Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev. nr. 14/2017, të 14 shtatorit 2017

Nr. të lëndës KI 07/18

Parashtruesit: “Çeliku Rollers” sh.p.k.

Shkarko:

KI07/18 Parashtrues: “Çeliku Rollers” sh.p.k. Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të  Kosovës,  E. Rev. nr. 14/2017, të 14 shtatorit 2017      

KI07/18, Aktgjykim i  18 dhjetorit 2019, i  publikuar më 20 janar 2020.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, shkelje e të drejtave kushtetuese, neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Shkaku kryesor i kontestit në mes të parashtruesit të kërkesës dhe N.P. “Vali AL-PVC”, dhe të cilët në mes vete kishin nënshkruar një Kontratë fillestare dhe më pas ishin dakorduar edhe për punë shtesë, ishte kualiteti i profileve të aluminit për mbajtjen e xhamave në objektin banesor “Plisi” në Gjilan dhe i cili po ndërtohej nga parashtruesi i kërkesës. Ky i fundit kishte konstatuar se profilet përkatëse nuk ishin të kualitetit të duhur dhe rrjedhimisht, kishte urdhëruar heqjen dhe zëvendësimin e tyre nga një kompani tjetër. N.P. “Vali AL-PVC” fillimisht paraqiti propozim për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Komunale në Gjilan duke kërkuar që parashtruesit të kërkesës t’i ndalohet montimi i profileve të reja, dhe më pas kishte paraqitur edhe padi në Gjykatën Komunale në Gjilan, duke kërkuar përmbushjen e tërësishme të Kontratës dhe kompensimin për punët e kryera. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërpadi. Gjykatat e rregullta kishin vendosur në favor të N.P. “Vali AL-PVC”. Çështje kontestuese përgjatë gjithë procedurave në gjykatat e rregullta rezulton të jetë ekspertiza e ekspertit gjyqësor, ekspertizë kjo të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar përgjatë gjithë procesit në gjykatat e rregullta, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Aktgjykimi [E.Rev.nr.14/2017] i 14 shtatorit 2017 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse sipas tij është cenuar (i) parimi i barazisë së armëve si rezultat i anshmërisë së ekspertit; (ii) e drejta e parashtruesit të kërkesës për  t’u dëgjuar si rezultat i mosshqyrtimit të duhur të provave; dhe (iii) e drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor.

Në shqyrtimin e meritave të rastit, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me  (i) raportet e ekspertizës, anshmërinë e ekspertit dhe efektet përkatëse në parimin e barazisë së armëve; (ii) detyrimin e gjykatave të rregullta për vlerësimin e dëshmive dhe provave ;dhe (iii) të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor.

Sa i përket çështjes së parë, Gjykata përtej shtjellimit të parimeve të përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë aspekt, gjithashtu detajisht shqyrtoi praktikën relevante gjyqësore ,përfshirë rastet Letinčić kundër Kroacisë; Sara Lind Eggertsdottir kundër Islandës; Mantovanelli kundër Francës; Devinar kundër Sllovenisë; dhe Van Kück kundër Gjermanisë, për të sqaruar rrethanat në të cilat Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me mungesën e neutralitetit të ekspertit apo edhe mundësisë efektive të pjesëmarrjes dhe kontestimit të gjetjeve të raporteve përkatëse. Gjykata në kontekst konstatoi se sa i përket (i) paanshmërisë së ekspertit, parashtruesi i kërkesës nuk argumenton dyshimet legjitime për paanshmërinë e ekspertit dhe as pse të njëjtat mund të jenë objektivisht të justifikueshme në rrethanat e rastit konkret, për më tepër që, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk mund të konkludohet se eksperti përkatës nuk ka qenë neutral apo i paanshëm; (ii) procedurës së ndjekur për përpilimin e raportit të ekspertizës, parashtruesi i kërkesës ka patur mundësi efektive pjesëmarrjeje dhe kontestimi të gjetjeve të tij dhe (iii) përcaktimit të ekspertizës së re, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar mjaftueshëm mangësitë dhe paqartësitë e raportit të kontestuar përgjatë seancave shqyrtuese dhe nuk ka argumentuar mjaftueshëm kërkesën e tij për të përcaktuar një ekspertizë të re.

Sa i përket çështjes së dytë, Gjykata përtej shtjellimit të parimeve të përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë aspekt, gjithashtu detajisht shqyrtoi praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë rastet Kraska kundër Zvicrës dhe Perez kundër Francës, për të sqaruar rrethanat në të cilat  Gjykata Evropiane ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me mospërmbushjen e detyrimit të gjykatave për të bërë një shqyrtim të duhur të parashtresave, argumenteve dhe provave të paraqitura nga palët. Gjykata në këtë kontekst konstatoi se parashtresat, argumentet dhe dëshmitë e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e procedurës, ishin shqyrtuar në mënyrë të duhur nga e ana e gjykatave të rregullta. Gjykata theksoi se një konstatim në të kundërtën nuk gjen mbështetje në ligjin e aplikueshëm dhe as në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sa i përket çështjes së tretë, Gjykata u referua në praktikën e saj tashmë të konsoliduar gjyqësore përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe konstatoi se pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës ishin arsyetuar mjaftueshëm përgjatë procesit në gjykatat e rregullta.

Përfundimisht, duke i aplikuar parimet dhe kriteret e lartpërmendura, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi [E.Rev.nr. 14/2017] i 14 shtatorit 2017 i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë në përputhje me nenin 31  të Kushtetutës në lidhje me nenin 6  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit:

“Çeliku Rollers” sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile