Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 46/2022, të 23 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI181/22

Parashtruesit: Destan Shabanaj

Shkarko:

KI181/22, Parashtrues: Destan Shabanaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 46/2022, të 23 qershorit 2022

KI181/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 29 shkurt 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 dhjetor 2019, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzën [nr. PPS. nr. 17/2019], e akuzoi parashtruesin e kërkesës për shkak të veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, në bashkëkryerje, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (në tekstin në vijim: RSFJ), vepër kjo e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të dytë të saj. Më 22 mars 2021, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [PS. nr. 76/2019] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 i Kodit Penal të RSFJ-së në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventës së Gjenevës, dhe i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) viteve, në të cilin dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 qershori 2019 e deri në plotëfuqishmërinë e këtij aktgjykimi; si dhe ka obliguar parashtruesin e kërkesës të paguajë shumën prej 200.92 eurove në emër të shpenzimeve të procedurës dhe shumën prej 50 eurove në emër të Fondit për kompensim të viktimave të krimit në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Aps. nr. 26/2021] vërtetoi Aktgjykimin [PS. nr. 76/19] e Gjykatës Themelore të 23 qershorit 2021.

Ndërkohe, pas ankimimit, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2022] të 23 qershorit 2022, vendosi që (i) ta aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës; (ii) ta ndryshojë Aktgjykimin [PS. nr. 76/2019] e Gjykatës Themelore të 22 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [APS. nr. 26/2021] e Gjykatës të Apelit të 8 nëntorit 2021, ashtu që në kuptim të nenit 364, paragrafit 1, nënparagrafit 1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK), parashtruesi i kërkesës u lirua nga akuza.

Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 46/2022] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 23 qershorit 2022. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 19 korrik 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 22 nëntor 2022 më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht nëse përmes aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Destan Shabanaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale