KI188/21, Parashtrues: Zenel dhe Isuf Pllashniku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 31/2021, të 21 prillit 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për kompenzim të pronës, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, hapja e vendimit res judicata
Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesve të kërkesës lidhur me mos arsyetimin e vendimit nga ana e gjykatave të rregullta, nën pretendimin se babait të ndjerë të tyre nuk i ishte paguar shuma e përcaktuar në vendimin për eksproprijim dhe se prona kontestuese nuk ishte eksproprijuar. Gjithashtu, parashtruesit e kërkesës pretendonin shkelje të garancive procedurale për sa i përket cenimit të parimit res judicata. Përfundimisht, të njëjtit pretendonin se u ishte cenuar edhe e drejta e tyre e pronës. Parashtruesit e kërkesës kishin ushtruar padi kundër Komunës së Prishtinës ku kërkonin nga e paditura që: parashtruesve të kërkesës t’ iu njihej e drejta e pronësisë në parcelat e eksproprijuara. Aktgjykimi i 13 mars 2003, i Gjykatës Komunale, i cili miratoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës ishte bërë i formës së prerë më 6 qershor 2003. Në vijim, Gjykata Komunale e kishte aprovuar kërkesën për përsëritje të procedurës të ushtruar nga Komuna e Prishtinës, për shkak të provave të reja që konsistonin në informatat se prona e kontestuar ishte eksproprijuar përmes Aktvendimit të 8 korrikut 1985 të Komunës së Prishtinës, ndërsa kompensimi ishte paguar në bazë të faturës. Pas aprovimit të pjesshëm të kërkesëpadisë së parashtruesve të kërkesës nga Gjykata Komunale dhe e Qarkut, Gjykata Supreme i prishi Aktgjykimet e gjykatave të lartcekura, duke aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë dhe revizionin e Komunës së Prishtinës, si dhe duke e kthyer lëndën në rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë. Pas refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, pasoi edhe refuzimi si e pabazuar të ankesës së parashtruesve të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës.
Gjykata vëren se në esencë parashtruesit e kërkesës, kërkesën e tyre e kanë argumentuar dhe ndërtuar në drejtim të (I) cenim të parimit res judicata si rezultat i hapjes së procedurës pasiqë vendimi i Gjykatës Komunale ishte bërë i plotfuqishëm; (II) mos marrjes së një vendimi të arsyetuar gjyqësor, me ç’ rast i janë shkelur të drejtat kushtetuese të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, të njëjtit pretendojnë që për pronën kontestuese: (i) nuk është paguar kompenzimi lidhur me eksproprijimin; (ii) të njëjtit nuk e kanë pranuar Aktvendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës për eksproprijimin e pronës, si dhe (iii) Komuna e Prishtinës nuk kishte hyrë në posedim të pronës kontestuese dhe rrjedhimisht nuk i kishte plotësuar kushtet për të përfunduar eksproporijimin. Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës pretendojnë që (III) u ishte cenuar e drejta e pronës.
Në këtë drejtim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit res judicata, Gjykata vëren se në rastin konkret, si rrethana të një “karakteri substancial bindës dhe detyrues” konsistonin në paraqitjen e provave të reja nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht: (i) Aktvendimit për eksproprijim [nr.07-465-25/85] të 18 korrikut 1985, të Komunës së Prishtinës; si dhe (ii) dëshmisë se kompensimi për eksproprijim ishte paguar në bazë të faturës [nr.376/85-19] të 25 majit 1987. Prandaj, Gjykata konstatoi se të pranuarit si të bazuar të kërkesës për përsëritje të procedurës nga ana e Gjykatës Themelore mund të arsyetohet nga nevoja për të përmirësuar një defekt me rëndësi thelbësore në vendimmarrjen paraprake të të njëjtës Gjykatë. Në vijim, lidhur me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Prandaj, edhe ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Përfundimisht, pretendimet për shkelje të të drejtës së pronës, për të cilën konsiderohet se i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, deklarohet si pretendim qartazi i pabazuar, sepse cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Zenel dhe Isuf Pllashniku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative