Rastet nr. KI87/18 dhe KI11/19, Parashtrues: Muhamet Idrizi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 226/2018, të 16 tetorit 2018 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 293/2018, të 3 dhjetorit 2018
KI87/18 dhe KI11/19, Aktgjykim i 29 korrik 2019, publikuar më 29 gusht 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, akuzë penale, përbërja e trupit gjykues, e drejta për gjykim të drejtë, paanshmëria e gjykatës
Parashtruesi i kërkesës, përmes Aktgjykimit [P.nr.25/2009] të 8 qershorit 2009 të Gjykatës së Qarkut, fillimisht ishte liruar nga akuzat për kryerjen e veprës penale sipas nenit 147 (Vrasje e rëndë) në lidhje me nenet 20 (Tentativa) e 23 (Bashkëkryerja) të KPPK-së përmes Aktgjykimit [P. nr. 25/2009] të 8 qershorit 2009 të Gjykatës së Qarkut. Ky Aktgjykim ishte anuluar përmes Aktvendimit [AP. nr. 393/2012] të 7 marsit 2012 të Gjykatës Supreme dhe çështja ishte kthyer në rigjykim. Në vitin 2017, përmes Aktgjykimit [PKR.nr.107/2012] të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës u dënua me tri (3) vite burgim për kryerjen e veprës së lartcekur penale.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u konfirmua nga Gjykata e Apelit. Kundër këtij të fundit në Gjykatën Supreme ishin parashtruar dy kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë. E para ishte parashtruar nga avokati mbrojtës i parashtruesit të kërkesës si rezultat i së cilës ishte nxjerrë Aktgjykimi [PML. nr. 226/2018] i 18 tetorit 2018 të Gjykatës Supreme dhe i cili refuzon si të pabazuar këtë kërkesë. E dyta ishte parashtruar nga vet parashtruesi i kërkesës si rezultat i së cilës ishte nxjerrë Aktgjykimi [PML. nr. 293/2018] i 3 dhjetorit 2018 të Gjykatës Supreme dhe i cili gjithashtu refuzon të pabazuar kërkesën për vlerësimin e ligjshmërisë.
Në Gjykatë janë dorëzuar dy kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimeve përkatëse. E para, përkatësisht, kërkesa KI187/18 është dorëzuar nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës dhe kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML. nr. 226/2018] të 16 tetorit 2018 të Gjykatës Supreme. Ndërsa, e dyta, përkatësisht, kërkesa KI11/19 është dorëzuar nga vet parashtruesi i kërkesës dhe kërkon vlerësimin e kushtetushmërisë së Aktgjykimit [PML. nr. 293/2018] të 3 dhjetorit 2018 të Gjykatës Supreme.
Lidhur me kërkesën KI187/18, parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se Aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Lidhur më këtë, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në kërkesën KI187/18 nuk kishte qartësuar se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendonte se i ishin cenuar përmes aktit të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimit [PML. nr. 226/18] të 16 tetorit 2018 të Gjykatës Supreme. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk kishte qartësuar saktësisht faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa KI187/19, nuk plotësoi kriteret e pranueshmërisë siç janë përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe pikën (d) të paragrafit 1 të rregullit 39 të Rregullores së punës, andaj deklaroi këtë kërkesë të papranueshme.
Lidhur me kërkesën KI11/19, parashtruesi kontestoi Aktgjykimin [PML.nr.293/2018] e 3 dhjetorit 2018 të Gjykatës Supreme, duke pretenduar, se ndër të tjera, Aktgjykimi është nxjerrë nga një gjykatë e anshme në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se kjo kërkesë i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe shqyrtoi meritat e saj.
Në shqyrtimin e meritave, Gjykata, ndër të tjera, elaboroj (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me kriteret për vlerësimin e paanësisë së një gjykate; (ii) konceptin e paanësisë subjektive dhe objektive të gjykatës; (iii) praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në aspekt të vlerësimit të paanshmërisë së gjykatës, përkatësisht konceptin e “dyshimeve legjitime” dhe faktit që të njëjtat duhet të jenë “objektivisht të justifikueshme” në mënyrë që të konstatohet paanësia e një gjykate; (iv) praktikën përkatëse gjyqësore përkitazi pjesëmarrjen e një gjyqtari në faza të ndryshme të të njejtës cëshjte penale; dhe në fund, konstatoi se (v) Aktgjykimi [PML.nr.293/2018] i 3 dhjetorit 2018 i Gjykatës Supreme, ishte nxjerrë nga përbërja e Kolegjit, në të cilin kishte marrë pjesë gjyqtari i cili edhe në faza të mëhershme të të njejtës cështje penale kishte qenë pjesë e kolegjeve vendimarrëse, duke rezultuar kështu në “dyshime legjitime” për paanshmërinë e gjykatës, e të cilat në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, janë “objektivisht të justifikueshme”.
Andaj, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [PML. nr. 293/2018] të 3 dhjetorit 2018 të Gjykatës Supreme. Ndërsa, Gjykata refuzoi kërkesën e parashtruesit për masë të përkohshme, duke thekuar ndër të tjera se Aktgjykimi [PAKR.nr.108/2018] i 19 prillit 2018 i Gjykatës së Apelit, në rrethanat e rastit konkret, është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm, derisa të mos jetë vendosur ndryshe nga Gjykata Supreme.
Muhamet Idrizi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Penale