KI37/22, parashtrues i kërkesës: “Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A.”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 443/21, të 10 janarit 2022
KI37/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2022, publikuar 27 shtator 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, masë e përkohshme, qartazi e pabazuar
Disa qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.A. (në tekstin e mëtejmë: KEK) parashtruan kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër punëdhënësit të tyre, KEK-ut, në të cilën kërkuan kompensim në formë të pagave shtesë për punën e kryer gjatë fundjavës për periudhën kohore prej 1 tetorit 2011 deri më 30 shtator 2017, në vlerë të përgjithshme prej 3,331,633.30 euro.
Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit aprovuan kërkesëpadinë e paditësve, me ç’rast urdhëruan që e paditura KEK t’ua paguajë paditësve kompensimin në formë të pagave shtesë që nuk u ishin paguar për punën gjatë fundjavës.
Parashtruesit e kërkesës parashtruan kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, të cilën kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar.
Pikërisht, duke qenë i pakënaqur me vendimet e gjykatave të rregullta, parashtruesi dorëzoi kërkesë me të cilën pretendoi shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Përveç kësaj, parashtruesi në kërkesën e tij kërkoi vendosjen e masës së përkohshme, duke konsideruar se me përmbarimin e këtij aktgjykimi, atij do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm.
Gjykata analizoi pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës duke aplikuar si praktikën e saj, ashtu edhe praktikën e GJEDNJ-së, me ç’rast vërejti se parashtruesi i kërkesës shkeljen e nenit 31 e ndërlidh me faktin se aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk janë të arsyetuara në përputhje me kërkesat e nenit 160 paragrafi 4 të LPK-së.
Rrjedhimisht, Gjykata i analizoi pretendimet e parashtruesit e kërkesës me ç’rast edhe konkludoi që të gjithat aktgjykimet e kontestuara për nga përmbajtja i plotësojnë kriteret e një vendimi gjyqësor të arsyetuar, gjë që është pikërisht në përputhje me kërkesat e nenit 160 paragrafi 4 të LPK-së.
Nga sa u tha më lart, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në kontekstin e vendimeve gjyqësore të paarsyetuara Gjykata i hodhi poshtë si pretendime që bien në kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe të nenit 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], Gjykata vërejti një karakteristikë të rëndësishme që ndërlidhet me të dy pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe ka të bëjë me faktin se parashtruesi i kërkesës nuk i ka arsyetuar në mënyrë adekuate shkeljet e pretenduara të neneve të përmendura të Kushtetutës, gjë që vetvetiu e kufizon Gjykatën që në vazhdim të Aktvendimit të trajtojë bazueshmërinë e tyre në kontekst të shkeljeve të mundshme kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata edhe këto pretendime i hodhi poshtë si pretendime që bien në kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Gjykata po ashtu e refuzoi edhe kërkesën e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme.
“Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A.”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile