KI75/19, Parashtruesi i kërkesës: Naim Prokshi, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 4/2019, të 4 shkurtit 2019
KI75/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 11 mars 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesa nuk qartëson dhe nuk paraqet në mënyrë adekuate faktet dhe pretendimet, akuza ndaj personit të tretë, juridiksioni ratione materiae, kërkesë e papranueshme.
Rrethanat e rastit konkret ngërthejnë një procedurë penale të iniciuar dhe zhvilluar kundër personit F.B si rezultat i kallëzimit penal të parashtruesit të kërkesës lidhur me veprën penale të lajmërimit apo kallëzimit të rremë. Ky kallëzim penal kishte rezultuar në ngritjen e aktakuzës kundër personit F.B dhe ky i fundit ishte shpallur fajtor përmes Aktgjykimit përkatës të Gjykatës Themelore dhe ishte vërtetuar përmes Gjykatës së Apelit. Këto dy Aktgjykime, ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata Supreme, dhe e cila e kishte shpallur të pafajshëm personin F.B dhe e kishte liruar nga të gjitha akuzuat. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës një Aktgjykim të Gjykatës Supreme e që ndërlidhet me një “akuzë penale” kundër një personi të tretë, me pretendimin se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neneve 23 [Dinjiteti i Njeriut] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata duke iu referuar praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi se Kushtetuta dhe KEDNJ, nuk sigurojnë të drejtën e ndjekjes ose të dënimit të një pale të tretë për një vepër penale dhe rrjedhimisht, ajo konstatoi se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës nuk bien në fushëveprimin e neneve të lartcituara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, andaj të njëjtat i shpalli të pranueshme sepse nuk janë ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, bazuar në pikën b) të paragrafit 1 të rregullit 39 të Rregullores së Punës.
Ndërsa, përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes neneve 23 dhe 24 të Kushtetutës, respektivisht, Gjykata theksoi se pretendimet apo ankesat e paarsyetuara dhe të pambështetura me argumente e prova, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara, bazuar në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi të shpallë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të papranueshme, bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 39 (3) (b) të Rregullores së Punës.
Naim Prokshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri