk është vërtetuar përgjegjësia e [Raiffeisen Bank] në raport me lëndimet e marra nga [parashtruesja e kërkesës], kjo për faktin se në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë raport të policisë për të përshkruar aksidentin e ndodhur, apo raport të inspeksionit komunal, me të cilin do të krijohej një pasqyrë mbi faktet që do të ishin të​​ rëndësishme për aksidentin siç janë nëse ditën kritike ka pasur të reshura atmosferike, ngrica, dhe cila ka qenë gjendja e shkallëve në të cilat ka ndodhur aksidenti, dhe nëse e paditura ka pasur ndonjë lëshim me të cilin është kontribuar në shkaktimin e aksidentit, po ashtu nuk është bërë sigurimi i marrjes së provës menjëherë pas ndodhjes së aksidentit, ndërsa pas ndryshimit të gjendjes faktike, me ndërrimin e gjendjes së shkallëve, fakt që nuk është kontestues nga deklarimet e palëve si në shkresat e lëndës, është e pamundur të jepet një mendim objektiv nga cili do ekspert, lidhur me rrethanat e ndodhjes së aksidentit, dhe në rastin konkret edhe vërtetimin e përgjegjësisë së të paditurës në shkaktimin e dëmit. Edhe nëse e marrim parasysh ekspertizën e ekspertit të mbrojtjes në punë [H.M], e cila gjendet në shkresat e lëndës, mendimi i dhënë nga ky ekspert është ndërtuar në hipoteza dhe jo mbi gjendjen faktike, pasi edhe vet eksperti në ekspertizë me shkrim dhe me deklarimin në seancë, deklarohet se pllakat e shkallëve janë ndërruar pas ndodhjes së aksidentit, dhe në të njëjtën kohë deklaron se përgjegjësia e të paditurës rrjedh pasi shkallët kanë qenë të rrëshqitshme, ndonëse nuk ka dhënë asnjë arsye se si ka ardhur deri te ky përfundim, të cilin kjo gjykatë nuk mund ta pranoj”.

 

  • Në vijim, Gjykata Supreme po ashtu vlerësoi se:​​ “[...] me të njëjtat prova nuk është vërtetuar fakti qenësor se e paditura është përgjegjëse për shkaktimin e dëmit, nga e cila përgjegjësi edhe do të ekzistonte edhe detyrimi për kompensimin e dëmit, dhe në këtë mënyrë aktgjykimet e dy instancave më të ulëta në mënyrë të gabuar janë bazuar në dispozitat e nenit 173 dhe 174 e lidhur me nenin 192 par 1, të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve”.

 

  • Gjykata Supreme konkludoi se​​ “ [...] nga provat e administruara në këtë çështje, dhe nga shkresat e lëndës gjen se nuk është provuar bazueshmëria e kërkesëpadisë së [parashtrueses së kërkesës], andaj edhe nuk ka bazë për të aprovuar kërkesëpadinë, kjo për faktin se në bazë të provave të administruara nuk është provuar përgjegjësia objektive e [Raiffeisen Bank] në shkaktimin e lëndimeve të [parashtrueses së kërkesës]. [...] bazuar në nenin 319, par. 1 , të Ligjit të procedurës kontestimore, në bazë të cilit, secila palë ka për detyrë të provojë faktet mbi të cilat i bazon kërkimet dhe pretendimet e veta, si dhe nenit 322 të LPK-së, në bazë të së cilit në qoftë se gjykata në bazë të provave të marra, nuk mund të konstatojë me siguri ndonjë fakt, për ekzistimin e faktit do të përfundojë duke i aplikuar rregullat për barrën e provave, në rastin konkret gjykata ka refuzuar kërkesën e paditëses si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, në mungesë të ekzistimit të provave të cilat do të provonin bazueshmërinë e kërkesëpadisë të refuzuar të [parashtrueses së kërkesës]”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të saja themelore të garantuara me​​ nenet 3 [Barazia para Ligjit ] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së dhe nenet 1 dhe 2 të Konventës Ndërkombëtare për të Gjitha Format e Diskriminimit Racor, si dhe nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për Zgjidhje Efektive) të KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesja e kërkesës në vijim duke iu referuar nenit 214, paragrafit 2 të LPK-së thekson se revizioni nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike. Në kontekst të kësaj, parashtruesja e kërkesës arsyeton se Gjykata Supreme, Aktgjykimin e saj të kontestuar​​ “e mbështet bazuar mu në gjetjet gjoja të gabuara të gjykatave të rregullta të dy instancave, sa i përket vërtetimit të faktit apo jo të plotë të gjendjes faktike, me konstatimin e prerë nëse ekziston apo jo përgjegjësia​​ dhe detyrimi e palës së paditur që [parashtrueses së kërkesës] t'ia kompensoj dëmin material dhe dëmin jo material të pësuar në aksidentin e datës 18.11.2011”.

 

  • Në lidhje me vendimin e Gjykatës Supreme përmes të cilit janë ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, parashtruesja e kërkesës thekson si në vijim:​​ “Gjykata Supreme me aktgjykimin e kundërshtuar jep shpjegime që në kuptimin juridik vënë në pikëpyetje legjitimitetin pasiv të palës së paditur në këtë kontest civil, atëherë, shtrohet pyetja: cila ka qenë pengesa juridike që Gjykata Supreme Revizionin ta PRANOJ si të bazuar, aktgjykimet e dy instancave të gjykatave të rregullta t’i NDRYSHOJ dhe lënda t’i kthehej gjykatës të shkallës së parë për RISHQYRTIM dhe RIVENDOSJE, dhe kështu [parashtrueses së kërkesës] t’i jepej mundësia për ndërmarrje veprimesh të domosdoshme për precizim kërkesëpadie, dhe atë si në aspektin subjektiv njashtu edhe në aspektin objektiv”.

 

  • Në vijim, parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në​​ “kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare dhe deklaratën universale të të drejtave të njeriut, si dhe ligjet kundër Diskriminimit në Republikën e Kosovës”.

 

  • Tutje, parashtruesja e kërkesës thekson se Raiffeisen Bank asaj i ka shkaktuar dëm të pariparueshëm material dhe jo-material.

 

  • Në fund, parashtruesja e kërkesës rithekson se​​ “është e bindjeve se aktgjykimi i goditur ngërthen në veti elaborim dhe gjykim të çështjes që ka të bëjë me konstatim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike për çka ​​ REVIZIONI nuk është i lejuar [...]”.​​ 

 

  • Tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon se​​ “rasti i këtij Aktgjykimi paraqet jo siguri juridike dhe humbje besimi në gjyqësor, sikundër që nuk do ishte as praktikë e mirë gjyqësore që Aktgjykimi i goditur të përdoret më tej si burim që ndihmon gjykatat e rregullta

që të interpretojnë në mënyrë të duhur normën ligjore, zhvillimin e procesit gjyqësor dhe ​​ kualifikimin e fakteve të secilit rast në mënyrë adekuate, krejt këtë me qëllim rritje besueshmërie në gjyqësor dhe sigurie juridike përgjithësisht, si dhe të vlej edhe si rekomandim që udhëzon gjyqtarët për standardet që do të garantohen nga ana e gjykatave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore të kësaj natyre dhe të ngjashme”.

 

  • Përfundimisht, parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata që të aprovojë kërkesën e saj të parashtruar në Gjykatë.

 

Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 24

​​ [Barazia para Ligjit]

 

“1.Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

 

2.Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

 

3.Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato”.

 

Neni 31​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

 

 

Neni 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ 

 

“Çdokush ​​ gëzon ​​ ​​ drejtën ​​ e ​​ mbrojtjes ​​ gjyqësore ​​ ​​ rast ​​ ​​ shkeljes ​​ ose ​​ mohimit ​​ ​​ ndonjë ​​ ​​ drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.

[...]

 

Neni 13

(E drejta për zgjidhje efektive)

 

“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare”.

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ [...]

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 182

(pa titull)​​ 

 

​​ 182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në qoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundur të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.

​​ 182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:

[...]

n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;

[...]

 

KREU XIV

​​ MJETET E JASHTËZAKONSHME TË GODITJES​​ 

REVIZIONI

 

​​ Neni 211​​ 

(pa titull)​​ 

 

 

211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.​​ 

[...]

Neni 212​​ 

(pa titull)​​ 

 

 

Për revizionin vendos Gjykata Supreme e Kosovës.​​ 

 

[...]

Neni 214​​ 

(pa titull)​​ 

 

 

214.1 Revizioni mund të paraqitet:

​​ a) për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 188 i këtij ligji e cila është bërë në procedurën e gjykatës së shkallës së dytë;

​​ b) për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale;​​ 

c) për shkak të tejkalimit të kërkesëpadisë, po që se kjo parregullsi është bërë në procedurën e zhvilluar në gjykatën e shkallës së dytë.​​ 

214.2 Revizioni nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

​​ 214.3 Kundër aktgjykimit të dhënë në procedurën e shkallës së dytë, me të cilin vërtetohet aktgjykimi në bazë të pohimit, revizioni mund të paraqitet vetëm nga shkaqet e përmendura në paragrafin 1 pika a) dhe b) dhe paragrafin 2 të këtij neni.​​ 

214.4 Kundër aktgjykimit të shkallës së dytë me të cilin vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë, revizioni nuk lejohet për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore nga paragrafi 1​​ pika a) e këtij neni, po që se ekzistimi i tyre nuk është përmendur fare në ankesë, përveç se kur është fjala për shkeljet për​​ të cilat kujdeset sipas detyrës zyrtare vet gjykata e shkallës së dytë dhe ajo e revizionit.

 

[...]

 

Neni 215

(pa titull)​​ 

 

​​ Gjykata e revizionit e shqyrton aktgjykimin e goditur vetëm në pjesën e tij të goditur me anë të revizionit dhe vetëm brenda kufijve të shkaqeve të treguara në revizion, por duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare për zbatimin e drejtë të së drejtës materiale dhe për shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore që kanë të bëjnë me zotësinë për të qenë palë dhe përfaqësimin e rregullt.

 

Neni 224

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ (pa titull)​​ 

 

 

224.1 Në qoftë se gjykata e revizionit konstaton se e drejta materiale është zbatuar gabimisht, me aktgjykim e aprovon revizionin e paraqitur dhe e ndryshon aktgjykimin e goditur.​​ 

224.2 Po që se gjykata e revizionit konstaton se për shkak të zbatimit të gabueshëm të së drejtës materiale, apo për shkak të shkeljeve të rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe se për këtë arsye nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimin e aktgjykimit të goditur, atëherë ajo me aktvendim e aprovon revizionin dhe e anulon pjesërisht apo tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, apo vetëm aktgjykimin e shkallës së dytë, dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjyqtarëve të njëjtë apo të tjerë të gjykatës të shkallës së parë apo të dytë.​​ 

 

LIGJI PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

[ I SHPALLUR MË 30 MARS 1978]

 

Nënpjesa 5

PËRGJEGJËSIA PËR DËMIN NGA SENDI I RREZIKSHËM OSE NGA VEPRIMTARIA E RREZIKSHME

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 173

(Prezumimi​​ i kauzalitetit)

 

Dëmi i lidhur me sendin e rrezikshëm, respektivisht me veprimtarinë e rrezikshme konsiderohet se rrjedh nga ky send respektivisht nga kjo veprimtari me përjashtim në qoftë se provohet se ato nuk kanë qenë shkak i dëmit.

 

Neni 174

(Kush përgjigjet për dëmin)

 

Për dëmin nga sendi i rrezikshëm përgjigjet zotëruesi i saj kurse për dëmin nga veprimtaria e rrezikshme përgjigjet personi që merret me të.

Zotërues konsiderohet poseduesi i sendit, si dhe personi shoqëror juridik që ka të drejtë disponimi, respektivisht të drejtë shfrytëzimi të përkohshëm.

 

[...]

 

II. VËLLIMI I KOMPENSIMIT TË DËMIT MATERIAL

[...]

 

Neni 192

(Përgjegjësia e pjesëtuar)

 

I dëmtuari i cili ka kontribuar që dëmi të krijohet ose të jetë më i madh nga sa do të ishte zakonisht, ka të drejtë vetëm për kompensim përpjesëtimisht të pakësuar.

Kur është e pamundur të vërtetohet se cila pjesë e dëmit rezulton nga veprimi i dëmtuesit, gjykata do të gjykojë kompensimin duke pasur parasysh rrethanat e rastit.

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

         

  • Gjykata​​ së pari​​ shqyrton​​ nëse​​ janë​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë​​ të​​ përcaktuara me​​ Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me​​ Ligj dhe​​ Rregullore të​​ punës.

 

  • Në këtë​​ drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese​​ vendos​​ vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

​​ […]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata, më tej, i​​ referohet​​ neneve 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët​​ përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast​​ se​​ pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.​​ 

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

​​ [Afatet]

 

Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]

 

  • Për​​ sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesja e​​ kërkesës​​ është palë e autorizuar; konteston​​ Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr.​​ 409/2020] të 28 shtatorit 2021; ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës.​​ 

 

  • Për më tepër dhe në fund, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar siç është e përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.

 

Meritat e kërkesës​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesja e kërkesës, e punësuar​​ si​​ arkëtare e divizionit të KEK-ut, dega në Fushë-Kosovë, më 18 nëntor​​ 2011​​ gjatë orarit të saj të punës,​​ si rezultat i rrëzimit të saj në shkallët e objektit​​ të​​ Raiffeisen Bank, dega në Fushë-Kosovë kishte marrë lëndime trupore. Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës kundër Raiffeisen Bank paraqiti padi në​​ gjykatën kompetente​​ përmes të cilës kërkoi dëmshpërblim për lëndimin trupor. Më 4 janar 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3134/11] aprovoi pjesërisht padinë e parashtrueses së kërkesës ​​ dhe “për lëndimin e pësuar në vendin e punës për 70 % të përgjegjësisë” si kompensim ​​ për dëmin jo-material, obligoi Raiffeisen Bank t'i paguajë asaj shumat si në vijim: 7, 000.00 euro si kompensim për dhimbje të përjetuara fizike; 8,400.00 euro kompensim për frikën e shkaktuar; 2,450.00 euro kompensim për shëmtim trupor; dhe 3, 500.00 euro kompensim për shkak të kufizimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor dhe refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë së saj. Si rezultat i ankesës së Raiffeisen Bank të parashtruar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes​​ Aktgjykimit [Ac. nr. 1034/17] të 24 shkurtit 2020 refuzoi si të pathemeltë ankesën​​ dhe​​ ​​ vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore,​​ por ndryshoi këtë të fundit​​ vetëm​​ sa i përket pjesës së kamatës ligjore duke vendosur që: “gjykohet me kamatë ligjore, sikurse për mjetet e deponuara në bankat komerciale të Kosovës, në afat mbi një vit, pa destinim të caktuar, duke filluar nga dita e marrjes së aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, e deri në pagesën definitive”.​​ Si rezultat i revizionit të parashtruar nga ana e Raiffeisen Bank në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 409/2020] pranoi si të bazuar revizionin e Raiffeisen Bank dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës.

 

  • Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj: (i) nuk e pranoi si të bazuar qëndrimin juridik të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit sa i përket​​ aprovimit të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, përkatësisht neneve 173 dhe 174 në lidhje me nenin 192, paragrafin 1 të LMD-së; (ii) konstatoi se vlerësimi i gabuar i gjendjes faktike nga ana e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit​​ “konsiston në vlerësimin e gabuar të provave të administruara”,​​ duke arsyetuar se parashtruesja e kërkesës ishte duke kryer detyrat punës si arkëtare e Divizionit të e KEK-ut dhe se ekspertiza e punës nuk ka qenë e nevojshme; ​​ (iii) vlerësoi se në rastin konkret nuk është vërtetuar përgjegjësia e Raiffeisen Bank në raport me lëndimet e marra nga parashtruesja e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret mungojnë faktet relevante; dhe (iv) ​​ si rrjedhojë e kësaj, Gjykata konkludoi se​​ nga provat e administruara në këtë çështje, dhe nga shkresat e lëndës nuk është provuar bazueshmëria e kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës.

 

  • Parashtruesja e kërkesës në kërkesën e saj para Gjykatës thekson se:​​ “[...] aktgjykimi i goditur [i Gjykatës Supreme] ngërthen në veti elaborim dhe gjykim të çështjes që ka të bëjë me konstatim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike për çka REVIZIONI nuk është i lejuar [...]”. Në këtë kontekst, parashtruesja e kërkesës pohon se Gjykata Supreme arsyetimin e saj për refuzim të kërkesëpadisë e mbështet në çështje të​​ vërtetimit të gjendjes faktike duke vlerësuar nëse pala e paditur [Raiffeisen Bank] është përgjegjëse për dëmin e shkaktuar.​​ Sipas parashtrueses së kërkesës, Gjykata Supreme në këtë rast,​​ çështjen është dashur ta kthejë në rivendosje në gjykatën e shkallës më të ulët. Në vijim, parashtruesja e kërkesës specifikon se: “[...]“rasti i këtij Aktgjykimi paraqet jo siguri juridike dhe humbje besimi në gjyqësor, si kundër që nuk do të ishte as praktikë e mirë gjyqësore që aktgjykimi i goditur të përdoret më tej si burim që ndihmon gjykatat e rregullta​​ që të interpretojnë në mënyrë të duhur normën ligjore, zhvillimin e procesit gjyqësor dhe kualifikimin e fakteve të secilit rast në mënyrë adekuate, krejt këtë me qëllim rritje besueshmërie në gjyqësor dhe sigurie juridike përgjithësisht, si dhe të vlej edhe si rekomandim që udhëzon gjyqtarët për standardet që do garantohet nga ana e gjykatave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore të kësaj natyre dhe të ngjashme”.

 

  • Nga pretendimet e lartcekura të parashtrueses së kërkesës rezulton që pretendimet ngritura në kërkesën e saj ndërlidhen me tejkalimin e kompetencës së Gjykatës Supreme që rastin ta kthejë në rigjykim në gjykata e shkallës së ulët, të cilat pretendime në thelb​​ ndërlidhen me kriterin e së drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.

 

  • Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata do të trajtojë pretendimet e parashtrueses së kërkesës nga këndvështrimi i të drejtës së saj për një gjykatë të themeluar me ligj, si pjesë përbërëse e të drejtave të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke aplikuar edhe parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në të cilin rast Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

 

  • GJEDNJ në mënyrë të vazhdueshme ka theksuar se parimi i sigurisë kërkon që në rast se gjykatat kanë vendosur në lidhje me një rast, vendimmarrja e tyre nuk mund të vihet në pikëpyetje (shih, rastet​​ Brumărescu​​ kundër Rumanisë, nr. 28342/95, Aktgjykim i 28 tetorit 1999, paragrafi 61 dhe​​ Guðmundur Andri Ástráðsson kundër​​ Islandës​​ [nr. 26374/18,​​ Aktgjykim i 1 dhjetorit 2020, paragrafi 237).​​ 

 

  • Në këtë aspekt dhe me qëllim të trajtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të shtjellojë parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një gjykatë të themeluar me ligj, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret, në mënyrë që të vlerësohet aplikueshmëria e këtyre neneve, për të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

​​ (i)Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për “gjykatë të themeluar me ligj” të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe praktika relevante gjyqësore​​ 

 

  • Bazuar në atë si më sipër, dhe me qëllim të shqyrtimit të kërkesës së parashtruesit të kërkesës në kuptim të së drejtës së saj për gjykatë të themeluar me ligj, Gjykata fillimisht​​ i referohet parimeve të përgjithshme të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, sipas të cilës, në dritën ​​ e parimit të sundimit të ligjit, e qenësishme në sistemin e KEDNJ-së, një Gjykatë duhet që gjithmonë të jetë e themeluar me ligj (shih rastin e GJEDNJ-së​​ Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, të cituar më lart, paragrafi 211) ose më saktësisht “gjykatë e themeluar në pajtim me ligjin (paragrafët 229-230 në rastin​​ Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës).​​ 

 

  • Në lidhje me të lartcekurat, Gjykata vendosë theksin në nocionin “gjykatë e themeluar në pajtim me ligjin”. Sipas GJEDNJ-së “ligji” mbi bazën e të cilës një “gjykatë” konsiderohet se është e themeluar” përfshin çdo dispozitë të ligjit.​​ 

 

  • GJEDNJ në parim ka konstatuar se:​​ “një gjykatë e karakterizon, në kuptimin material të termit, funksioni i saj gjyqësor, pra vendosja për çështjet në kuadër të kompetencës së saj në bazë të rregullave procedurale dhe zhvillimit të tyre në mënyrën e përcaktuar me ligj” (shih rastin e GJEDNJ-së​​ Coëme dhe të tjerët​​ kundër Belgjikës,​​ nr.​​  32492/96​​ dhe katër të tjerë,​​ Aktgjykim i 22 qershorit 2000, paragrafi 99).​​ 

 

  • Pra, sipas praktikës gjyqësore të GJENDJ-së “Ligj”,​​ sipas​​ domethënies së nenit 6, paragrafi 1 të KEDNJ-së, nënkupton jo vetëm legjislacionin për themelimin dhe kompetencat e organeve gjyqësore, por çdo dispozitë e legjislacionit vendor, e cila, nëse shkelet, do të bënte pjesëmarrjen e një apo më tepër gjyqtarëve në shqyrtimin e rastit, të parregullt. Me fjalë tjera, fraza​​ “e themeluar me ligj”​​ përfshin jo vetëm bazën ligjore për vetë ekzistencën e “gjykatës” por edhe respektimin nga gjykata të rregullave të veçanta në bazë të të cilave qeveriset ajo (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ DMD Group, A.S. kundër Sllovakisë,​​ nr.​​ 19334/03,​​ Aktgjykimi i 5 tetorit 2010, paragrafi 59 dhe​​ Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës,​​ nrs.​​ 29458/04​​ dhe​​ 29465/04, Aktgjykim i 20 korrikut 2006, paragrafi 24).

 

  • GJEDNJ, në parim ka theksuar se është në radhë të parë gjykata vendore ajo që interpreton dispozitat e ligjit vendor, dhe se nuk duhet vënë në pikëpyetje interpretimin e tyre përveç në rast “të shkeljes flagrante” të legjislacionit (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Kontalexis kundër Greqisë, kërkesa​​ nr. 59000/08,​​ Aktgjykim i 31 majit 2011, paragrafi 39).

 

  • Sipas praktikës gjyqësore të GEJDNJ-së, Gjykata vëren se pretendimi për mospajtueshmëri me të drejtën për “një gjykatë të themeluar me ligj” është shqyrtuar dhe vlerësuar në kontekste të ndryshme, si në aspektin civil dhe atë penal të nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së, duke përfshirë por duke mos u kufizuar si në vijim:

 

  • Kur një gjykatë ka vendosur jashtë juridiksionit të saj (shih rastin​​ Coëme dhe të tjerët kundër Belgjikës, të cituar më lart, paragrafët 107-109 dhe​​ Sokurenko and Strygun kundër Ukrainës, të cituar më lart, paragrafët 26-28);

  • Në rastin kur një rast i është caktuar apo ricaktuar një gjyqtari ose një gjykate specifike (shih rastin​​ DMD Group AS kundër Sllovakisë, të cituar më lart, paragrafët 62-72; rastin​​ Richert kundër Polonisë, të cituar më lart, paragrafët 41-57);

  • ​​ Në rastin e zëvendësimit të një gjyqtari pa ofruar arsyetimin përkatës siç është kërkuar me ligjin vendor (shih rastin​​ Kontalexis kundër Greqisë,​​ cituar më lart, paragrafët 42-44);

  • Në rastin e ripërtëritjes së heshtur të mandatit të gjyqtarit për një periudhë të pacaktuar pas kalimit të mandatit të tij dhe në pritje të riemërimit të tij (shih rastin​​ Guroy kundër Moldavisë, Aktgjykim i 11 tetorit 2006, paragrafi 37);

  • Në rastin e gjykimit nga një gjykatë, anëtarët e të cilit në bazë të ligjit ishin të diskualifikuar që të merrnin pjesë në gjykim (shih rastin​​ Lavents kundër Letonisë, i cituar më lart, ​​ paragrafët 114- 115);

(vi) Në rastin e nxjerrjes së Aktgjykimit nga paneli i gjyqtarëve i cili përbëhej nga një numër më i vogël i anëtarëve se ai i përcaktuar me ligj (shih rastin​​ Momčilović​​ kundër Serbisë,​​ nr.​​ 23103/07,​​ Aktgjykim i 2 prillit 2019, paragrafi 32).

 

  • Në vijim, Gjykata vë në pah se gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të pretendimit të parashtrueses së kërkesës që në substancë ndërlidhet me të drejtën për një gjykatë të themeluar e që në rastin specifik ka të bëjë me kompetencën apo detyrimin e përcaktuar me ligj​​ ​​ Gjykatës Supreme që në procedurë të revizionit çështjen ta kthejë në rigjykim në​​ gjykatën e shkallës më​​ të​​ ulët,do të aplikojë parimet e vendosura të GJEDNJ-së në rastet e saja që ndërlidhen me tejkalimin e kompetencës ​​ të përcaktuar me ligj​​ nga ana e gjykatës.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata do t’i referohet rastit ​​ Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës​​ që ndërlidhet me çështjen kur gjykatat kanë vendosur në papajtueshmëri me kompetencën e tyre të përcaktuar me ligj.​​ 

 

  • Në rastin​​ Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës, rrethanat e të cilit ndërlidheshin me atë se parashtruesit e kërkesës pretendonin se Gjykata Supreme e Ukrainës nuk ishte kompetente për të vërtetuar vendimin e Gjykatës së lartë Komerciale, pasi që sipas Kodit për Procedurës Komerciale, kjo gjykatë pas anulimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë Komerciale, mund ta kthejë çështjen në rivendosje të serishme ose t’i anulojë të gjitha procedurat. Sipas GJEDNJ-së, nuk kishte asnjë dispozitë tjetër që shtrinte kompetencën e Gjykatës Supreme për të marrë një vendim të tillë. GJEDNJ, më tej theksoi se në lidhje me këto raste, Gjykata Supreme nuk kishte dhënë ndonjë arsye për marrjen e një vendimi, duke tejkaluar juridiksionin e saj, e cila kishte rezultuar në shkelje të qëllimshme të Kodit të Procedurës Komerciale dhe krijimin e një praktike në Gjykatën Supreme të Ukrainës. Përfundimisht, GJEDNJ konstatoi se si pasojë e asaj që Gjykata Supreme kishte kaluar kufijtë e juridiksionit të saj, të përcaktuara qartë në Kodin e Procedurës Komerciale, kjo gjykatë nuk mund të konsiderohej si "gjykatë e themeluar me ligj" në kuptim të nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së.

 

  • Gjykata po ashtu i referohet rasteve​​ Veritas kundër Ukrainës,​​ nr.​​ 39157/02, Aktgjykim i 13 nëntorit 2008;​​ Bazalt Impeks, TOV kundër Ukrainës,​​ nr. 39051/07, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2011; dhe​​ AVIAKOMPANIYA A.T.I, ZAT kundër Ukrainës​​ nr.​​ 1006/07, Aktgjykim, i ​​ 5 tetorit 2017 përmes të cilave kishte vlerësuar se rrethanat faktike dhe juridike ishin të njëjta si ato në rastin​​ Sokurenko dhe Stuygun​​ dhe rrjedhimisht në të dyja këto raste kishte konstatuar shkelje të nenit 6 të​​ KEDNJ-së si rezultat i cenimit të së drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj.

 

(ii) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e parashtrueses së kërkesës

 

  • Gjykata rikujton se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nga parashtruesja kërkesës është nxjerrë në procedurë kontestimore si rezultat i revizionit të parashtruar nga Raiffeisen Bank kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe atij të Gjykatës Themelore. Përmes këtyre dy aktgjykimeve të fundit ishte konstatuar 70% përgjegjësia Raiffeisen Bankës për shkaktimin e dëmit parashtrueses së kërkesës dhe si rrjedhojë ishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadia e saj për kompensim të dëmit material.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj kishte prishur aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës për kompensim të dëmit. Gjykata Supreme kishte konstatuar se gjykatat​​ e shkallës​​ më të​​ ulët në mënyrë të gabuar kishin zbatuar të drejtën materiale, ​​ duke vlerësuar se gjendja faktike ishte zbatuar në mënyrë të gabuar dhe si rrjedhojë e këtij vërtetimi nuk mund të konstatohej përgjegjësia e Raiffeisen Bank për shkaktimin e dëmit.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesja e kërkesës në kërkesën e saj para Gjykatës pretendon se: (i) Aktgjykimi i Gjykatës Supreme​​ ngërthen në veti elaborim dhe gjykim të çështjes që ka të bëjë me konstatim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike për të cilat çështje sipas saj revizioni nuk është i lejuar dhe​​ (ii) ​​​​ në këtë rast, Gjykata Supreme çështjen është dashur ta kthejë në rivendosje në gjykatën e shkallës më të ulët dhe jo të vendosë në lidhje me kërkesëpadinë e saj.​​ 

 

  • Ashtu siç është elaboruar më lart, Gjykata rithekson se objekt i çështjes së vlerësimit të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme është vlerësimi nëse ky Aktgjykim është nxjerrë në pajtueshmëri me kompetencën apo detyrimin e Gjykatës Supreme të përcaktuar me nenin 224 të LPK-së, i cili vlerësim në substancë ndërlidhet me parimin e një gjykate të themeluar me ligj, si një ndër garancitë parësore të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Për të vazhduar më vlerësimin e pretendimit të parashtrueses së kërkesës, Gjykata në vijim do të elaborojë bazën ligjore, përkatësisht dispozitat e ligjit të aplikueshëm, të cilat përcaktojnë kompetencën e Gjykatës Supreme për të vendosur në procedurë të revizionit.

 

Elaborimi i dispozitave relevante ligjore në lidhje me mjetin juridik-revizionin

 

  • Gjykata në vijim i referohet dispozitave përkatëse ligjore në lidhje me mjetin e jashtëzakonshëm juridik-revizionin dhe juridiksionin e Gjykatës Supreme për të vendosur në revizion. Fillimisht Gjykata vëren se​​ paragrafi 1 i nenit 211 i Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) përcakton që:​​ Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi”.​​ Ndërsa neni 212 specifikon se për revizion vendos Gjykata Supreme.

 

  • Në vijim, Gjykata vëren se përmes paragrafit 1 të nenit 214 janë përcaktuar shkaqet për të cilat mund të paraqitet revizioni në Gjykatën Supreme, përkatësisht përcaktohet që revizioni mund të paraqitet:​​ 

 

a) për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 188 i këtij ligji e cila është bërë në procedurën e gjykatës së shkallës së dytë;

​​ b) për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale;​​ 

c) për shkak të tejkalimit të kërkesëpadisë, po që se kjo parregullsi është bërë në procedurën e zhvilluar në gjykatën e shkallës së dytë.​​ 

 

  • Përderisa Gjykata vëren se paragrafi 2 i nenit​​ 214 përcakton që:​​ “ Revizioni nuk mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike”.

 

  • Në vijim, Gjykata vë në pah nenin 224 të LPK-së. Në paragrafin 1 të nenit përcaktohet që: “Në qoftë se gjykata e revizionit konstaton se e drejta materiale është zbatuar gabimisht, me aktgjykim e aprovon revizionin e paraqitur dhe e ndryshon aktgjykimin e goditur”.​​ Ndërsa paragrafi 2 i nenit 224, përcakton që:​​ “Po që se gjykata e revizionit konstaton se për shkak të zbatimit të gabueshëm të së drejtës materiale, apo për shkak të shkeljeve të rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe se për këtë arsye nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimin e aktgjykimit të goditur, atëherë ajo me aktvendim e aprovon revizionin dhe e anulon pjesërisht apo tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, apo vetëm aktgjykimin e shkallës së dytë, dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjyqtarëve të njëjtë apo të tjerë të gjykatës të shkallës së parë apo të dytë”.

 

Vlerësimi i Gjykatës

 

  • Gjykata fillimisht vë në pah se mjeti i jashtëzakonshëm​​ juridik, gjegjësisht revizioni në rrethanat e rastit konkret ishte i lejuar dhe se Gjykata Supreme kishte shqyrtuar dhevendosur në pajtim me juridiksionin e saj të përcaktuar me nenet 211 dhe 212 të LPK-së.

 

  • Megjithatë,​​ Gjykata, në vijim duke u bazuar në parimet e përgjithshme dhe dispozitat relevante ligjore që specifikisht ndërlidhen me kompetencën e Gjykatës Supreme për të vendosur në procedurë të revizionit, do të vlerësojë nëse Aktgjykimi i kontestuar ka cenuar të drejtën e parashtrueses së kërkesës për një “gjykatë të themeluar me ligj” ose “gjykatë të themeluar në pajtim me ligjin” si një ndër parimet apo kriteret thelbësore të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. ​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata do të shqyrtojë dhe vlerësojë nëse Gjykata Supreme gjatë vendimmarrjes së saj në procedurë të revizionit ka vendosur në pajtim apo ka tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me ligj, përkatësisht pagrrafin 2 të​​ nenit 224 të​​ LPK-së​​ Ky vlerësim i Gjykatës do të bazohet në​​ parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, më konkretisht Gjykata gjatë vlerësimit të kërkesës do të bazohet në parimet dhe konstatimet e GJEDNJ-së në praktikën relevante gjyqësore që ndërlidhet me rastet kur një gjykatë duke tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me ligj ka cenuar kriterin e gjykatës së themeluar me ligj në kuptim të nenit 6 të KEDNJ-së.

 

  • Gjykata rikujton se neni 31, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton që:”​​ 2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

 

  • Përderisa paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së, përcakton që: “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. [...]”

 

  • Gjykata në parim vë në dukje se çështja nëse Gjykata Supreme ka tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me ligj duke prishur aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët dhe refuzuar kërkesën e parashtrueses së kërkesës ngritë çështje të parimit të sigurisë juridike, si një nga komponentët kryesorë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike.

 

  • Ashtu siç është cekur më lart, Gjykata përsërit se gjatë vlerësimit nëse Gjykata Supreme ka tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me ligj do t’i referohet praktikës relevante gjyqësore të GJEDNJ-së, më konkretisht rastit​​ Sokurenko dhe Strygun​​ kundër Ukrainës, përmes të cilës ishte konsideruar se fraza "e themeluar me ligj" mbulon jo vetëm bazën ligjore për vetë ekzistencën e një "gjykate", por gjithashtu edhe vendimmarrjen e saj në pajtueshmëri ​​ me rregullat e veçanta që e qeverisin atë (paragrafi 24 i Aktgjykimit në rastin​​ Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës).​​ 

 

  • Në kuptim të ligjit të aplikueshëm në rastin konkret, Gjykata përsëritë se çështja e kompetencës së Gjykatës për të vendosur në revizion është e përcaktuar me dispozitat e LPK-së, përkatësisht nenet 211 deri 224 të këtij ligji. Më specifikisht, këto dispozita ligjore përcaktojnë bazën ligjore për vetë ekzistencën apo juridiksionin e Gjykatës Supreme ​​ për të vendosur në procedurë të revizionit. Deri në këtë fazë, apo në lidhje me juridiksionin e Gjykatës për të vendosur në kuptim të nenit 212 deri 224, Gjykata vëren​​ se Gjykata Supreme kishte juridiksion që të vendosë në procedurë të revizionit. Në vijim t​​ ë​​ kësaj, Gjykata vëren se​​ revizioni i paraqitur nga pala e paditur është paraqitur për shkak të zbatimit të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.

 

  • Pala e paditur [Raiffeisen Bank] në revizionin e saj kishte specifikuar se: “[...] konsideron se Aktgjykimi i goditur përmes këtij revizioni është nxjerrë në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe atë në kuptim të nenit 182.2 n) të LPK-së, i cili përcakton qartë që shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:​​ "në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit" Duke qenë se, Gjykata në të dy instancat ka përshkruar dhe trajtuar vetëm provat e paraqitura nga ana e palës paditëse ndërsa në të njëjtën kohë i shpërfillë krejtësisht duke mos i përmendur fare faktet dhe provat e paraqitura nga e paditura, aktgjykimet kanë përmbajte të njëanshme dhe kontradiktore me vet përmbajtjen e lëndës”.

 

  • Pavarësisht nga ky fakt, Gjykata vlerëson se në kuptim të kriterit ​​ të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së që një gjykatë duhet të jetë e themeluar me ligj, Gjykata vlerëson se gjykatat në përgjithësi, e në rastin konkret Gjykata Supreme gjatë vendimmarrjes dhe arsyetimit duhet që t’i përmbahen kompetencës së tyre shprehimisht të përcaktuar me ligj, në rastin konkret dispozitave të LPK-së. Kjo për arsye​​ se e drejta për një gjykatë të themeluar me ligj apo në pajtim me ligjin është një tipar qendror i gjykimit të drejtë dhe të paanshëm pasi që i referohet vetë thelbit të së drejtës, dhe rrjedhimisht Gjykata vlerëson se vlerësimi dhe shqyrtimi i asaj nëse Gjykata Supreme gjatë vendimmarrjes në këtë procedurë të revizionit ka tejkaluar kompetencën e saj ligjore është thelbësor dhe parësor para se të konstatojë nëse edhe garancitë tjera procedurale të përcaktuara në nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë respektuar apo jo.

 

  • Marrë për bazë atë që u cek si më lart, Gjykata rikujton arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme e cila kishte theksuar se: (i) Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit aprovimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës kishin bazuar në ekspertizën e ekspertit të mbrojtjes në punë, e cila sipas saj ishte e panevojshme dhe se mendimi i tij është i​​ “ndërtuar në hipoteza dhe jo mbi gjendjen faktike” : (ii) “[...] se në rastin konkret nuk është vërtetuar përgjegjësia e [Raiffeisen Bank] në raport me lëndimet e marra nga [parashtruesja e kërkesës], kjo për faktin se ne shkresat e lëndës nuk ka ndonjë raport të policisë për të përshkruar aksidentin e ndodhur, apo raport të inspeksionit komunal, me të cilin do të krijohej një pasqyrë mbi faktet që do të ishin të rëndësishme për aksidentin siç janë nëse ditën kritike ka pasur të reshura atmosferike, ngrica, dhe cila ka qenë gjendja e shkallëve në të cilat ka ndodhur aksidenti, dhe nëse e paditura ka pasur ndonjë lëshim me të cilin është kontribuar në shkaktimin e aksidentit, po ashtu nuk është bërë sigurimi i marrjes së provës menjëherë pas ndodhjes së aksidentit, ndërsa pas ndryshimit të gjendjes faktike, me ndërrimin e gjendjes së shkallëve, fakt që nuk është kontestues nga deklarimet e palëve si në shkresat e lëndës, është e pamundur të jepet një mendim objektiv nga cili do ekspert, lidhur me rrethanat e ndodhjes së aksidentit, dhe në rastin konkret edhe vërtetimin e përgjegjësisë së të paditurës në shkaktimin e dëmit.[...]”;​​ (iii) bazuar në provat e administruara nga Gjykata Themelore nuk është vërtetuar përgjegjësia e Raiffeisen Bank për shkaktimin e dëmit parashtrueses së kërkesës, dhe si rrjedhojë në mënyrë të gabuar janë zbatuar nenet 173 dhe 174 në lidhje​​ me paragrafin 1 të nenit 192 të LMD-së; dhe​​ (iv)​​ për pasojë e mosprovimit të përgjegjësisë së Raiffeisen Bank në bazë të provave të administruara, nuk është provuar as bazueshmëria e kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës.​​ 

 

  • Gjykata vëren se si rezultat ​​ i konstatimeve të lartcekura, që në rastin konkret nga arsyetimi i dhënë i Gjykatës Supreme rezulton se nuk ishte vërtetuar përgjegjësia e të paditurës, Gjykata Supreme kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar, dhe për pasojë vendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit i kishte prishur duke refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në vijim, Gjykata po ashtu vë në pah se Gjykata Supreme duke i paraprirë arsyetimit të saj kishte vlerësuar se: “nga shkresat e lëndës ka gjetur, se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë, bazuar në provat e administruara, mbi gjendjen faktike të vërtetuar, në mënyrë të gabuar kanë aplikuar të drejtën materiale, duke e aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e [parashtrueses së kërkesës], dhe duke e detyruar të paditurën [Raiffeisen Bank] që [parashtrueses së kërkesës] t’ia kompensoj dëmin me detaisht si në dispozitiv të aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë”.

 

  • Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata vendos theksin në paragrafin 2 të nenit 224 të LPK-së, i cili përcakton që nëse Gjykata Supreme konstaton se​​ “për shkak të zbatimit të gabueshëm të së drejtës materiale, apo për shkak të shkeljeve të rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe se për këtë arsye nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimin e aktgjykimit të goditur, atëherë ajo me aktvendim e aprovon revizionin dhe e anulon pjesërisht apo tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, apo vetëm aktgjykimin e shkallës së dytë, dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjyqtarëve të njëjtë apo të tjerë të gjykatës të shkallës së parë apo të dytë”.

 

  • Gjykata në këtë kuptim rikujton rastin e lartcekur të GJEDNJ-së​​ Sokurenko kundër Ukrainës,​​ përmes të cilit kishte vlerësuar se:​​ “në rastin konkret, Gjykata vëren se bazuar në nenet 111-18 të Kodit të Procedurës Komerciale, Gjykata Supreme, duke prishur Vendimin e Gjykatës së Lartë Komerciale, çështjen ka mundur ose ta kthejë për rivendosje nga gjykata e shkallës më të ulët ose që t’i anulonte procedurat (...]. Në vend të kësaj vërtetoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe një veprim i tillë nuk ishte paraparë më Kodin e Procedurës Penale, ashtu sikurse edhe Qeveria pranoi në observimet e saja [...]. Gjykata [GJEDNJ] më tej vëren se nuk kishte ndonjë dispozitë tjetër, e cila do ta zgjeronte kompetencën e Gjykatës Supreme që të nxjerrë një vendim të tillë. [...] (shih paragrafin 26 të Aktgjykimit në rastin​​ Sokurenko kundër Ukrainës).

 

  • Gjithashtu, edhe në rastin e parashtrueses së kërkesës, Gjykata nuk vëren se Gjykata Supreme ka dhënë ndonjë arsyetim konkret se pse rikthimi i çështjes në rigjykim për qëllime të rivlerësimit apo dëgjimit të palëve ndërgjyqëse në lidhje me gjetjet e kësaj gjykate në gjykatat e shkallës më të ulët nuk ka qenë i mundur sipas kësaj gjykate.

 

  • Prandaj, në kuptim të paragrafit 2 të nenit 224 të LPK-së, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme është dashur që çështjen ta kthejë në rigjykim gjyqtarëve të njëjtë apo të tjerë të Gjykatës Themelore apo​​ ​​ Gjykatës së Apelit.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, në kuptim të garancive të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, garanci që këto ndërlidhen edhe me parimin e sigurisë juridike dhe​​ ​​ administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, Gjykata​​ marrë për bazë​​ tejkalimin e kompetences​​ së përcaktuar​​ me paragrafin 2 të​​ nenit 224 të​​ LPK-së​​ nga ana e Gjykatës Supreme konsideron se me refuzimin e kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës pa iu dhënë një mundësi që ajo t’i paraqesë argumentet e saja dhe faktet në lidhje me gjetjet e Gjykatës Supreme që i referohen vërtetimit të gjendjes faktike, asaj i është mohuar qasja në drejtësi. Kthimi i çështjes në rivendosje, për më​​ tepër do t’i mundësonte palëve ndërgjyqëse, e në veçanti parashtrueses së kërkesës, që në pajtim me parimin e kontradiktoritetit, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së të​​ kenë mundësi që të​​ paraqesin parashtresat dhe argumentet e tyre në lidhje me rastin.​​ ​​ 

 

  • Nga kjo rezulton që Gjykata nuk paragjykon meritat apo rezultatin e shqyrtimit të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës në kuptim të vërtetimit të gjendjes faktike dhe zbatimit të së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta dhe​​ Gjykata​​ Supreme.​​ 

 

  • Për më tepër, Gjykata rithekson se Gjykata Sureme kishte juridiksion që të vendosë në lidhje me revizionin e parashtruar nga ana e palës së paditur. Megjithatë në kuptim të paragrafit 2 të nenit 224 të LPK-së,​​ dispozitë kjo që i referohet kompetencës së Gjykatës Supreme në kontekst të vendimmarrjes së​​ saj,​​ Gjykata konsideron se​​ bazuar në​​ ​​ konstatimin e​​ Gjykatës Supreme​​ se si rezultat i zbatimit të gabuar të së drejtës materiale në mënyrë të gabuar ësht ëvertetua gjendja faktike,​​ kjo e fundit çështjen është dashur që ta kthejë në rigjykim në gjykatat​​ e shkallës më të ulët.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së konsideron se Gjykata Supreme duke tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me ligj, përkatësisht kompetencën​​ e saj të​​ përcaktuar me​​ paragrafin 2 të nenit 224 të LPK-së, e njëjta nuk mund të konsiderohet si gjykatë e themeluar me ligj gjatë vendimmarrjes së saj në procedurë të revizionit në këtë rast.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar​​ [Rev. nr. 409/2020] i 28 shtatorit 2021,​​ i Gjykatës Supreme përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Në lidhje me pretendimet për shkelje të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës, në lidhje me​​ nenet 1 dhe 2 ​​ të Konventës Ndërkombëtare për të Gjitha Format e Diskriminimit Racor​​ dhe nenit ​​ 54 të Kushtetutës dhe 13 të KEDNJ-së

 

  • Gjykata​​ si rezultat i konstatimit të saj për shkelje të ​​ parimit​​ të gjykatës së themeluar me ligj, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, konstaton se nuk do të vazhdojë me shqyrtimin ndaras të pretendimeve të​​ parashtrueses së kërkesës​​ për shkelje të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës, në lidhje me​​ nenet 1 dhe 2 ​​ të Konventës Ndërkombëtare për të Gjitha Format e Diskriminimit Racor​​ dhe nenit 54 të Kushtetutës dhe 13 të KEDNJ-së.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 59 (1) të Rregullores së punës,​​ ​​ seancën e saj të​​ mbajtur​​ ​​ 23​​ shkurt​​ 2023,​​ ​​ me shumicë​​ votash:

 

VENDOS

 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;​​ 

 

  • TË KONSTATOJË se​​ Aktgjykimi [Rev. nr. 409/2020] i 28 shtatorit 2021, i Gjykatës Supreme​​ nuk është në përputhshmëri​​ me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

 

  • TË DEKLAROJË të pavlefshëm Aktgjykimin​​ [Rev. nr. 409/2020] të 28 shtatorit 2021​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës;

 

  • TË KTHEJË Aktgjykimin​​ [Rev. nr. 409/2020] të 28 shtatorit​​ 2021​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës,​​ për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;​​ 

 

  • TË URDHËROJË​​ Gjykatën Supreme​​ që të njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, deri më​​ 23 gusht 2023, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;

 

  • TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;

 

  • Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese   ​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1

Parashtruesit:

Shpresa Gërvalla

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile