Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 357/2017, të 22 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 10/18

Parashtruesit: Fahri Deqani

Shkarko:

KI10/18, Parashtrues: Fahri Deqani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 357/2017, të 22 dhjetorit 2017 

KI10/18, Aktgjykim i 8 tetorit 2019, publikuar më 22 tetor 2019

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, e drejta për liri dhe siguri, vazhdim i paraburgimit në pritje të gjykimit, mos arsyetim i vendimeve,  masat alternative, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtës kushtetuese 

Parashtruesi i kërkesës, pas arrestimit të tij më 31 korrik 2010, ishte vendosur në paraburgim. Paraburgimi i tij në pritje të gjykimit kishte zgjatur deri më 3 shtator 2012, kur Gjykata e Qarkut kishte nxjerrë vendimin, me të cilin ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim. Kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës se Qarkut, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë. Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke e anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut dhe duke e kthyer çështjen në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Gjatë periudhës ndërmjet 3 shtatorit 2012 dhe 26 nëntorit 2013 paraburgimi i parashtruesit ishte paraburgim pas aktgjykimit dënues në kuptim të nenit 29, paragrafit 1, pikës 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe nenin 367 [Paraburgimi pas shpalljes së Aktgjykimit], paragrafit 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Përderisa, si rezultat i Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin rasti ndaj parashtruesit të kërkesës ishte kthyer në rigjykim, periudha e dytë e paraburgimit në pritje të gjykimit në kuptim të nenit 29, paragrafit 1, pikës 2 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5, paragrafin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), kishte  filluar me 26 nëntor 2013 dhe ka vazhduar deri më datën e nxjerrjes së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [PKR nr. 155/15], të 6 prillit 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim efektiv.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta për vazhdimin e paraburgimit në pritje të gjykimit ndaj parashtruesit të kërkesës, respektivisht vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme kishte shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 29 [E Drejta për Liri dhe Siguri], paragrafi 4, dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 ( E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, vlerësoi se arsyetimi i Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit, i konfirmuar nga Gjykata Apelit dhe ajo Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar nuk justifikon vendimin e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës.  Së këndejmi, gjykatat e rregullta dështuan të ofrojnë arsyetim konkret dhe të mjaftueshëm se pse masat alternative nuk ishin të aplikueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme Pml. nr. 357/2017, i 22 dhjetorit 2017 me të cilin u refuzua kërkesa e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, PN1. nr. 2156/2017, të 6 dhjetorit 2017 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj PKR. nr. 155/15, të 24 nëntorit 2017 nuk ishte në pajtueshmëri me nenin 29, paragrafin 1, pikën (2) të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5, paragrafin 3 të KEDNJ-së.

Gjykata ka parasysh faktin se parashtruesi i kërkesës  është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim efektiv përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [PKR. nr. 155/15 të 6 prillit 2018], në kuadër të procedurës penale të zhvilluar kundër tij. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton që kjo procedurë nuk ishte objekt i shqyrtimit nga Gjykata, dhe se objekt i shqyrtimit është vetëm vlerësimi i Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme përkitazi me procedurën e vazhdimit të paraburgimit në pritje të gjykimit ndaj parashtruesit të kërkesës.

Në këtë kontekst, Gjykata përmes këtij Aktgjykimi përçon në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë kërkesën dhe udhëzimin që duhet t’iu shërbejë gjykatave të rregullta, se për të qenë në përputhje me kërkesat kushtetuese të nenit 29 të Kushtetutës, dhe po ashtu edhe me kërkesat e nenit 5 të KEDNJ-së, siç është interpretuar gjerësisht nga GJEDNJ në praktikën e saj gjyqësore, arsyetimet e tyre për vazhdimin e paraburgimit në pritje të gjykimit duhet të përmbajnë arsyetim të detajuar dhe vlerësim të individualizuar në pajtueshmëri me rrethanat dhe faktet e rastit, ku shpjegohet dhe dëshmohet se pse paraburgimi në pritje të gjykimit është i domosdoshëm dhe se pse masat tjera alternative nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e papenguar dhe të suksesshëm të procedurës penale.

Gjykata, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me kohëzgjatjen e masës së paraburgimit në pritje të dënimit të tij konstatoi se nuk bien në kuadër të fushëveprimit të nenit 31 të Kushtetutës.

Parashtruesit:

Fahri Deqani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 29 - E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale