Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 17/2020, të 26 janarit 2021

Nr. të lëndës KI 136/21

Parashtruesit: Fejzullah Shasivari

Shkarko:

KI136/21,Parashtrues: Fejzullah Shasivari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 17/2020, të 26 janarit 2021

KI136/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 10 dhjetorit 2021, publikuar më 29 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kontest pune

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës kishte punuar si zyrtar policor në Policinë e Kosovës. Pas hetimeve të bëra nga Njësia e standardeve profesionale e Policisë së Kosovës nën dyshimin se parashtruesi i kërkesës ka bërë shkelje disiplinore, Komisioni i Brendshëm Disiplinor kishte vendosur që parashtruesit të kërkesës ti shqiptojë masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës” , për arsye se “ me datë 06.01.2014 sëbashku me kolegun B.G, ka kontrolluar trafikun në rrugën magjistrale Prizren- Gjakovë, rreth orës 18:00h ka ndaluar personin me emrin G.S, të cilit i ka premtuar se nuk do ta dënoj për kundërvajtjen e kryer, në qoftë se u paguan këtyre darkën në restorant i cili gjendet brenda pompës së benzinës “Bashkimi”, me të  cilën ai ka kryer një shkelje te rende te detyrës zyrtare nga neni 17 pika 1.1, neni 14 pika 1.14, neni 18 pika 1.1 i Udhëzimit Administrative nr. 06/2012 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore ne Policinë e Kosovës dhe te nenit 43 te Ligjit për Policinë”. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Komisionit Disiplinor pranë Komisionit për ankesa dhe shpërblime të Policisë së Kosovës, ku ky i fundit vërtetoi vendimin e Komisionit Disiplinor.

Tutje parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër Qeverisë së Kosovës – Ministrisë së Punëve të Brendshme përkatësisht kundër Vendimit [252-KA-D/2014] të Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës, ku kishte kërkuar anulimin e vendimit si të kundërligjshëm si dhe detyrimin e të paditurës që atij t’ia kompensojë të ardhurat e tij për periudhën 01.10.2015 deri më 15.12.2017. Gjykata Themelore e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e tij. Ankesën përkatësisht revizionin e parashtruesit të kërkesës e kishin refuzuar Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme respektivisht.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev. nr. 17/2020] e 26 janarit 2021 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 6 [ Simbolet], duke aluduar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e  mëtejmë: KEDNJ) dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, ne ndërlidhje me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe provave si dhe zbatimin e gabuar të nenit 8 të LPK-së. Parashtruesi i kërkesës përveç pretendimit për shkeljet e neneve të caktuara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, ai nuk shtjelloi më tej se si dhe pse janë shkelë këto të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Gjykata në vlerësimin e saj, rikujton se parashtruesi i kërkesës vetëm citonte nenin 31 të Kushtetutës duke pretenduar “vlerësim të gabuar të provave  në kundërshtim me nenin 8 të LPK-së”,  mirëpo i njëjti, nuk qartësoi specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e të drejtës për gjykim të drejtë dhe cilat janë ato prova që pretendohet se kanë shkaktuar shkeljen e kësaj të drejte kushtetuese. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. Pra parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk sjelli asnjë argument apo arsyetim shtesë në mbështetje të pretendimeve të tij për shkelje të të drejtave të tij kushtetuese. Për pasojë, Gjykata bazuar në Rregulloren e saj të punës, përkatësisht paragrafin 2 të rregullit 39 të saj, e shpalli këtë kërkesë të papranueshme si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmoi dhe nuk mbështeti në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

Prandaj, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, i takojnë kategorisë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, prandaj, rrjedhimisht të njëjtat u deklaruan qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Fejzullah Shasivari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative