Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 36/2018, të 30 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 140/18

Parashtruesit: Naim Osmani

Shkarko:

KI140/18, Parashtrues: Naim Osmani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 36/2018, të 30 prillit 2018 

KI140/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2019, publikuar më 16 janar 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta në mbrojtës, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, kërkesë qartazi e pabazuar

  1. Gjykata Themelore në Gjakovë-Departamenti i Përgjithshëm kishte shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për arsye se në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, duke e dënuar atë me burgim në kohëzgjatje prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh. Kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës dhe L. P. kishin parashtruar “ankesë të përbashkët” për shkak të vendimit mbi lartësinë e dënimit në Gjykatën e Apelit. Në ankesën e tyre, parashtruesi i kërkesës dhe L. P. kishin propozuar shndërrimin e dënimit me burgim me dënim me gjobë. Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës dhe L. P. si të pabazuar. Në lidhje me shndërrimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se një kërkesë e tillë është dashur të parashtrohet në gjykatën e shkallës së parë, e cila e ka shqiptuar dënimin. Kundër këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, përmes të cilës, ndër të tjera kishte pretenduar se në gjykatën e shkallës së parë atij i ishte shkelur e drejta në mbrojtës, se ankesa e përbashkët e parashtruar nga ai dhe L. P. nuk është e lejuar sipas Kodit të Procedurës Penale dhe se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje të dispozitave ligjore kur nuk e ka trajtuar kërkesën e tij për shndërrimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë. Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar.
  1. Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se me vendimin e kontestuar, Gjykata Supreme ka bërë shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe me nenet 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
  1. Parashtruesi i kërkesës përkitazi me Aktgjykimin e kontestuar, në thelb pretendoi se (i) parashtruesit të kërkesës gjatë zhvillimit të procedurës penale pranë Gjykatës Themelore i është shkelur e drejta në mbrojtës, të cilin pretendim e ndërlidhë me barazinë e armëve në procedurë penale dhe se (ii) Gjykata Supreme nuk i ka arsyetuar pretendimet specifike të parashtruesit të kërkesës përkitazi me procedurën penale të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të specifikuara në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë. Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me të drejtën në mbrojtës dhe të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor Gjykata i elaboroi në dritën e garancive procedurale të garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
  1. Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se gjatë zhvillimit të procedurës penale pranë Gjykatës Themelore i është shkelur e drejta në mbrojtës, Gjykata duke marrë për bazë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe bazuar në parimet e përgjithshme të vendosura në praktikën e GJEDNJ-së, e cila ka theksuar se e drejta për të pasur mbrojtës nuk është absolute dhe se kjo e drejtë duhet të interpretohet në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi dhe rrethanat konkrete të rastit, vlerësoi se interpretimi dhe arsyetimi i Gjykatës Supreme është i bazuar në ligj dhe i mbështetur në faktet e paraqitura para kësaj gjykate. Si rrjedhojë, Gjykata gjeti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për cenimin e të drejtës së tij në mbrojtës, e cila është element përbërës i së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë qartazi të pabazuara.
  1. Në lidhje me pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, përkatësisht të vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, Gjykata konsideroi se përfundimet e Gjykatës Supreme janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi se arsyetimi i dhënë nga Gjykata Supreme plotëson standardet, për një vendim të arsyetuar.
  1. Ndërsa në lidhje me pretendimin e parashtruesit për shkelje të neneve 21, 22, 53 dhe 54 të Kushtetutës Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës këto nene të Kushtetutës vetëm i ka përmendur pa dhënë shpjegime se si dhe në cilat rrethana të rastit këto dispozita kushtetuese janë cenuar.
  1. Në fund, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbushë kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Rregulloren e punës, sepse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, duke marrë parasysh që faktet e paraqitura në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë pretendimin për shkeljen e një të drejte kushtetuese dhe që parashtruesi i kërkesës nuk e dëshmon mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje kushtetuese.
Parashtruesit:

Naim Osmani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale