Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 39/2019, të 7 marsit 2019, dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN. nr. 817/16, të 30 nëntorit 2016

Nr. të lëndës KI 94/19

Parashtruesit: Sadik Abazi

Shkarko:

KI94/19, Parashtrues: Sadik Abazi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 39/2019, të 7 marsit 2019, dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN. nr. 817/16, të 30 nëntorit 2016

KI94/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 shtatorit 2019, publikuar më 04 tetor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, vepër penale, përsëritje e procedurës, llogaritja e paraburgimit, kërkesë jashtë afatit kohor, ratione materiae

Lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës ishin zhvilluar tri procedura: a) procedura me të cilën ai ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë, në lidhje me të cilën procedurë Gjykata kishte nxjerrë Aktvendimin për papranueshmëri KI06/15, të 14 korrikut 2016 dhe e cila nuk kontestohet nga parashtruesi i kërkesës në këtë rast;  b) procedura në lidhje me llogaritjen në dënim të kohës së paraburgimit dhe arrestit shtëpiak që kishte përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN. nr. 817/16], të 30 nëntorit 2016; dhe c)   procedurën për rishikimin e procedurës penale në lidhje me Aktvendimin [PN. nr. 817/16] e Gjykatës së Apelit, të 30 nëntor 2016.

Parashtruesi i kërkesës, në Gjykatë, kontestoi procedurën b) dhe c).

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se, lidhur me rastin e tij, gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 16 [Epërsia e Kushtetutës], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK).

Pas shqyrtimit të rastit të tij, Gjykata në pajtim me nenin 20 dhe 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) dhe (3) (b) të Rregullores së punës, konstatoi se kërkesa e parashtruesit: (i) lidhur me llogaritjen në dënim të kohës së paraburgimit dhe arrestit shtëpiak që kishte përfunduar me Aktvendimin [PN. nr. 817/16] e Gjykatës së Apelit të 30 nëntorit 2016, respektivisht koha në mes të datës së pranimit të Aktvendimit të kontestuar dhe datës së parashtrimit të kërkesës së tij për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar në Gjykatë, përkatësisht datës 11 qershor 2019, kishte kaluar afatin prej  4 (katër) muajsh dhe rrjedhimisht Gjykata konstatoi se kjo kërkesë ishte paraqitur jashtë afatit 4 (katër) mujor; dhe,  (ii) sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me rishikimin e procedurës penale Gjykata rikujtoi praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së e cila përcakton se neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohet në procedurat për rishikimin e ndonjë rasti sepse një person vendimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm dhe i cili bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij nuk është “akuzuar për vepër penale” brenda kuptimit të atij neni, dhe rrjedhimisht nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.

Parashtruesit:

Sadik Abazi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale