Prishtinë, më 23 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2351/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI181/22
Parashtrues
Destan Shabanaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 46/2022, të 23 qershorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Destan Shabanaj, me vendbanim në Novi Pazar të Serbisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Jovana Filipovic, avokat në Graçanicë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2022] të 23 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [APS. nr. 26/2021] e 8 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [PS. nr. 76/2019] të 22 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Aktgjykimi i kontestuar [Pml. nr. 46/2022] i Gjykatës Supreme i 23 qershorit 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës dhe mbrojtësit të tij më 19 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2022] të Gjykatës Supreme të 23 qershorit 2022, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 25 [E Drejta për Jetën], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenet 2 (E drejta për jetën), 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), dhe nenin 3 të Deklaratës për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ), si dhe nenin 6 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (në tekstin e mëtejmë: PNDCP).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 22 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr. GJR. KI181/22] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe përmes vendimit [Nr. KSH. KI181/22] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Me 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë kopjen e plotë të Aktgjykimit të kontestuar si dhe të dorëzojë autorizimin për përfaqësim.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë fletkthesën me informata se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 6 janar 2023 , Gjykata Themelore dorëzoi fletkthesën në Gjykatë që dëshmon se parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e kontestuar me 19 korrik 2022.
Më 31 maj 2023, Gjykata kërkoi përsëri nga parashtruesi që të dorëzojë autorizimin për përfaqësim brenda afati prej shtatë (7) ditëve.
Më 12 qershor 2023, përfaqësuesja e parashtruesit të kërkesës përmes postës dorëzoi autorizimin e kërkuar, të cilin Gjykata e pranoi me 15 qershor 2023.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta deklarojë kërkesën të papranueshme për shqyrtim.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 dhjetor 2019, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzën [nr. PPS. nr. 17/2019], e akuzoi parashtruesin e kërkesës për shkak të veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, në bashkëkryerje, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (në tekstin në vijim: RSFJ), vepër kjo e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të dytë të saj.
Më 22 mars 2021, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [PS. nr. 76/2019] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 i Kodit Penal të RSFJ-së në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventës së Gjenevës, dhe i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) viteve, në të cilin dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 qershori 2019 e deri në plotëfuqishmërinë e këtij aktgjykimi; si dhe ka obliguar parashtruesin e kërkesës të paguajë shumën prej 200.92 eurove në emër të shpenzimeve të procedurës dhe shumën prej 50 eurove në emër të Fondit për kompensim të viktimave të krimit në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, në afat ligjor, ushtruan ankesë në Gjykatën e Apelit (i) parashtruesi i kërkesës për shkak të a) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale; b) shkeljes së ligjit penal; c) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe d) vendimit mbi sanksionin penal, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta miratojë ankesën si të bazuar dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar duke e liruar parashtruesin e kërkesës nga akuza si rezultat i mungesës se provave se i njëjti ka kryer veprën penale, apo aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rivendosje; (ii) Prokuroria Speciale për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozimin që Gjykata e Apelit ta miratojë ankesën dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar duke i shqiptuar dënim më të lartë me burgim parashtruesit të kërkesës; (ii) përfaqësuesi i palës së dëmtuar për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta miratojë ankesën si të bazuar dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, ashtu që ndaj parashtruesit të kërkesës dhe personit Z.K., të shqiptohen dënime më të ashpra.
Më 8 nëntor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Aps. nr. 26/2021]: (i) refuzoi si të pabazuar ankesat e Prokurorisë Speciale kundër personit Z.K., dhe parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi Aktgjykimin [PS. nr. 76/19] e Gjykatës Themelore të 23 qershorit 2021; si dhe (ii) hodhi poshtë si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Kundër Aktgjykimit [Aps. nr. 26/2021] të Gjykatës së Apelit, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kanë ushtruar: (i) mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës për shkak të a) shkeljes së ligjit penal dhe b) shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje apo të ndryshohen ashtu që parashtruesi i kërkesës të lirohet nga akuza; (ii) parashtruesi i kërkesës për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësore dhe b) për shkak të shkeljes së ligjit penal, duke propozuar që aktgjykimet e atakuara të ndryshohen dhe të lirohet nga akuza apo të anulohen të njëjtat dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Më 4 mars 2022, Prokurori i Shtetit, përmes parashtresës [KMLP.II.nr.31/2022], propozoi që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e paraqitur kundër aktgjykimeve të cekura më lart.
Më 23 qershor 2022, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2022] vendosi që(i) ta aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës; (ii) ta ndryshojë Aktgjykimin [PS. nr. 76/2019] e Gjykatës Themelore të 22 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [APS. nr. 26/2021] e Gjykatës të Apelit të 8 nëntorit 2021, ashtu që në kuptim të nenit 364, paragrafit 1, nënparagrafit 1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK), parashtruesi i kërkesës u lirua nga akuza.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Themelore dhe Gjykata Apelit kanë nxjerrë aktgjykimet e tyre në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet 25 [ E Drejta për Jetën], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 2 (E drejta për jetën), 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, nenin 3 të DUDNJ-së si dhe nenin 6 të PNDCP-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Në arsyetimet e dhëna në aktvendimet e Gjykatës së Apelit të Kosovës në lidhje me ankesat kundër vazhdimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës Themelore – Departamentit Special kundër parashtruesit të ankesës kushtetuese, ka marrë pjesë si anëtar i trupit gjykues (gjashtë herë) nga të cilat tri herë si kryetar i kolegjit PN 1.S nr. 61/19, të datës 01.10.2019; PN1 S nr.97/19, të datës 24.12.2019; PN 1 S nr. 31/20, të datës 27.03.2020; PN 1 S nr.74/20, të datës 08.07.2020; PN1 S nr. 91/20, të datës 28.09.2020; dhe PN 1 S. Nr.118/20, të datës 04.11.2020, gjyqtari Burim Ademi. Në arsyetimin e aktvendimit PN 1 nr.74/20, të datës 08.07.2020 thuhet se kryetari i trupit gjykues e ka arsyetuar në mënyrë të drejtë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën ngarkohet,(...) Edhe pse gjyqtari, në bazë të ligjit dhe në përputhje me funksionin e tij, është i detyruar të ruajë besimin ne pavarësinë dhe paanësinë e tij, paragjykimi i krijuar i gjyqtarit Burim Ademi, i cili ka vendosur gjashtë herë në lidhje me paraburgimin kundër të dënuarit si anëtar i kolegjit, me ç’rast është lëshuar në vlerësimin e “dyshimit të mirë-bazuar” në lidhje me veprimet e veprës penale, është i një cilësie të tillë dhe paraqet një rrethanë që cenon supozimin e paanshmërisë së gjyqtarit. (...) në çështjen Haushildt kundër Danimarkës, në të cilën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se kishte pasur shkelje të nenit 6, paragarafi 1 i Konventës në rastin e veprimeve funksionale të gjyqtarit në faza të ndryshme të procedurës dhe në marrjen e vendimeve të cilat ndër të tjera kishin të bënin edhe me vazhdimin e paraburgimit”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk i është dorëzuar Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Pml. nr. 46/2022] i 23 qershorit 2022.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 25 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 të KEDNJ-së, neneve 3 të DUDNJ-së, si dhe nenit 6 të PNDCP-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk ka pasur përkujdesje të duhur mjekësore e cila i garantohet edhe me nenin 48 të Ligjit Nr. 04/L-0149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale që ka qenë në fuqi në kohën kur i njëjti ka qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë, duke shtuar se: “Më 19.06.2019 në Stacionin Shëndetësor të Burgut të SL-së në Podujevë, i dënuari është ekzaminuar nga ana e kardiologut, ku ka raportuar probleme që lidhen me sëmundje të zemres – dg. 121- Infarctus myocardi acutus dhe ka marrë terapi adekuate. Më 25.06.2019 parashtruesi i kërkesës-ankesës ka qenë për vizitë në psikiatri, gjatë së cilës pa e pyetur ia ka përshkruar barin “Leponex”, me të cilin i dënuari është trajtuar deri më 25.02.2019. Në udhëzimet për përdorimin e barit thuhet se me përdorimin e barit “Leponex” rritet rreziku i inflamacionit të muskulit të zemrës (miocarditis), i cili në raste të rralla rezulton me përfundim fatal. (...) Nga kjo që u tha më sipër, ekziston dyshimi i bazuar se ndaj të paraburgosurit – të dënuarit është kryer vepra penal e Vrasjes së mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 në kohëzgjatjen e vazhduar të KPRK-së”.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 të KEDNj-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Vet heqja e pabazuar e lirisë, pra dënimi i pabazuar dhe jogabimi në marrjen e masave në këtë rast, mund të jetë faj, apo edhe vepër penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo shkelje e ligjit nga ana e prokurorit dhe gjyqtarit”. Në këtë aspekt, përfaqësuesja e parashtruesit të kërkesës vë theksin mbi nenin 5 të KEDNj-së, për të cilën potencon se: “jepet një listë shteruese e arsyeve e arsyeve për të cilat lejohet heqja e lirisë; për më tepër mbrojtja e atyre që janë privuar nga liria, në përputhje me ato dispozita fuqizohet nga një korpus i të drejtave materiale që kanë për synim të minimizojnë rrezikun e arbitratitetit, duke siguruar kontroll të pavarur gjyqësor të aktit të heqjes së lirisë dhe përgjegjësinë e autoriteteve vendore për këtë akt”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës pretendon se është privuar nga liria në mënyrë të kundërligjshme, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të papërcaktuar në ligj.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij/saj individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 46/2022] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 23 qershorit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 46/2022] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 23 qershorit 2022. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 19 korrik 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 22 nëntor 2022 më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08 të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht nëse përmes aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 e 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Destan Shabanaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale