KI139/19, Parashtrues: Riad Bejtullahu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml.nr. 86/2019, të 2 prillit 2019
KI139/19, Aktvendim i miratuar më 10 nëntor 2020, i publikuar më 3 dhjetor 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, shqiptim i masës edukative, barazia e armëve, pranimi i fajësisë, kërkesë qartazi e pabazuar
Objekt i çështjes është kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar përmes së cilit, sipas pretendimit të parashtruesit të kërkesës, i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rrethanat e rastit konkret ngërthejnë kontestimin e shqiptimit të masës edukative të dërgimit në institucionin edukativo-korrektues me kohëzgjatje prej një (1) viti për parashtruesin e mitur të kërkesës nga Gjykata Themelore, si rezultat i të akuzuarit për veprën penale të tij, vrasje në tentativë, siç është përcaktuar përmes nenit 178 në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe pranimit të fajësisë nga i njëjti. Paraprakisht, parashtruesit të kërkesës i ishin shqiptuar masa të tjera për shkak të veprave të mëhershme penale. Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar masën e shqiptuar edukative në Gjykatë të Apelit dhe atë Supreme, duke theksuar, ndër tjerash, që nuk ishin dëgjuar dëshmitarët e propozuar në fazën e hetimeve dhe nuk i kishte kuptuar pasojat e pranimit të fajësisë. Gjykata e Apelit dhe Supreme, respektivisht, kishin vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës, konteston konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me theks në cenimin e parimit të barazisë së armëve, sepse (i) në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës dhe pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk është dëgjuar dëshmitari i propozuar nga mbrojtja e parashtruesit të kërkesës; dhe se (ii) Gjykata ka pranuar “deklaratën sipërfaqësore”, përkatësisht pranimin e fajësisë së parashtruesit të kërkesës, “pa i vërtetuar faktet relevante lidhur më këtë çështje penale”.
Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke filluar me pretendimin për cenimin e barazisë së armëve dhe të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar që të merren në pyetje dëshmitarët në favor të tij në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës, siç është e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shqyrtim ky përgjatë të cilit, Gjykata (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit përkatës. Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me cenimin e parimit të barazisë së armëve, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose të qartë të shkeljes”. Kjo sepse, siç është sqaruar detajisht në Aktvendim, çështja e parashtruesit të kërkesës është përmbyllur në shqyrtim fillestar, fazë kjo në të cilën, bazuar në dispozitat respektive të Kodit të Procedurës Penale, nuk është administruar asnjë provë dhe nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar, por çështja penale është përmbyllur me pranimin e fajësisë nga ana e parashtruesit të kërkesës pas konsultimeve të nevojshme me mbrojtësin e tij. Në rrethana në të cilat, para Gjykatës Themelore, nuk është administruar asnjë provë, nuk ka pasur një kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit përkatës, dhe rrjedhimisht e njëjta as nuk ka refuzuar dëgjimin e tij, palët, përkatësisht Prokuroria e Shtetit dhe parashtruesi i kërkesës, nuk mund të jenë vënë në pozitë të pabarabartë në kuptim të parimit të barazisë së armëve, dhe për pasojë, ky i fundit, nuk mund të jetë cenuar.
Gjykata gjithashtu shqyrtoi të gjitha pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës dhe konstatimet e gjykatave të rregullta, duke përfshirë ato në lidhje me (i) pranimin e fajësisë; (ii) masën e shqiptuar; (iii) pretendimin se Gjykata kishte “tejkaluar” kompetencën e saj përmes ndërrimit të pretenduar të masës edukative; dhe (iv) pretendimin se në kundërshtim me nenin 8 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, të aplikueshëm në rrethanat e rastit, Gjykata Themelore “nga shërbimi sprovues nuk e ka kërkuar raportin para ndëshkues”. Gjykata, pasi dha sqarimin e nevojshëm për secilin prej këtyre pretendimeve veç e veç, theksoi se të njëjtat në esencë ndërlidhen me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, dhe në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i kategorizoi si “pretendime të shkallës së katërt“, duke i shpallur të papranueshme si qartazi të pa bazuara në baza kushtetuese.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Riad Bejtullahu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri