KI192/22, Parashtrues: Elire Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 51/21, të 10 marsit 2022
KI192/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 majit 2024, publikuar më 12 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident që kishte ndodhur në nëntor të vitit 2012, i cili ishte shkaktuar nga një automjet i siguruar në “Sigal Uniqa Group Austria” (në tekstin e mëtejmë: “Sigal”) , në të cilin aksident, parashtruesja e kërkesës kishte pësuar lëndime fizike. Përgjegjësia për aksidentin kishte rënë mbi automjetin i cili ishte i siguruar në “Sigal”. Fillimisht, parashtruesja e kërkesës kishte refuzuar ofertën e “Sigal” për kompensim dëmi, e më pas ajo paraqiti padi pranë Gjykatës Themelore duke kërkuar 12,500 euro në emër të kompensimit të dëmit. Gjykata Themelore, duke u bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978, i kishte dhënë të drejtë parashtrueses së kërkesës, duke ia aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë dhe duke e detyruar “Sigal” që t’i paguajë parashtrueses së kërkesës shumën prej 5, 454.30 euro në emër të kompensimit të dëmit. Gjykata e Apelit kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me detyrimin e “Sigal” për kompensimin përkatës. Pas ankimimit nga “Sigal”, Gjykata Supreme përfundimisht kishte konfirmuar të drejtën e parashtrueses së kërkesës në kompensimin përkatës, por kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit lidhur me lartësinë e dëmit jomaterial dhe kamatën. Gjykata Supreme kishte përcaktuar që “Sigal” t’ i paguaj parashtrueses së kërkesës shumën prej 1,500 euro në emër të kompensimit të dëmit jomaterial dhe ndryshimin e kamatës duke u bazuar në nenin 200 dhe 277 të LMD-së, me arsyetimin qendrorë se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit gabimisht kishin zbatuar të drejtën materiale gjatë vendosjes së rastit të parashtrueses së kërkesës. Këtë konstatim të Gjykatës Supreme, përkitazi me arsyetimin e ndryshimit të kompensimit të dëmit jomaterial dhe kamatës, parashtruesja e kërkesës e konteston para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.
Bazuar në arsyetimin e Gjykatës Supreme, Gjykata vëren se e njëjta, fillimisht (i) konstatoi se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kanë aplikuar gabimisht të drejtën materiale, respektivisht dispozitat ligjore të LMD-së që përcaktojnë kompensimin e dëmit jomaterial; (ii) i ndryshoi aktgjykimet e tyre përkitazi me shumën e kompensimit të dëmit jomaterial duke iu referuar nenit 200 të LMD-së, si dhe (iii) ndryshoi kamatën duke u bazuar në nenin 277 të LMD-së, me arsyetimin se dispozitat e sipërcekura të LMD-së, janë të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret.
Në këtë aspekt, në ndryshimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, Gjykata Supreme kishte sqaruar (i) se aplikimi i dispozitave ligjore të LMD-së nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit përbën aplikim të gabuar të të drejtës materiale; (ii) dhe për pasojë aplikoi dispozitat e tjera, respektivisht nenin 200 [Kompensimi në të holla] të LMD-së, përkitazi me kompensimin e dëmit jomaterial, si dhe ndryshoi kamatën duke aplikuar nenin 277 [Kamatëvonesa – Kur ka debitim] të LMD-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Elire Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile