Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 582/2020 të 6 majit 2021

Nr. të lëndës KI 167/21

Parashtruesit: Bedan Murithii Kagai

Shkarko:

KI167/21, Parashtrues: Bedan Murithii Kagai, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 582/2020 të 6 majit 2021 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për kompenzim të pagës, kontest pune 

Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me çështjen në të cilën parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar si Drejtor Ekzekutiv në Institucionin mikrofinanciar KEP Trust, të cilit në bazë të aneks-kontratës së 6 majit 2010, i ishte zgjatur periudha e punësimit deri më 31 dhjetor 2011. Si rezultat i pamundësisë së funksionalizimit të strukturave qeverisëse të këtij institucioni, më 5 janar 2011, KEP Trust vendoset nën administrim të përkohshëm nga BQK-ja, e cili fillimisht zgjati tre muaj e më pas u vazhdua deri në përfundimin e këtij procesi me 9 nëntor 2011. Prej momentit kur KEP Trust ishte vënë nën administrim të përkohshëm, parashtruesi i kërkesës nuk ishte paraqitur në vendin e punës. Midis palëve ndërgjyqëse, përkatësisht parashtruesit të kërkesës dhe KEP Trust kontestues ishte fakti rreth ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Prandaj, parashtruesi i kërkesës fillimisht kishte dërguar një faturë tek KEP Trust lidhur me detyrimet që kjo e fundit pretendonte se i kishte ndaj tij. Pasi që KEP Trust nuk iu përgjigj kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarim për pagesën e detyrimeve që buronin nga kontrata e punës, përmes faturës që ishte lëshuar nga vet ai. Pas aprovimit të këtij propozimi nga Gjykata Komunale, KEP Trust parashtroi prapësim kundër Aktvendimit për lejimin e përmbarimit. Rrjedhimisht, Gjykata Themelore përmes konkluzionit e shfuqizoi Aktvendimin e lartcekur, dhe propozimi i parashtruesit të kërkesës tashmë konsiderohej si padi në procedurë kontestimore. Pas kësaj, Gjykata Themelore vendosi që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është e pabazuar, pasi që ai nuk kishte arritur të dëshmojë bazën ligjore për kompensimin e pagave dhe se i njëjti në mënyrë të heshtur dhe të njëanshme siç përcaktohet me nenin 69 të Ligjit të Punës, e kishte ndërprerë marrëdhënien e punës nga dhjetori i vitit 2010. I njëjti Aktgjykim u konfirmua më pas edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Parashtruesi i kërkesës, i konteston në Gjykatë konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (i) shkeljes së parimit të kontradiktoritetit dhe (ii) mos arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Në këtë drejtim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit të kontradiktoritetit, ndërlidhet me atë që pala e paditur KEP Trust asnjëherë nuk kishte pretenduar se parashtruesi i kërkesës e kishte ndërprerë Kontratën e Punës në mënyrë të njëanshme, mirëpo, e njëjta është konstatuar nga gjykatat e rregullta, duke e zënë parashtruesin në befasi dhe pa pas asnjë mundësi të parashtroj argumentet e veta lidhur me këtë çështje. Pra, lidhur me këtë çështje parashtruesi i kërkesës thekson se kishte mësuar vetëm me rastin kur e ka marrë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se në ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, si dhe në kërkesën për revizion kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, bazuar në shkresat e lëndës rezulton që pretendimi i lartcekur i tij (përkitazi me cenim të parimit të kontradiktoritetit për shkak të pamundësisë së deklarimit lidhur me pretendimin se ai vet e ka ndërprerë marrëdhënien e punës në mënyrë të heshtur dhe të njëanshme), është ngritur në këto instanca të gjyqësorit të rregullt dhe e njëjta është trajtuar në merita.  Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në vijim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, gjykatat e rregullta kanë trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të provojë bazën ligjore për kompensimin e pagave; (ii) parashtruesi i kërkesës në mënyrë të heshtur dhe të njëanshme kishte ndërprerë marrëdhënien e punës; (iii) nga fillimi i administrimit të përkohshëm të KEP Trust nga ana e Administratorit të BQK-së, parashtruesi i kërkesës nuk ishte paraqitur në vendin e punës; (iv) për periudhën në të cilën kërkon kompensim, parashtruesi i kërkesës nuk kishte punuar në KEP Trust; dhe (v) bazë për të realizuar pagën i punësuari përkatës, përkatësisht parashtruesi i kërkesës, sipas nenit 55 të Ligjit të Punës është puna e kryer dhe koha e kaluar në punë, gjë të cilën ai se kishte bërë. Prandaj, edhe ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Bedan Murithii Kagai

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër