Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr.46/2022, të 23 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI131/22

Parashtruesit: Zlatan Krstic

Shkarko:

KI131/22, Parashtrues: Zlatan Krstic, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr.46/2022, të 23 qershorit 2022 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, legaliteti dhe proporcionaliteti në procedurë penale, gjykatë e paanshme 

Rrethanat e rastit ndërlidhen me vendimin e Gjykatës Themelore për shpalljen fajtor të parashtruesit të kërkesës për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile. Në vijim, parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësi i tij kishin parashtruar ankesa të ndara me propozimin që  Gjykata e Apelit të aprovoi ankesat e tyre dhe ta ndryshoj aktgjykimin e ankimuar ashtu që të refuzohet ankesa e Prokurorit në mungesë të provave ose të bëhet rikualifikimi i veprës penale në harmoni me ankesën e ushtruar, ose të prishet aktgjykimi i ankimuar dhe lënda të kthehet në rivendosje. Në anën tjetër edhe Prokuroria Speciale parashtroi ankesë për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit, ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta ndryshoj aktgjykimin e ankimuar lidhur me sanksionin penal ashtu që parashtruesit të kërkesë t’i shqiptoj dënim më të lartë me burgim. Pas refuzimit si të pabazuara të ankesave të Prokurorit, parashtruesit të kërkesës dhe mbrojtësit të tij, si dhe vërtetimit të tij nga ana e Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesë dhe mbrojtësi i tij parashtruan kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë me propozimin që aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe parashtruesi i kërkesës të lirohet nga akuza ose të anulohet aktgjykimi i shkallës së dytë dhe çështja t’i kthehet gjykatës në rivendosje duke e udhëzuar që ta arsyetojë aktgjykimin dhe t’i vlerësoj pretendimet ankimore. Në anën tjetër Prokurori propozoi që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimeve të lartcekura. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.

Gjykata sjellë në vëmendje pretendimet e parashtruesit të kërkesës se vendimet e gjykatave të rregullta i kanë shkelur atij të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, përkatësisht (i) për sa i përket parimit të paanshmërisë së gjykatës; si dhe (ii) pretendimet për administrim jo të duhur të provave; dhe (II) pretendimet për shkelje të nenit 33 të Kushtetutës, për sa i përket parimit të legalitetit dhe proporcionalitetit në çështje penale.

Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për paanësinë e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nuk konsiderohen të jenë të justifikuara në mënyrë objektive sepse: (i) vendimet e gjyqtarëve A.B. dhe B.A, për vazhdimin e paraburgimit janë vendime procedurale që nuk kanë përcaktuar fajësinë apo pafajësinë apo të drejtat dhe obligimet e parashtruesit të kërkesës; (ii) nuk ka asgjë në shkresat e lëndës që sugjeron se gjyqtari A.B dhe B.A, kanë shprehur qëndrim armiqësor apo vullnet të keq ndaj parashtruesit të kërkesës; dhe se (iii) gjyqtarët A.B dhe B.A., nuk kanë shprehur paraprakisht opinion lidhur me fajësinë e parashtruesit të kërkesës çka do ta komprometonte procesin penal kundër tyre.

Në vijim, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me administrimin e provave, Gjykata në linjë me praktikën e  saj të konsoliduar gjyqësore theksoi që pika  që  shqyrtohet  është  ajo  nëse  procedura,  duke  përfshirë  edhe  mënyrën  se  si  janë  mbledhur  provat, si dhe në  ato  raste  kur  dyshohet për shkeljen e një të drejte tjetër të mbrojtur nga Konventa, të natyrës së kësaj shkeljeje. Pra, nuk është funksion i  Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e  pretenduara në aplikimin e ligjeve përkatëse që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e  rregullta, nëse me këtë aplikim nuk janë shkelur të drejtat dhe liritë e  mbrojtura me Kushtetutë dhe Konventë. Ajo vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykate e  rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi  tjetër. Nëse do te ishte ndryshe, Gjykata do te vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e  kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Prandaj, Gjykata konstatoi se procedurat si tërësi kanë qenë të drejta, përfshirë dhe mënyrën se si janë pranuar dëshmitë. Përfundimisht, pretendimet përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 33 të Kushtetutës, deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht pretendimet e parashtruesit të kërkesës deklarohen të papranueshëm si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Zlatan Krstic

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale