Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,GSK-KPA-A-051-2016, të 23 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 210/19

Parashtruesit: Sabri Ismajli

Shkarko:

KI210/19, Parashtrues Sabri Ismajli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,GSK-KPA-A-051-2016, të 23 tetorit 2019

KI210/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, publikuar më 17 gusht 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontratë e shitblerjes,  e drejta në pronë,  shterja e mjeteve juridike

Parashtruesi i kërkesës dhe katër (4) persona të tjerë, kishin paraqitur kërkesë para Agjencinë Kosovare të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKP) lidhur me një ngastër kadastrale duke deklaruar se më 21 qershor 2007 kishte blerë 5/7 e pjesës ideale të ngastrës kontestuese në sipërfaqe prej 3.87.34 ha. Më 21 tetor 2014, Komisioni për Kërkesa Pronësore i Kosovës (në tekstin e mëtejmë:KKPK) përmes vendimit KPCC/D/A/260/2014, kishte hedhur poshtë kërkesat e lartcekura me arsyetimin se ky kontest binte jashtë juridiksionit të KKPK-së pasi që posedimi lidhur me ngastrën e kontestuar nuk kishte humbur si rezultat i konfliktit të vitit 1998/99.

Lidhur me vendimin e sipërcekur, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatës Supreme. Më 23 tetor 2019, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit GSK-KPA-A-051-2016, e kishte hedhur ankesën e parashtruesit të kërkesës të ushtruar ndaj vendimit KPCC/D/A/260/2014, të 21 tetorit 2014 si të pasafatshme.

Parashtruesi i kërkesës përkundër faktit që Gjykata Supreme nuk kishte trajtuar ankesën e tij ndaj vendimit të KKPK-së, pasi ankesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kontratën e shitblerjes me personin T.S. dhe të konstatojë se ai gëzon të drejtën e pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës lidhur me këtë pronë.

Gjykata duke vlerësuar kriteret e pranueshmërisë së kërkesës, duke u bazuar edhe në praktikën e GJEDNJ-së, sqaroi se përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizëm të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjeshtë vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, duhet: a) ti ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë;  dhe b) të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Andaj, Gjykata Kushtetuese, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës për shkelje të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës dhe faktet e paraqitura nga ai, si dhe duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore për të kontestuar vendimin e KPPK-se, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i kishte shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara për shkelje të të drejtës në pronë, për shkak të lëshimeve të tij procedurale fillimisht para KPPK-së e pastaj para Gjykatës Supreme. Rrjedhimisht kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme.

Parashtruesit:

Sabri Ismajli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile