Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 645/2020, të 19 majit 2021

Nr. të lëndës KI 169/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI169/21, Parashtrues: Xhevat Meha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 645/2020, të 19 majit 2021

KI169/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 marsit 2022, publikuar më 13 prill 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë administrative

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një konkurs të shpallur nga ana e BQK-së për pozitën e zëvendësguvernatorit, në të cilin konkurs kishte aplikuar edhe parashtruesi i kërkesës. Më pas, BQK kishte bërë emërimin e zëvendësguvernatorëve sipas përzgjedhjes së bërë me anë të konkursit në fjalë, ku parashtruesi i kërkesës nuk ishte përzgjedhur. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të BQK-së, ku kishte kërkuar që të konstatohet që BQK ka bërë shkelje të dispozitave ligjore gjatë përzgjedhjes së zëvendësguvernatorëve, të anulohet Vendimi nr. 19. 2013 i BQK-së për emërimin e zëvendësguvernatorëve si dhe të detyrohet BQK që të emëroj në pozitën e zëvendësguvernatorit pasi që është diskriminuar me mos emërimin në këtë pozitë. Gjykata Themelore refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi si të pathemeltë ankesën e tij. Parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, ku po ashtu edhe Gjykata Supreme e refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruar nga parashtruesi.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev. nr. 645/2020] të 19 majit 2021, duke pretenduar se përmes vendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë, respektivisht me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime të pambështetura apo paarsyetuara. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkeljen e neneve të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë, respektivisht me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata rikujtoi se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Gjykata, gjithashtu rikujtoi se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe (ii) t’i dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Xhevat Meha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative