Prishtinë, më 9 dhjetor 2022
Nr. ref.:RK 2092/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI45/22
Parashtrues
Behar Syla
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës REV. nr. 389/2021 të 15 shkurtit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
në përbërje:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendës kryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Behar Syla, nga fshati Frashër i Madh, komuna Mitrovica e Jugut (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [REV. nr. 389/2021] të 15 shkurtit 2022, në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [AC. nr. 943/19] të 27 majit 2019 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë [C. nr. 801/2019] të 4 gushtit 2020.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta, përmes të cilëve pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 50 [Të Drejtat e Fëmijës], paragrafi 1 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), neni 19, pika 1 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, si dhe nenin 1, pika 1. 2 dhe neni 3, pikat 1. 7, 1. 22, 1. 23, 1. 24, 1. 25, 1. 26, 1. 27, 1. 28, 1. 29, të Ligjit nr. 06/L – 084 për mbrojtjen e fëmijëve.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 prill 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 20 prill 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [GJR. KI45/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 21 prill 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 15 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata konstaton se në mes të parashtruesit të kërkesës dhe bashkëshortes së tij F.S., është zhvilluar procedura e shkurorëzimit që ka përfunduar, së pari me aktgjykimin [C. nr. 631/2018] të Gjykatës Themelore të 20 dhjetorit 2018, e më pas me aktgjykimin e formës së prerë [AC. nr. 943/19] të Gjykatës së Apelit, të 27 majit 2019. Me këto aktgjykime, martesa e parashtruesit të kërkesës dhe bashkëshortes së tij F.S. ishte zgjidhur, ndërsa kujdestaria, edukimi dhe mbajtja e fëmijës së tyre të mitur A.S i jepet nënës F.S. Me të njëjtat aktgjykime, parashtruesit të kërkesës i lejohej të shihte fëmijën e mitur A.S. çdo të premte nga ora 10:00 deri në orën 16:00, si dhe në ditën e dytë të festës së Vitit të Ri, ditëve të tjera të festave fetare në periudhën nga ora 10:00 deri në 4:00 pasdite.
Megjithatë, më 22 gusht 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, duke kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi [C. nr. 631/2018] i Gjykatës Themelore në lidhje me mbajtjen, kujdesin dhe edukimin e të miturës A.S., dhe që atij t'i besohet kujdestaria, mbajtja dhe edukimi si baba, duke theksuar ndër të tjera, “[…] fëmija paditësit i është marrë pa dëshirën e tij, ku pranim dorëzimi i fëmijës është bërë pranë Qendrës për Punë Sociale (në tekstin e mëtejmë: QPS), e njëjta ka pasur shenja në trup, përmes fotografive si dëshmi lidhur me maltretimet e tij“.
Pas pranimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, gjyqtari i rastit kërkoi mendim nga QPS-ja në Mitrovicë lidhur me çështjen e besimit për fëmijën A.S., i cili i ishte caktuar nënës.
Më 14 maj 2020, QPS-ja në Mitrovicë dorëzoi një raport me shkrim në gjykatë në të cilin ka propozuar që fëmija i mitur A.S. të vazhdojë të jetë nën kujdestarinë, edukimin dhe mbështetjen e të paditurës F.R., duke marrë parasysh moshën e fëmijës. Në mbështetje të kësaj, QPS-ja kishte thënë; “[…] pasi që është më se e nevojshme prezenca dhe kujdesi i theksuar i nënës për mirëqenien e fëmijës “.
Gjykata Themelore, pas marrjes së mendimit nga QPS-ja, caktoi seancën e shqyrtimit kryesor jo publike, ku ishin të pranishëm parashtruesi i kërkesës dhe avokati, e paditura F.R., si dhe përfaqësuesja eQPS-së në Mitrovicë. Gjatë seancës, parashtruesi i kërkesës si paditës ka mbetur plotësisht pranë kërkesëpadisë, ndërsa e paditura F.R. është shprehur se beson se fëmija duhet të vazhdojë të qëndrojë me të pasi është e punësuar dhe ka të ardhura mujore dhe se fëmija jeton në kushte të mira. Lidhur me pretendimin se fëmija është keqtrajtuar dhe ka shenja, e paditura F.R ka deklaruar se fëmija, „shenjat sipas mendimit të saj i ka marrë gjatë qëndrimit tek paditësi, mirëpo nuk e përjashtoj mundësinë se ndonjëherë edhe tek unë është rrëzuar, sepse fëmija është shumë i lëvizshëm …“.
Gjithashtu, zyrtarja e QPS-së, gjatë seancës së shqyrtimit kryesor dhe në fjalën e saj përfundimtare, deklaroi se: „Mbes në tërsi pran raportit te dt. 14.05.2020, ku ne si Organ i Kujdestarisë në mënyrë të Vazhdueshme e kemi trajtuar rastin dhe gjatë tërë kësaj kohe ne nuk kemi hasur në ndonjë element që mund të na shpije deri te ndryshimi i mendimit për besimin e fëmijës, pasi që ne mendojmë se nuk cenohet interesi i fëmijës nëse vazhdon të jetë tek nëna e saj tani e paditur. Kurse sa i përket kontakteve për neve është e pranueshme çfarë do marrëveshje që palët mund arrijnë në seancën gjyqësore për mënyrën dhe terminin e realizimit të kontakteve. Po ashtu sa i përket fotove, ne nuk mund të konstatojmë se kur ka ndodh lëndimi me arsyetimin se shumica e këtyre lëndimeve kanë ndodhur gjatë realizimet të kontakteve që palët kanë pasur marrëveshje të lidhur në QPS, para nxjerrjes së vendimit gjyqësore …“.
Më 4 gusht 2020, Gjykata Themelore nxori aktgjykimin [C. nr. 801/2019] i cili, në pikën I të dispozitivit, hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar, në pikën II të dispozitivit, kërkoi nga QPS-ja si autoriteti i kujdestarisë që t'i kushtojë vëmendje dhe mbikëqyrje shtesë në këtë çështje, dhe të monitorojë me vëmendje të veçantë nëse F.R., si nënë, përmbush detyrimet e saj si prind kujdestar dhe në rast nevoje të marrë të gjitha masat e nevojshme të parashikuara me ligj dhe gjithmonë në interesin më të mirë të fëmijës, të miturës A.S.
Gjykata Themelore në arsyetimin e aktgjykimit [C. nr. 801/2019], ndër të tjera theksoi:
„[…] gjykata me rastin e vendosjes si në të dispozitivit të këtij aktgjykimi u bazua edhe në nenin 50 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili nen flet për të drejtat e fëmijëve ku par. 1 parasheh se “Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre“. neni 3 i po të njëjtit nen parasheh se “Secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi”, po ashtu par. 4 i po të njëjtit nen parasheh se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve, kurse par. 5 i po të njëjtit nen parasheh se “Secili fëmijë gëzon të drejtën për raporte të rregullta personale dhe kontakte të drejtpërdrejta me prindërit e vet, me përjashtim kur institucioni kompetent përcakton se një gjë e tillë është në kundërshtim me interesat më të mira të fëmijës”, e në lidhje me nenin 3 të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, ku par. 1 parasheh se “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”.
Paragrafi 2 i nenit të lartcekur parasheh se: „Shtetet Palë angazhohen që t’i sigurojnë fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien e tij, duke pasur parasysh të drejtat dhe detyrat e prindërve të tij, të kujdestarëve të tij ligjorë ose të personave të tjerë ligjërisht përgjegjës për të dhe, për këtë qëllim, ata marrin të gjitha masat legjislative dhe administrative përkatëse”.
Gjykata vlerësoj edhe pretendimet e palëve ndërgjyqëse lidhur me lëndimet që fëmija i ka marr si pasoj e moskujdesit të njërit apo tjetrit prind, mirëpo për të njëjtat gjykata sqaron faktin se nuk ishin me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje lëndore, nga se në këtë procedurë nuk mund të vërtetohet se fëmija këto lëndime a i ka marr duke lozur-vrapuar apo për shkak të mos kujdesit nga prindërit e të njëjtës, apo të shkaktuar nga të njëjtit, si dhe sa i përket ketyre pretendimeve në rast dyshimi t’ju drejtohen organeve gjegjëse në një procedurë tjetër, në atë mënyrë që të vërtetohet shkaktari i vërtet i këtyre lëndimeve.
Gjykata kur vendosi si në pikën dy të dispozitivit u bazua në faktin se pasi që pran QPS-së në Mitrovicë, zhvillohet kontakti gjegjësisht pranim-dorëzimi i fëmijës së mitur si dhe e mbikëqyr të drejtën princore, e njëjta (QPS-ja) është e obliguar që si organ i kujdestarisë që ta ketë nën përkujdesje dhe mbikëqyrje të shtuar në këtë çështje dhe të përcjellet me vëmendje të veçantë se e paditura F.R. nga Mitrovica si nënë a po i kryen detyrat si prind kujdestar lidhur me kujdesin dhe edukimin si dhe sa i përket kontakteve të fëmijës me babain e saj ashti siç është paraparë me vendimin, e në rast nevoje të ndërmirën të gjitha masat e parapara ligjore, dhe atë gjithnjë në interesin më të mirë të fëmijës së mitur A. S.“
Kundër aktgjykimit [C. nr. 801/2019] të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike lidhur me faktin se gjykata nuk i ka „hetuar gërvishtjet e fëmijës që vërehen në fotografi “,si dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, më saktësisht nenit 144 dhe 145 të Ligjit për Familjen i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: LFK).
Më 8 prill 2021, Gjykata e Apelit nxori aktgjykimin [Ac. nr. 4766/2020], përmes të cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, duke vërtetuar aktgjykimin [C. nr. 801/2019] të Gjykatës Themelore në tërësi.
Në arsyetimin e aktgjykimit [Ac. nr. 4766/2020], Gjykata e Apelit ndër të tjera, theksoi:
„Gjykata e Apelit vlerëson se nuk qëndron pretendimi ankimor i paditësit për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga shkaku se pretendimi i paditësit që ka të bëjë me me ndryshimin e aktgjykimit, të lartcekur dhe që fëmija i mitur A.S., t'i besohet në ruajtje, kujdes, edukim dhe mbajtje paditësit, për këtë gjykate është i pa bazuar për faktin se në bazë të shkresave të lëndës qartë konstatohet se e mitura tani është e moshës 4 vjeçare, e njëjta që nga lindja ka jetuar vetëm me nënën- nuk ka jetuar në bashkësi me babain asnjëherë, me çka duke marrë për baze lidhjen e fortë emocionale të nënës me fëmijën gjykata me rastin e vendosjes e ka marrë si esenciale që e mitura të mbetet në ruajtje, mbajtje dhe kujdes të paditurës. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë gjatë hetimit të rrethanave, me të drejtë është bazuar edhe ne Raportin e QPS-së Mitrovicë, i dt. 14.05.2020...”.
Sipas Gjykatës së Apelit, në bazë te nenit 144 te LFK, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka hetuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që janë me rëndësi për zhvillimin e drejtë psikik dhe fizik të të miturës, ku edhe ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me këtë pjesë dhe në mënyrë të drejtë ka zbatuar edhe të drejtën materiale, pasi që edhe kjo gjykatë konsideron se interesi më i mirë i të miturës për momentin është që të jetojë tek nena e saj këtu e paditur, veçanërisht nevojat -lidhjen emocionale me nënën me të cilën jeton dhe se nuk kanë lindur rrethanat që do të ndikonin në ndryshimin e aktgjykimit.
Sa i përket ankesës së paditësit se gjykata nuk i ka hetuar gërvishtjet e fëmijës që vërtetohet nga fotot në shkresat e lëndës, Gjykata e Apelit këto pretendime i vlerësoi si të paqëndrueshme, sepse gjykata c shkallës së parë në vendimin e saj ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me këtë çështje, ku ka theksuar se "në këtë procedurë nuk mund të vërtetohet se fëmija keto lëndime a i ka marrë duke lozur-vrapuar apo për shkak t[ moskujdesit nga ana e prindërve apo nga vetë prindërit, e qe në rast dyshimi prindërit mund t’iu drejtohen organeve gjegjëse në procedurë tjetër me qëllim të vërtetimit të shkaktarit të këtyre lëndimeve”, e që një qëndrim të tillë e pranon edhe kjo gjykatë, sepse në rast të dyshimit të paditësit për keqtrajtimin e fëmijës mund të inicojë procedurë tjetër.
Nga gjendja e vërtetuar faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë, edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë, ku gjykata e shkallës së parë vendimin e saj e bazoi në dispozitat ligjore të nenit 144, 145 të LPK-së, nenit 50 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.“
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, duke deklaruar se vendimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë janë të përfshira në shkelje të nenit 182.2 pika n) të LPK, se gjykatat nuk kanë marrë në shqyrtim provat që lidhen me lëndimet fizike të fëmijës.
Më 15 shkurt 2021, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin [Rev. nr. 89/2021], përmes të cilit refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër aktgjykimit [nr. 4766/2020] të Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin e aktgjykimit [Rev. nr. 89/2021], Gjykata Supreme, ndër të tjera, thekson:
„Pretendimet e paraqitura në revizion se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë është i përfshirë në shkelje nga neni 182. 2. pika n) të lpk-së, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk janë të themelta. Kjo për shkak se gjykata e shkallës së dytë e ka arsyetuar aktgjykimin e saj për të gjitha pretendimet ankimoer të paraqitura, përfshirë edhe vlerësimin për shkeljet që shikohen sipas detyrës zyrtare. Në këtë kontekst, aktgjykimi i kundërshtuar përmban arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha pretendimet ankimore sa i përket shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Po ashtu pretendimet në revizion se paditësi në gjykatë ka prezantuar prova të cilat tregojnë se fëmija A. S., disa herë pa pushim ka pasur lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit, mirëpo, këtë prova nuk janë shqyrtuar fare nga gjykata dhe nuk janë nxjerrë si prova, bazuar në procesverbalin e shqyrtimit kryesor të datës 21.07.2020, ndersa gjykata e shkallës së parë në aktgjykim arsyeton se në këtë fazë të procedurës me shikimin ne foto dokumentacionit, nuk mund të vërtetohet koha se kur fëmija i ka marrë lëndimet e pretenduara, është pretendim që nuk mund të merret parasysh për faktin se me ankesën e ushtruar nga pala paditëse kundër aktgjykimit të shkallës së parë, nuk ka pasur fare pretendime për shkelje esenciale të procedurës kontestimore, ndërsa kjo nuk është shkelje për të cilën gjykata e shkallës së dytë është dashur te kujdeset sipas detyrës zyrtare sipas nenit 194 te LPK -së. Me vetë faktin që nuk ka pasur pretendime sipas ankesës këto pretendime nuk mund të parashtrohen as me revizion konform nenit 214 par. 4, i riformuluar me nenin 9, të Ligjit Nr. 04/L-118, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L·006 për Procedurën Kontestimore.
Gjykata Supreme vlerëson se me vetë faktin që gjykata e shkallës së parë gjatë shqyrtimit në seancën e datës 21.7.2020, ju ka mundësuar palëve që të deklarohen për foto dokumentacionin në shkresat e l ëndës, për të cilat është deklaruar edhe e paditura, si dhe përfaqësuesja e Qendërs për Punë Sociale në Mitrovicë, nënkupton se kjo provë është administruar me vetë faktin se palëve ju është mundësuar që të deklarohen për të njëjtën, pasi qëllimi i administrimit të provave në shkresat e lëndës është që palëve të ju mundësohet të deklarohen për të njëjtat, si dhe ti paraqesin kundërshtimet e tyre, andaj çdo pretendim sa i përket kësaj çështje është i pabazuar”.
Andaj duke marrë parasysh të gjitha thëniet në revizion, Gjykata Supreme vlerëson se gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes ka marrë parasysh të gjitha rrethanat me rëndësi për të vendosur në interesin dhe mirëqenien e fëmijës së mitur, dhe se çdo pretendim në këtë drejtim është i pa bazuar, andaj drejt janë zbatuar dispozitat e nenit 140 par. 1,2,3, dhe 4, dhe nenit 141 par: 1 dhe 2, të Ligjit mbi Familjen, dhe nuk qëndrojnë as thëniet e revizionit për zbatimin e gabuar të së drejtës materiale”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se të drejtat e tij të garantuara me nenin 50 [Të Drejtat e Fëmijës], paragrafët 1 dhe 3 të Kushtetutës, neni 19, pika 1 e Konventës për të Drejtat e Fëmijës janë shkelur me aktgjykimet e kontestuara të gjykatave të rregullta. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se aktgjykimet e kontestuara shkelin nenin 1, pika 1, 2, dhe nenin 3, pikat 1. 7, 1. 22, 1. 23, 1. 24, 1. 25, 1. 26, 1. 27, 1. 28, 1. 29, të Ligjit nr. 06/L – 084 për mbrojtjen e fëmijëve.
Megjithatë, ajo që është evidente për këtë gjykatë është se në kërkesë parashtruesi i shpjegon shkeljet e pretenduara të nenit 50 të Kushtetutës dhe neneve të ligjit ekskluzivisht me deklaratën e mëposhtme:
„Ditën që më është caktuar nga Gjykata për ta parë fëmiun, (të premteve prej orës 10:00 deri ne 16:00) vërej të mavijosura në kokë, në trup, në këmbë, shoh shenja të duarve në shpin, ne faqe si dhe lëndime në kokë (mbrenda muajit 11/2018 i kam vrejtur tri lëndime të renda në kokë). I referohna nenit 50 paragrafi 1 dhe 3 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës“.
Parashtruesi kërkon nga Gjykata „ti anuloj te gjitha këto Vendime - Aktgjykime të Gjykatave paraprake, sepse bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe ligjeve te aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe të më mundësohet besimi i fëmiut tim”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Dispozitat relevante kushtetuese dhe dispozitat e KEDNJ-së
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 50
“[Të Drejtat e Fëmijës]
Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre.
Fëmijët e lindur jashtë martese, kanë të drejta të barabarta me të lindurit në martesë.
Secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi.
Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.
Secili fëmijë gëzon të drejtën për raporte të rregullta personale dhe kontakte të drejtpërdrejta me prindërit e vet, me përjashtim kur institucioni kompetent përcakton se një gjë e tillë është në kundërshtim me interesat më të mira të fëmijës.”
KONVENTA PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE
“Neni 19
Shtetet palë marrin të gjitha masat e pёrshtatshme legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunёs fizike ose mendore, fyerjes ose keqtrajtimit, braktisjes apo mospёrfilljes, nëpërkëmbjes ose shfrytёzimit, duke përfshirë abuzimin seksual, për sa kohё që ai është nёn ruajtjen e prindёrve të tij ose të njёrit prej tyre, të përfaqësuesit ose pёrfaqёsuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetёr të cilit i është besuar.
[...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
„1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
(…)
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata në vijim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."
Neni 49
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor... .”
Sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [REV. nr. 389/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 15 shkurtit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, me rastin e vlerësimit nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me ligj, Gjykata gjithashtu i referohet nenit 48 të Ligjit, i cili përcakton detyrimin e parashtruesit të kërkesës për të specifikuar saktësisht në kërkesën e paraqitur në Gjykatë se cilat të drejta dhe liri ai pretendon se janë shkelur.
I njëjti kusht është paraparë me rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (1) (d), parasheh:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.“
Sa i përket këtyre kushteve, Gjykata së pari thekson se neni 48 i Ligjit pasqyrohet dhe konkretizohet më tutje nga rregulli 39 (1) (d) i Rregullores së punës dhe si të tilla këto rregullime – duhet të lexohen bashkërisht (shih, rastin e Gjykatës: KI95/19, Aktvendim për paparanueshmëri i 8 tetorit 2019, parashtrues: Ruzhdi Bejta, paragrafi 30).
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se neni 48 i Ligjit përmban gjithsej dy kërkesa. E para konsiston në (i) obligimin e parashtruesve të kërkesës dhe detyrimin e tyre që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar nga autoriteti publik - vendimin e të cilit e kontestojnë; dhe, e dyta konsiston në (ii) obligimin e parashtruesve të kërkesës dhe detyrimin e tyre që të specifikojnë aktin konkret te autoritetit publik që dëshirojnë ta kontestojnë para Gjykatës Kushtetuese. Që të dy këto kritere te nenit 48 të Ligjit e veçanërisht kriteri i pare i këtij neni reflektohet edhe në rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës ku kërkohet që një kërkesë e parashtruar në Gjykatë duhet të qartësojë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih, rastin e Gjykatës: KI95/19 cituar më lart, paragrafi 31, dhe rasti: KI157/21, parashtrues: Nexhat Veseli, Aktvendim për papranueshmëri i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).
Edhe në nivel të GJEDNJ-së, rastet kur parashtruesit e kërkesës përmendin vetëm nenet e KEDNJ-së mirëpo nuk qartësojnë dhe nuk saktësojnë pretendimet e tyre, kërkesat e tilla shpallen si të papranueshme për mungesë të arsyetimit mbi pretendimet për shkelje të KEDNJ-së. Kërkesa për të paraqitur përmbledhjen e fakteve dhe të shkeljeve të pretenduara të KEDNJ-së me argumentim përkatës kërkohet me rregullin 47 [Përmbajtja e Kërkesës Individuale] të Rregullores së punës së GJEDNJ-së i cili buron nga neni 35 [Kushtet e pranueshmërisë] të KEDNJ-së. Mosrespektimi i kërkesave të parapara nga këto dispozita rregulluese bën që kërkesat te mos merren në shqyrtim në merita nga GJEDNJ (shih në këtë aspekt, rastet e GJEDNJ-së në të cilat parashtruesit nuk kanë arsyetuar fare pretendimet e tyre për shkelje te KEDNJ-së Nicola Borderi kundër Rumanise, nr. 15446/15, vendim i 11 tetorit 2018 dhe Michel Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendim i 25 shtatorit 2008).
Për sa i përket këtij rasti, në lidhje me kushtet e përmendura të pranueshmërisë të përcaktuara në Ligj dhe të specifikuara më tej në Rregullore të punës, Gjykata thekson se përkundër faktit se parashtruesi i kërkesës theksoi qartë se ai e konteston aktgjykimin [REV. nr. 389/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 15 shkurtit 2022, dhe për faktin se ka përmendur dispozitën që pretendon se është shkelur, përkatësisht nenin 50 të Kushtetutës, nuk e ka përmbushur obligimin e tij që „ në mënyrë adekuate paraqet [...] pretendimet se janë shkelur të drejtat apo dispozitat e kushtetutës” nga autoritetet publike, përkatësisht me aktgjykimet e kontestuara të gjykatave të rregullta. Parashtruesi i kërkesës nuk është lëshuar në dhënien e arsyetimeve për shkeljet e neneve të përmendura të ligjit, për të cilat pretendon se janë shkelur me aktgjykimet e gjykatave të rregullta. Ai vetëm përmend nenin e mësipërm të Kushtetutës dhe përmend disa nene të Ligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijëve, duke mos shpjeguar në asnjë mënyrë se si janë shkelur këto të drejta të parashikuara me nenin 50 të Kushtetutës dhe nenet e lartpërmendura të ligjit nga Gjykata Supreme apo gjykatat e tjera të rregullta që kanë vendosur lidhur me kërkesëpadinë e tij.
Në lidhje me këto fakte, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk i ka theksuar qartë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës (shih, rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI95/19, cituar më lart, paragrafi 33; KI157/21, cituar më lart, paragrafi 32).
Prandaj, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së Punës, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 15 nëntor 2022, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Behar Syla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile