Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 443/21, të 10 janarit 2022

Nr. të lëndës KI37/22

Parashtruesit: “Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A.”

Shkarko:

Prishtinë, më 26 shtator 2022

Nr. Ref.:RK 2047/22

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI37/22

 

Parashtrues

 

“Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A.”

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë

së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,

Rev. nr. 443/21, të 10 janarit 2022

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga “Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A” (në tekstin e mëtejmë: KEK), me seli në adresën: Sheshi “Nëna Terezë”, nr. 36 në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesi i kërkesës përfaqësohet nga Milot Podvorica, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Zyrës Ligjore të KEK-ut.

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 443/21] e 10 janarit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 666/19] e 23 korrikut 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 3443/12] e 26 dhjetorit 2018 të Gjykatës Themelore (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 20 janar 2022.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimeve të kontestuara, përmes të cilave pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

  1. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës kërkon gjithashtu vendosjen e masës së përkohshme, duke pretenduar se: “Korporata Energjetike e Kosovës, konsideron se Aktgjykimet e kësaj procedure gjyqësore e me theks të veçantë aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Supreme bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ekzekutimi eventual i këtyre Aktgjykimeve do të shkaktonte dëm të pa riparueshëm për shkakun se shumë nga paditësit veç e kanë arritë moshën e pensionimit dhe në rast eventual kundërpërmbarimor e paditura nuk do të mund ti realizonte asnjëherë shumat që tani ekziston rreziku të ekzekutohen”.

 

Baza juridike  

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 17 mars 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  1. Më 23 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI07/22] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).

 

  1. Më 24 mars 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të dorëzojë në Gjykatë formularin e plotësuar të kërkesës, si dhe dokumente shtesë. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës i është dërguar edhe Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 12 prill 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë formularin e plotësuar të kërkesës, si dhe informatat dhe dokumentet shtesë të kërkuara nga Gjykata.

 

  1. Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve  

 

  1. Nga shkresat e lëndës rezulton se punëtorët e KEK-ut kanë qenë të angazhuar në punë gjatë fundjavës për një periudhë të gjatë kohore dhe se për këtë punë nuk iu është paguar kompensimi nga punëdhënësi. Rrjedhimisht, më 31 dhjetor 2012, 1318 punëtorë të KEK-ut parashtruan kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër punëdhënësit të tyre, KEK-ut, në të cilën kërkuan kompensimin në formë të pagave shtesë për punën gjatë fundjavës, në vlerë të përgjithshme prej 3,331,633.30 euro.

 

  1. Më 26 dhjetor 2018 është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor të Gjykatës Themelore, ku paditësit e saktësuan kërkesëpadinë e tyre, ndërsa i padituri KEK, përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, kontestoi kërkesëpadinë e paditësve si të pabazuar, duke theksuar se, “[…] paditësit dhe e paditura kanë lidhur kontrata të punës dhe të njëjtit i kanë definuar të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë dhe janë përcaktuar pagat mujore si dhe pagat shtesë të punëmarrësve te e paditura, andaj kërkesa për pagesë shtesë për punët gjatë fundjavës edhe për ndërrimin e natës është e pa bazë ligjore dhe e pa arsyeshme…”.

 

  1. Më 26 dhjetor 2018, Gjykata Themelore nxori Aktgjykimin [C. nr. 3443/12], përmes të cilit në pikën I. Aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e paditësve, në pikën II. Detyroi të paditurin KEK që paditësve t’ua paguajë kompensimin në formë të pagave shtesë që nuk janë paguar për punën gjatë fundjavës për periudhën kohore prej 1 tetorit 2011 deri më 30 shtator 2017, në pikën III. Refuzoi kërkesëpadinë përkitazi me kompensimin për një numër të caktuar të punëtorëve, në pikën IV. Aprovoi kërkesëpadinë e trashëgimtareve të paditësve për ata paditës fillestar që në ndërkohë kanë ndërruar jetë.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [C. nr. 3443/12], Gjykata Themelore theksoi se:

 

“[…] me Ligjin e Zbatueshëm, Punëmarrësi ka të drejtë që të marr pagesën shtesë – pagesat do të bëhen sipas përqindjes së pagës bazë bruto për orët të punëmarrësit e cila duhet të jetë në përputhshmëri me normat e detyruara me Ligjin e zbatueshëm. Në rast se më shumë se një prej normave të obliguara me Ligjin e zbatueshëm mund të aplikohet, atëherë punëmarrësi do të punoj vetëm një normë, e cila do të jetë përqindja më e lartë – për shembull, nëse një punëmarrës punon gjatë natës (që ka normën prej 30%) që koincidon me një festë zyrtare (që ka normën prej 50%) ai ose ajo do të merr një pagesë shtesë prej 50% të pagës bazë bruto për orë të tij, gjykata ka gjetur se padia dhe kërkesëpadia e paditësve është e drejtë dhe e bazuar në ligj, andaj të njëjtën e aprovoi.

 

Bindjen e saj gjykata e ka krijuar bazuar në faktin se e paditura në nenin 39 të Kodit të Punës dhe në kontratat e punës nr. 5761/0 e dt. 01.03.2011, në nenin 6 e ka paraparë kompensimin e pagesave shtesë duke përfshirë edhe kompensimin e pagës shtesë për punët që kryhen gjatë fundjavës.

 

Meqenëse neni 56 paragrafi 1 i Ligjit të Punës nr. 03/L-212 (ligj i aplikueshëm në kohën kur paditësve nuk i janë kompensuar të ardhurat shtesë për punën që e kanë kryer gjatë fundjavës) parasheh se: “Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës”, paragrafi 2 të të njëjtit Ligj parasheh se: “Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë”.

 

Andaj duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore dhe në Nenin 6 të Kontratës së punës nr. 5761/0 e dt. 01.03.2011, ku parashihet se “të punësuarit i takon paga  shtesë në përqindje të pagës bazë, dhe atë për kujdestari, 20% në orë, për punë gjatë natës 30% në orë, për punë jashtë orarit 30% në orë, për punë gjatë ditëve të festave 50% në orë dhe për punë gjatë fund javës 50% në orë. Pagesa shtesë gjatë fund javës (vikendit), festave dhe ditëve të lira sipas ligjit e përjashtojnë njëra tjetrën“. Punëdhënësi vendos mbi formën e kompensimit, si dhe në nenin 39 të Kodit të punës të Korporatës Energjetike të Kosovës SH.A nr. 343 datë 04.10.2011 ku parashihen pagat shtesë, në paragrafin 1 të të njëjtit nen parashihet se “Për punën e kryer nga një punëmarrës në ndërrimin e natës, ose përtej orarit të punës, sipas kontratës së punës me punëmarrësin, gjatë festave zyrtare, ose gjatë ndonjë kohe tjetër që përshkruhet në Ligjin […]”

 

[…] kontratës së punës duhet të jenë në harmoni me dispozitat e këtij ligji […]“.

 

  1. I padituri KEK parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 3443/12] të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  1. Më 23 korrik 2021, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin Ac. nr. 1666/19, përmes të cilit e refuzoi si të pathemeltë ankesën e të paditurit KEK, ndërsa Aktgjykimin [C. nr. 3443/2012] e Gjykatës Themelore e aprovoi në tërësi.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [C. nr. 3443/2012] të Gjykatës së Apelit thuhet se:

 

“Nga provat e administruara, gjykata e shkallës së parë ka gjetur se paditësit posedojnë kontratat e punës me të cilat argumentohet se të njëjtit punojnë me ndërrime, ashtu që nga ekspertiza financiare është vërtetuar se ata kanë punuar edhe ditëve të fundjavës (të shtunave dhe të dielave), varësisht nga orari i punës, përkatësisht ndërrimet, ndërsa e paditura nuk ua ka kompensuar (50% për orët, për punën gjatë fundjavës) e as nuk ua ka dhënë ndonjë ditë të lirë, në emër të pagës shtesë. Rrjedhimisht mos pagesa e kompensimit shtesë për punët gjatë fundjavës nga ana e të paditurës është në kundërshtim me nenin 6 të kontratave të punës së paditësve, nenin 39 të Kodit të Punës dhe dispozitat e lartpërmendura ligjore. Në shkresat e lëndës gjykata ka gjetur edhe kontratën e punës me nr. 3754/0 të datës 01.06.2013, ku në nenin 6 të kësaj kontrate parashihen pagat shtesë, “Në rast së të punësuarit i kërkohet të punoj jashtë orarit të punës, në ndërrim të natës, ndërrim shtesë, gjatë fundjavës, gjatë festave zyrtare apo fundjave (të punësuarit me ndërrime nuk aplikohet neni 56 paragrafi 2 pika 2.5 të Ligjit të Punës), atyre u takojnë pagesat apo pushimi shtesë në përputhje me Kodin e Punës. Gjykata kësaj kontrate nuk ia fali besimin për arsye se kjo kontratë është në kundërshtim me vet Kodin e Punës (Manueli i Punës) nr. 1.343 datë 04.10.2011.

 

Nuk qëndron pretendimi ankimor në raport me ekspertizën financiare, pasi i njëjta është hartuar në bazë të rregullave shkencore duke u bazuar në prova e të cilat janë në shkresa të lëndës.  

 

Nuk qëndron pretendimi ankimor i të paditurës në raport me refuzimin e gjykatës së shkallës së parë për dëgjimin apo procedimin për tu dëgjuar në cilësi të dëshmitarit menaxheri i departamentit të pagave, sepse kjo nuk paraqet ndonjë relevancë dhe dëgjimi i të njëjtit nuk do të kishte ndikim në mendimin e ekspertit pasi eksperti me rastin e hartimit të ekspertizës ka pasur si burim të vërtetimit të fakteve që i referohen ditëve të punës në fundjavë për paditësit, regjistrave të të paditurës si punëdhënës.

 

Nuk qëndron pretendimi ankimor se me anë të vendimit të atakuar gjykata do të mund të ndikonte në operimin e të paditurës, apo në ekonominë e tregut, pasi do të cilësohej si ndërhyrje, kjo asesi nuk qëndron gjykata në secilin vendim të saj e ka një qëllim vendosjen e rendit dhe garantimin e të drejtave. Pikërisht një vendimmarrje ndryshe nga ajo që është marrë nga gjykata e shkallës së parë, do ti vendoste paditësit, por në të ardhmen edhe të punësuarit tjerë në pozitë të palakmueshme pasi do t’ua cenonte të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës…“.

 

  1. I padituri KEK ka parashtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [C. nr. 3443/2012] të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [C. nr. 3443/12] të Gjykatës Themelore duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që revizioni të pranohet dhe aktgjykimet e instancave më të ulëta të ndryshohen, në mënyrë që kërkesëpadia e paditësve të refuzohet si e pabazuar.

 

  1. Përfaqësuesi i autorizuar i paditësve paraqiti përgjigje ndaj revizionit të të paditurit KEK, në të cilën kundërshtoi pretendimet nga revizioni, me propozim që i njëjti të refuzohet si i pabazuar.

 

  1. Më 10 janar 2022, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin [Rev. nr. 443/21], përmes të cilit refuzoi si të pabazuar revizionin e të paditurit KEK.

 

  1. Në arsyetimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 443/21] të Gjykatës Supreme thuhet se:

 

“Objekt shqyrtimi në Gjykatën Supreme të Kosovës, ishin edhe pretendimet e revizionit lidhur me shkeljet thelbësore të dispozitave procedurale të LPK-së. Kjo Gjykatë vlerëson se këto aktgjykime nuk përfshihen me të meta e pa qartësi as në dispozitiv e as në arsyetimin e tyre, arsyet e dhëna janë të qarta, të mjaftueshme për faktet juridikisht të vlefshme për gjykimin e drejtë të çështjes, të cilat janë të pranueshme edhe për gjykatën e revizionit. Kështu, revizioni thirret në shkeljet esenciale të dispozitave të LPK-së (të cilat shprehimisht parashihen me dispozitat e nenit 182 të LPK-së), por, në të, nuk specifikohet asnjë shkelje konkrete, pos që theksohet, në mënyrë të përgjithësuar se vendimi është marrë me shkelje esenciale të dispozitave të LPK-së, andaj, si të tilla, ato pretendime nuk janë të qëndrueshme. 

 

Gjithashtu, nuk qëndron as pretendimi vijues i të paditurës, se punëtorëve-paditësve nuk u takon kompensimi shtesë për punët gjatë fundjavës, sepse ata punojnë me ndërrime në kuadër të orarit të rregullt të punës prej 40 orë në javë, dhe mund të i bie që punojnë edhe ditëve të fundjavës deri sa ti mbushin 40 orë në javë, etj. Kështu, nga fakti sepse, një e drejtë e sipër përmendur e punëtorëve, këtu, paditësve, ishte paraparë edhe me kontratat e punës (2011), neni 6, edhe me nenin 39.1 të Kodit të Punës të paditurës, në të cilin, veç tjerash, lidhur me pagesat shtesë, thuhet se “Për punën e kryer nga Punëmarrësi për ndërrimin e natës; ose përtej orarit të punës sipas kontratës me punëmarrësin; gjatë festave zyrtare, ose gjatë ndonjë kohe tjetër që përshkruhet në Ligjin e zbatueshëm, punëmarrësi ka të drejtë që të marrë pagesat shtesë-pagesat do të bëhen sipas përqindjes së pagës bazë bruto për orë të punëmarrësit, e cila duhet të jetë në përputhshmëri me normat e detyruara me Ligjin e zbatueshëm…“. Dhe kur jemi këtu, duhet theksuar se edhe me dispozitat e nenit 4 të Ligjit të Punës, veç tjerash, parashihet se dispozitat e Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit, dhe Kontratat e Punës, duhet të jenë në përputhje me dispozitat e këtij Ligji (neni 4.1 i LP-së), përkatësisht, “Akti i Brendshëm i Punëdhënësit dhe Kontrata e Punës, mund të përmbajnë dispozita me të cilat përcaktohen më shumë të drejta dhe kushte të favorshme, nga të drejtat dhe kushtet e përcaktuara me ligj, përveç nëse me këtë ligj është përcaktuar ndryshe“ (neni 4.3 i LP-së).

 

Po kështu, në kontekstin e mësipërm, duhet theksuar se me dispozitën e nenit 56 par. 2 të Ligjit të Punës, shprehimisht parashihet se “Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë: 2.1. 20% në orë për kujdestari; 2.2. 30% në orë për punë gjatë natës; 2.3. 30% në orë për punë jashtë orarit; 2.4. 50% në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe 2.5. 50% përqind në orë për punë gjatë fundjavës”. Nga këtu, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se të punësuarve, në rastin konkret paditësve, u takon paga shtesë prej 50% përqind në orë për punën gjatë fundjavës. Ndërkohë që, te ne, në Republikën e Kosovës, sikundër edhe në pjesën dominuese të kontinenteve, e shtuna dhe e diela, janë përcaktuar si ditë […] të fundjavës, në të cilat sipas rregullit (në parim) nuk punohet, përpos, rasteve të rregulluara ndryshe me ligj, siç ka vepruar edhe Ligjdhënësi i ynë, në mënyrën e sipër përmendur”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës  

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës

 

  1. Parashtruesi i kërkesës thekson se “gjykatat e rregullta, kanë nxjerrë Aktgjykime të cilat nuk kanë qenë në përputhje të plotë me detyrimet ligjore ashtu që pjesën arsyetuese e kanë pas të mangët dhe nuk kanë arritur që as për së afërmi ta arsyetojnë dispozitivin, saktësisht kanë dështuar të bëjnë elaborimin e pretendimeve të palës së paditur KEK. Detyrimi i gjykatave për të nxjerrë një aktgjykim me një arsyetim të strukturuar dhe të shtjelluar buron në nenin 160 paragrafi 4 i Ligjit të Procedurës Kontestimore. […] Gjykatat me rastin e nxjerrjes së vendimeve gjyqësore kanë bërë interpretim të ngushtë të dispozitës së nenit 56 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5 dhe nuk e kanë ndërlidhur dhe analizuar me dispozitat tjera të ligjit të punës siç janë nenet: 20 [Përcaktimi i orarit të punës], 23 [Puna më e gjatë se orari i plotë i punës], 24 [Ndarja dhe ndryshimi i orarit të punës], 27 [Puna e natës], 31 [Pushimi javor]“.

 

  1. Në mbështetje të kësaj, parashtruesi shpjegon se çfarë, sipas interpretimit të tij, konsiderohet si orar i punës, dhe rrjedhimisht shton se:

 

“Përcaktimin e orarit të punës për të punësuarit në turne, e paditura e bënë në pajtim me nenin 20 paragrafi 2 të Ligjit të Punës ku thuhet se “Orari i plotë i punës zgjat dyzet (40) orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe“. Me nenin 24 paragrafi 1 dhe 2 parashihet se Ndarjen e orarit të punës në kuadër të javës së punës e cakton punëdhënësi në pajtim me këto dispozita e paditura e ka ndarë me ndërrime orarin e punës meqenëse veprimtaria e saj e imponon punën me ndërrime me qëllim të stabilitetit rreth furnizimit me energji elektrike. Pra paditësit dhe punëmarrësit e të paditurës që punojnë me ndërrime fillimin e javës së punës natyrshëm mund të mos e kenë ditën e hënë dhe natyrshëm se 40 orët e orarit të plotë të punës mund të mos i përmbushin brenda ditëve e hënë – e premte. Fundjava për paditësit që punojnë me ndërrime është dita pasuese pas asaj që ata i mbushin 40 orë në javë e që pushimi mund hipotetikisht ti bie ditë e marte apo e mërkure e javës, pra të gjithë të punësuarit e të paditurës që punojnë me ndërrime, gëzojnë dy ditë pushim javor dhe ky fakt nuk është kontestues as për punëtorët që janë palë në këtë proces“.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se, “gjykatat e rregullta, me marrjen e Aktgjykimeve të cituara më sipër kanë nxjerrë një praktikë gjyqësore i cili krijon rregullt të ri i cili është në kundërshtim me ligjin pasi që përcakton mënyrë të re të kompensimit të të punësuarve që punojnë me ndërrime. Ky vendim gjyqësor ka krijuar një praktikë të re në kundërshtim me ligjin e punës e që ka nxitur punëtorët e secilit institucion e ndërmarrje publike që punojnë me ndërrime të parashtroj padi duke u thirrë tani në praktikën gjyqësore të krijuar me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës nr. 443/2021 e që tani KEK Sh.A, po e konsideron se i njëjti cenon edhe kushtetutshmërinë e vendit tonë meqenëse të paditurës KEK Sh.A në këtë proces nuk i është garantuar mbrojtje e të drejtave të saj në një proces gjyqësor i cili ka prodhuar një praktikë të gabuar e në kundërshtim të plotë me ligjin e punës. Po ashtu konsiderojmë se Gjykatat e rregullta kanë gjykuar në kundërshtim me parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor“.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 54 të Kushtetutës

 

  1. Në mbështetje të pretendimit për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se, “Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka gëzuar të drejtën kushtetuese të mbrojtjes gjyqësore meqenëse i janë krijuar detyrime të cilat nuk janë të mbështetura në dispozita ligjore të Ligjit të Punës, andaj vlerësojmë se Aktgjykimet janë në kundërshtim edhe me nenin 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës

 

  1. Në mbështetje të pretendimeve lidhur me shkeljen e nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se, “në kapitullin e VII të Kushtetutës, konkretisht te pjesa ku trajtohet çështja e Sistemit të Drejtësisë, në nenin 102 përcaktohen parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor. Në paragrafin 3 të po këtij neni, shprehimisht parashihet se Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit. Në rastin konkret Gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës“.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për domosdoshmërinë e vendosjes së masës së përkohshme

 

  1. Sa i përket arsyeshmërisë së kërkesës për vendosje të masës së përkohshme, parashtruesi i kërkesës theksoi: “Meqenëse Korporata Energjetike e Kosovës, konsideron se Aktgjykimet e kësaj procedure gjyqësore e me theks të veçantë aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Supreme bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ekzekutimi eventual i këtyre Aktgjykimeve do të shkaktonte dëm të pa riparueshëm për shkakun se shumë nga paditësit veç e kanë arritë moshën e pensionimit dhe në rast eventual kundërpërmbarimit e paditura nuk do të mund ti realizonte asnjëherë shumat që tani ekziston rreziku të ekzekutohen”.

 

  1. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata të miratojë masën e përkohshme dhe të pezullojë zbatimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 443/2021] të Gjykatës Supreme të 10 dhjetorit 2022, si dhe Aktgjykimit [Ac. nr. 1666/19] të Gjykatës së Apelit të 23 korrikut 2021.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Dispozitat relevante të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së

 

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  1. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
  2. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
  3. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
  4. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
  5. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
  6. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.”

 

Neni 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

 

“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”

 

Kapitulli VII

 

Sistemi i Drejtësisë

 

Neni 102

[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]

 

“[…]

 

“3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.”

 

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm […] në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij […]”.

 

Dispozitat relevante ligjore

 

LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

“[…]

 

160.4  Arsyetimi i aktgjykimit përmban: kërkesat e palëve, faktet që i kanë parashtruar dhe provat që i kanë propozuar, cilat nga faktet e tilla i ka vërtetuar, pse dhe si i ka vërtetuar ato fakte, e po që se i ka vërtetuar me anë të provave, cilat prova i ka shfrytëzuar dhe si i ka vlerësuar ato.”

 

[…]”

 

Ligji i punës nr. 03/L-212

 

Neni 56

Paga shtesë

 

“1. Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës.

 

  1. Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë:

 

2.1. 20 % në orë për kujdestari;

2.2. 30 % në orë për punë gjatë natës;

2.3. 30 % në orë për punë jashtë orarit;

2.4. 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe

2.5. 50 % në orë për punë gjatë fundjavës.

 

[…]”.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  1. Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

 

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  1. Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të dorëzojë ankesë kushtetuese, duke iu referuar shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI41/09, parashtrues i kërkesës: Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).

 

  1. Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen në Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.

 

  1. Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 443/21] e 10 janarit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka specifikuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata i referohet rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton që:

 

“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.

 

  1. Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.

 

  1. Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Duke iu kthyer rastit konkret, Gjykata rikujton se rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruar nga 1318 punëtorë kundër punëdhënësit të tyre, KEK-ut, në të cilën ata kërkuan pagesën e kompensimit në formë të pagave shtesë për punën e kaluar të kryer gjatë fundjavës, për periudhën kohore prej 1 tetorit 2011 deri më 30 shtator 2017, në vlerë të përgjithshme prej 3,331,633.30 euro. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit aprovuan si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit e refuzoi revizionin si të pabazuar përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 443/21] të 10 janarit 2022, dhe me këtë përfundoi procedura gjyqësore në këtë çështje juridike.

 

  1. Duke pasur parasysh një rezultat të tillë të procedurës gjyqësore, parashtruesi i kërkesës konsideron se aktgjykimet e gjykatave të rregullta kanë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.

 

  1. Rrjedhimisht, në vazhdim të Aktvendimit, Gjykata do t’i shqyrtojë veç e veç meritat e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në kontekst të shkeljeve të pretenduara të neneve të përmendura të Kushtetutës.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

  1. Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës e ndërlidh shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës me faktin se gjykatat e rregullta kanë nxjerrë aktgjykime që nuk janë në përputhje të plotë me detyrimet ligjore nga neni 160 paragrafi 4 të LPK-së, se gjykatat kanë bërë interpretim shumë të ngushtë të dispozitave të nenit 56 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 të Ligjit të Punës dhe se nuk e kanë ndërlidhur dhe analizuar këtë dispozitë ligjore me dispozitat tjera relevante të Ligjit të Punës.

 

  1. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se dispozita relevante e nenit 160 paragrafi 4 të LPK-së, në pjesën përkatëse thotë se:

 

“Arsyetimi i aktgjykimit përmban: kërkesat e palëve, faktet që i kanë parashtruar dhe provat që i kanë propozuar, cilat nga faktet e tilla i ka vërtetuar, pse dhe si i ka vërtetuar ato fakte, e po që se i ka vërtetuar me anë të provave, cilat prova i ka shfrytëzuar dhe si i ka vlerësuar ato”.

 

  1. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vëren se neni 160 paragrafi 4 i LPK-së rregullon esencën dhe përmbajtjen e aktgjykimit gjyqësor, përkatësisht çfarë duhet të ketë një aktgjykim gjyqësor për nga përmbajtja, si dhe parimet të cilave gjykatat duhet t’u përmbahen në këtë drejtim. Bazuar në këtë mund të konkludohet se parashtruesi i kërkesës e ndërlidh shkeljen e nenit 31 me faktin se të gjitha aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk janë arsyetuar në përputhje me detyrimin ligjor nga neni 160 paragrafi 4 të LPK-së, dhe atë për arsye se “gjykatat kanë bërë interpretim të ngushtë të dispozitës së nenit 56 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5 dhe nuk e kanë ndërlidhur dhe analizuar me dispozitat tjera të neneve 20, 23, 24, 27 dhe 31 të Ligjit të Punës”.

 

  1. Nga kjo rezulton se shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës në kontekst të vendimit të paarsyetuar gjyqësor neni 160 paragrafi 4 të LPK-së parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me aktgjykimet e Gjykatës Themelore, të Apelit dhe asaj Supreme. Lidhur me këtë, imponohet obligimi që gjykata të gjitha aktgjykimet “t’i shqyrtojë në tërësinë e tyre“ në kontekst të shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, gjë që është në pajtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), e cila thotë se është “detyrë e Gjykatës që të shqyrtojë procedurat në tërësi, që në rastin konkret përfshin të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta në një procedurë të vetme” (shih, ndër të tjera, Aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Helmers kundër Suedisë, të 29 tetorit 1991, kërkesa nr. 11826/85, Seria A nr. 212, fq. 15, par. 31).

 

  1. Prandaj, duke i shqyrtuar me kujdes pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekst të vendimeve të paarsyetuara gjyqësore, Gjykata thekson se nuk është fakt i kontestuar se sipas praktikës së vendosur të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës Kushtetuese, neni 6 paragrafi 1 i KEDNJ-së i obligon gjykatat, ndër të tjera, të arsyetojnë aktgjykimet e tyre. Ky detyrim, megjithatë, nuk mund të kuptohet si detyrim që në aktgjykim të paraqiten të gjitha detajet dhe të jepen përgjigje në të gjitha pyetjet dhe argumentet e paraqitura. Masa në të cilën ekziston ky obligim varet nga natyra e vendimit (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, kërkesa nr. 18390/91, të 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29). GJEDNJ dhe Gjykata Kushtetuese në vendimet e shumta treguan se gjykatat vendore kanë një vlerësim të caktuar diskrecional në lidhje me atë se cilat argumente dhe prova do t’i pranojnë në rastin e caktuar, por njëkohësisht kanë edhe obligimin ta arsyetojnë vendimin e tyre, duke ofruar arsye të qarta dhe të kuptueshme mbi të cilat e kanë bazuar atë vendim (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Suominen kundër Finlandës, kërkesa nr. 37801/97, të 1 korrikut 2003).

 

  1. Megjithatë, edhe pse GJEDNJ pohon se neni 6 paragrafi 1 i KEDNJ-së i obligon gjykatat të japin arsyet për aktgjykimet e tyre, ajo gjithashtu ka konsideruar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument të paraqitur (shih rastet e GJEDNJ-së, Aktgjykimin Van de Hurk kundër Holandës, kërkesa nr. 16034/90, të 19 prillit 1994, paragrafi 61; Aktgjykimin Higgins dhe të tjerët kundër Francës, kërkesa nr. 134/1996/753/952, të 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).

 

  1. Shkalla në të cilën zbatohet ky obligim i gjykatave të rregullta mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit (shih rastet e GJEDNJ-së, dhe atë: Aktgjykimin Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, të 21 janarit 1999, paragrafi 29; Aktgjykimin Hiro Balani kundër Spanjës, kërkesa nr. 18064/91, të 9 dhjetorit 1994).

 

  1. Duke iu kthyer rastit konkret dhe duke e shqyrtuar me kujdes së pari Aktgjykimin [C. nr. 3443/12] e Gjykatës Themelore në dritën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, se Aktgjykimi nuk është arsyetuar në përputhje me nenin 160 paragrafi 4 të LPK-së, Gjykata vëren se Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e paditësve për kompensim dhe nxori Aktgjykimin në të cilin e obligoi të paditurin KEK, “…që secilit paditës në emër të kompensimit të pagave shtesë për punët gjatë fundjavës t’i paguajë shumën e llogaritur të parave […]”.

 

  1. Gjykata gjen se Gjykata Themelore e bazoi Aktgjykimin e saj [C. nr. 3443/12], ndër të tjera, në faktin se ajo gjatë administrimit të provave ka vërtetuar pa mëdyshje se paditësit posedojnë kontrata të punës të lidhura me të paditurin KEK, me të cilat argumentohet se të njëjtit punojnë me ndërrime, po ashtu, me ekspertizën financiare është vërtetuar se kanë punuar edhe gjatë ditëve të fundjavës (të shtunën dhe të dielën) varësisht nga orari i punës, përkatësisht nga ndërrimet, ndërsa i padituri KEK nuk i ka përllogaritur dhe paguar kompensimet shtesë në lartësi prej 50% për orët e punës gjatë fundjavës, dhe nuk u kishte dhënë as ditë të lira, si një formë të kompensimit në emër të pagës shtesë.

 

  1. Për më tepër, Gjykata vëren se Gjykata Themelore, duke shqyrtuar vetë përmbajtjen e kontratës së punës të lidhur ndërmjet paditësit dhe të paditurit KEK, më saktësisht nenin 6 të kontratës, gjeti se në këtë nen janë numëruar në mënyrë taksative të gjitha rastet kur të punësuarit kanë të drejtë për kompensimet shtesë, dhe ato janë: “në rast se të punësuarit i kërkohet të punoj jashtë orarit të punës, në ndërrim të natës, ndërrim shtesë, gjatë fundjavës, gjatë festave zyrtare apo fundjave“, por i padituri KEK nuk i ka aplikuar si bazë për përllogaritjen dhe pagesën e kompensimit shtesë për të punësuarit. Prandaj, i padituri KEK nuk e ka aplikuar nenin 6, të përmendur më lart, ndaj të punësuarve të tij, përkundër faktit se ka kërkuar punë shtesë prej tyre. Rrjedhimisht, përfundimi i Gjykatës Themelore ka qenë se: “përkundër ekzistimit të obligimeve të parashikuara me nenin 6 të Kontratës, ai as nuk është zbatuar nga i padituri KEK”, dhe kjo çon në përfundimin se nuk është zbatuar as dispozita ligjore e nenit 56 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 të Ligjit të Punës, në bazë të së cilës paditësve u takojnë kompensime shtesë ose ditë pushimi, në përputhje me Ligjin e Punës.

 

  1. Prandaj, për këtë Gjykatë nuk është kontestues fakti se vetë Ligji i Punës lejon mundësinë që punëdhënësi t’i kërkojë punëmarrësit të punojë edhe në ato ditë të cilat sipas Ligjit për festat shtetërore dhe të tjera, si dhe fundjava, janë caktuar si ditë kur nuk po punohet, por gjithashtu për këtë Gjykatë nuk është kontestues as fakti se një punë e tillë duhet të paguhet shumë më tepër se paga që është përcaktuar si paga bazë e punëmarrësit.

 

  1. Rrjedhimisht, kur rrethanat reale imponojnë kryerjen e punës edhe në ditën e festës dhe të fundjavës, e cila ditë sipas Ligjit të Punës është ditë kur nuk punohet, punëdhënësi e ka lejen e ligjvënësit të organizojë punën, por duhet të paguajë të punësuarin në përputhje me dispozitën përkatëse ligjore, si dhe në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, e cila, sipas mendimit të Gjykatës Themelore, “duhet të jetë në përputhje me dispozitat e ligjit”.

 

  1. Pikërisht në mbështetje të kësaj, Gjykata rikujton se “të drejtën për pagesë shtesë”, si pjesë përbërëse të pagës për punën e kryer dhe kohën e kaluar në punë, i punësuari e realizon në pajtim me nenin 56 paragrafin 2 (Pagesa shtesë) të Ligjit të Punës, në të cilin përcaktohet se i punësuari ka të drejtë në pagë të rritur në lartësi të përcaktuar me aktin e përgjithshëm dhe kontratën e punës, dhe atë në përqindje si në vijim:

 

“20% në orë për kujdestari;

30% në orë për punë gjatë natës;

30% në orë punë jashtë orarit;

50% në orë për punë gjatë ditëve të festave;

50% në orë për punë gjatë fundjavës“.  

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata nuk e konsideron arbitrare konkluzionin e Gjykatës Themelore në Aktgjykimin [C. nr. 3443/12] se paditësve u takon kompensimi, dhe kjo për arsye se neni 56 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 i Ligjit të Punës, rregullon qartë çështjen e “shtesave në pagë“, ku secilit punëmarrës, nëse ai punon gjatë fundjavës, i ofron mundësinë për të realizuar të drejtën në kompensim prej 50% për një punë të tillë, të cilës, në rastin konkret i padituri KEK, sipas konkluzioneve të Gjykatës Themelore, nuk i është përmbajtur.

 

  1. Gjykata gjithashtu është e mendimit se Aktgjykimi [C. nr. 3443/12] i Gjykatës Themelore, nuk është i paarsyetuar në përputhje me nenin 160 paragrafi 4 të LPK-së, siç pretendon parashtruesi në kërkesën e tij, dhe atë për arsye se Gjykata Themelore, në mënyrë të drejtë shqyrtoi të gjitha kushtet e përcaktuara me dispozitën e nenit të përmendur, përkatësisht ajo: i) i shqyrtoi “kërkesat e palëve”, ii) “i shqyrtoi faktet dhe provat e parashtruara nga palët”, iii) “arsyetoi se me cilat prova i vërtetoi faktet”, dhe iv) shpjegoi në aktgjykimin e saj “se si i ka vlerësuar këto prova”.

 

  1. Duke shqyrtuar më tej Aktgjykimin [C. nr. 3443/2012] e Gjykatës së Apelit në kontekst të aktgjykimit të paarsyetuar, përkatësisht të nenit 160 paragrafi 4 të LPK-së, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit ka trajtuar pikërisht çështjen e zbatimit të nenit 56 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 të Ligjit të Punës, i cili rregullon çështjen e shtesave në pagë, për të cilën gjë parashtruesi në kërkesën e tij konsideron se Gjykata e Apelit ka dështuar ta bëjë këtë.

 

  1. Lidhur me këtë, Gjykata gjen se qëndrimi i Gjykatës së Apelit lidhur me këtë pretendim ankimor në Aktgjykimin [Ac. nr. 666/19] ka qenë se me nenin 56 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 të Ligjit të Punës, përcaktohet qartë: “50% në orë për punë gjatë fundjavës”, andaj, interpretimi i kësaj dispozite, sipas mendimit të Gjykatës së Apelit, nënkupton që secilit që i bie orari i punës në ditët e fundjavës, përveç kompensimit mujor, i takon edhe kompensimi shtesë prej 50% në orë, pasi fundjava është fakt që janë ditët e shtunë dhe e diele dhe kjo vlen për të gjithë punëdhënësit, pa marrë parasysh mënyrën e organizimit të punës, orarin e punës dhe javës së punës.

 

  1. Gjithashtu, Gjykata gjen se Gjykata e Apelit konkluzionin e saj lidhur me detyrimin e të paditurit KEK që paditësve t’iu paguajë kompensimin e bazoi në detyrimin që rezultoi nga neni 39 i Kodit të Punës, si dhe neni 6 i Kontratës së Punës nr. 5761/0 të 1 marsit 2011, të lidhur me paditësit, ku përcaktohet qartë se: “për punën në ndërrimin e natës, përtej orarit të punës, gjatë festave apo në ndonjë kohë tjetër (që kjo sipas ligjit është gjatë fundjavës) punëtorëve u takon kompensimi shtesë, apo të drejtën e tij për pushim në vend të pagesës“.

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata nuk mund të mos vërejë edhe një fakt tjetër të rëndësishëm, i cili doli si rezultat i analizës krahasuese të dispozitave relevante ligjore të Ligjit të Punës dhe kategorive të caktuara të punëmarrësve në sektorë të ndryshëm, e cila është kryer nga Gjykata e Apelit, ku kjo e fundit arriti në përfundim se, në qoftë se paditësve të cilët kanë punuar dhe punojnë gjatë fundjavës nuk u paguhet kompensimi shtesë, ndërsa të punësuarve në shëndetësi që punojnë gjatë fundjavës u paguhet ky kompensim, kjo do të përbënte “një arsye dhe bazë të mjaftueshme për diskriminim“.

 

  1. Gjykata më tej gjen se Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e saj [Ac.br.666/19]  ndër të tjera, u ndal edhe në pretendimin ankimor të cilin parashtruesi i kërkesës e ngre edhe pranë kësaj Gjykate, dhe i cili ka të bëjë me pretendimet se “përcaktimin e orarit të punës për të punësuarit në turne, e paditura e bënë në pajtim me nenin 20 paragrafi 2 të Ligjit të Punës”. Në mbështetje të kësaj, Gjykata e Apelit, duke iu përgjigjur këtij pretendimi, konstatoi se, “E drejta e punëdhënësit për organizim të javës së punës, orarit të punës, nuk afekton në të drejtën e tyre për mos pagesë të punësuarve të cilët në kohë të caktuar orari i punës i bie ditëve të fundjavës, e që llogariten si ditë të vikendit“.

 

  1. Duke e shqyrtuar me kujdes procedurën e mëtejshme para Gjykatës Supreme në kontekst të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata gjen se nuk qëndrojnë pretendimet e tij ankimore se Gjykata Supreme, gjatë procedurës së revizionit, nuk e ka shqyrtuar dhe analizuar në mënyrë adekuate dispozitën përkatëse ligjore të nenit 56 paragrafi 2 të Ligjit të Punës, për çështjen e caktimit të kompensimit për paditësit. Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstaton se analiza e këtij pretendimi të parashtruesit të kërkesës rezultoi me përfundimet e mëposhtme të Gjykatës Supreme:

 

  1. “[…] një e drejtë […] e punëtorëve, këtu, paditësve, ishte paraparë edhe me kontratat e punës (2011), neni 6, edhe me nenin 39.1 të Kodit të Punës të paditurës, në të cilin, veç tjerash, lidhur me pagesat shtesë, thuhet se “Për punën e kryer nga një punëmarrës në ndërrimin e natës, ose përtej orarit të punës, sipas kontratës së punës me punëmarrësin, gjatë festave zyrtare, ose gjatë ndonjë kohe tjetër që përshkruhet në Ligjin e Zbatueshëm, Punëmarrësi ka të drejtë që të marr pagesën shtesë – pagesat do të bëhen sipas përqindjes së pagës bazë bruto për orët të punëmarrësit e cila duhet të jetë në përputhshmëri me normat e detyruara me Ligjin e zbatueshëm“.

 

  1. “[…] me dispozitën e nenit 56 par. 2 të Ligjit të Punës, shprehimisht parashihet se “Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë: 2.1. 20% në orë për kujdestari; 2.2. 30% në orë për punë gjatë natës; 2.3. 30% në orë për punë jashtë orarit; 2.4. 50% në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe 2.5. 50% në orë për punë gjatë fundjavës”. Nga këtu, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se të punësuarve, në rastin konkret paditësve, u takon paga shtesë prej 50% në orë për punën gjatë fundjavës“.

 

  1. Rrjedhimisht, pretendimet e parashtruesit të kërkesës se aktgjykimet e Gjykatës Themelore, të Apelit dhe asaj Supreme nuk janë në përputhje me nenin 160 paragrafi 4 të LPK-së, Gjykata i cilëson si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

 

  1. Lidhur me këtë, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në kontekst të aktgjykimeve të paarsyetuara gjyqësore, duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenit 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës

 

  1. Gjykata gjithashtu gjen se parashtruesi i kërkesës konsideron se në rastin e tij është shkelur edhe neni 54 i Kushtetutës, “meqenëse gjykatat kanë krijuar detyrime të cilat nuk janë të mbështetura në dispozitat ligjore të Ligjit të Punës, duke shkelur kështu nenin 54 të Kushtetutës“.

 

  1. Ndërsa, sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se, “në paragrafin 3 të nenit 102 të Kushtetutës, shprehimisht parashihet se Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit. Në rastin konkret Gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës“.

 

  1. Gjykata, duke i shqyrtuar me kujdes këto pretendime në kontekst të kushtetutshmërisë, vëren një karakteristikë të rëndësishme e cila është thelbësore për të dy pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe ka të bëjë me faktin se parashtruesi i kërkesës nuk i ka arsyetuar në mënyrë adekuate shkeljet e pretenduara të neneve të përmendura të Kushtetutës, gjë që vetvetiu e kufizon Gjykatën që në vazhdim të Aktvendimit të trajtojë bazueshmërinë e tyre në kontekst të shkeljeve të mundshme kushtetuese.

 

  1. Më konkretisht, sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, sipas mendimit të Gjykatës, parashtruesi i kërkesës nuk ka theksuar ose shpjeguar se cilat janë ato detyrime të krijuara rishtazi që kanë rezultuar nga vendimet gjyqësore, të cilat si të tilla nuk mbështeten në dispozitat ligjore të Ligjit të Punës, dhe si kanë kontribuar ato në shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës. Ndërsa, sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, sipas mendimit të Gjykatës, parashtruesi i kërkesës nuk ka shpjeguar dhe as arsyetuar se si gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose në kundërshtim me dispozitën kushtetuese të cilën ai e cilëson si të shkelur.

 

  1. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata rikujton se sipas praktikës së vendosur gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:

 

  1. a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih: në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës (Vendim) nr. 4241/03, të 31 majit 2005, shih, gjithashtu, rastin Baillard kundër Francës (Vendim) nr. 6032/04, të 25 shtatorit 2008);

 

  1. b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe (shih rastin KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 42).

 

  1. Në kontekst të rastit konkret, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmendi shkeljet e neneve 54 dhe 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, duke ofruar pretendime që nuk shpjegojnë qartë se si ka ndodhur shkelja e këtyre neneve. Lidhur me këto pretendime, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi i neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së dhe përmendja e tyre nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, cituar më lart, paragrafi 81; KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52, KI04/21, cituar më lart, paragrafët 38-39).

 

  1. Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 54 dhe 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, kërkesa duhet të të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyeshme”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një ose disa dispozita të Konventës, pa i shpjeguar ato.

 

Përfundim

 

  1. Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkeljen e nenit 54 dhe nenit 102 paragrafi 3 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësi, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Kërkesa për masë të përkohshme

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkon nga Gjykata të vendosë masë të përkohshme, duke pretenduar se “Korporata Energjetike e Kosovës, konsideron se Aktgjykimet e kësaj procedure gjyqësore e me theks të veçantë aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Supreme bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ekzekutimi eventual i këtyre Aktgjykimeve do të shkaktonte dëm të pa riparueshëm për shkakun se shumë nga paditësit veç e kanë arritë moshën e pensionimit dhe në rast eventual kundërpërmbarimit e paditura nuk do të mund ti realizonte asnjëherë shumat që tani ekziston rreziku të ekzekutohen”.

 

  1. Megjithatë, Gjykata tanimë konkludoi se kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme në baza kushtetuese.

 

  1. Prandaj, në pajtim me nenin 27.1 të Ligjit dhe në përputhje me rregullin 57 (4) (a) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit, pasi që kërkesa është deklaruar e papranueshme.

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 27.1 të Ligjit dhe rregullat 39 (1) (d) dhe (2) dhe 57 (1) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 8 shtator 2022, njëzëri

 

VENDOS

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  1. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Gjyqtari raportues                                                 Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Bajram Ljatifi                                                                            Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

“Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A.”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile