KI28/21, Parashtrues: Xhemë Nuredini vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP.nr.87/2020 të 17 dhjetorit 2020
KI28/21, Aktvendim për Papranueshmëri i 2 shkurtit 2022, publikuar më 23 shkurt 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, procedurë disiplinore, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për punë dhe ushtrim të profesionit, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës që nga viti 2006 kishte qenë i punësuar në pozitën e Zyrtarit Juridik në APK. Komisioni Disiplinor dhe Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të APK-së kishin nxjerrë dhe miratuar vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës nën akuzën se ai në mënyrë të kundërligjshme kishte përpiluar ankesa dhe parashtresa për palët tjera në procedura gjyqësore kundër APK-së. Çështja e parashtruesit të kërkesës kishte kaluar në një proces të ndërlikuar administrativ dhe gjyqësor. Fillimisht, Gjykata Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda përmes Aktgjykimit P.nr.1516/12 konform nenit 364 par.1 të KPPK-së e liroi parashtruesin e kërkesës nga akuza se ka kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 par.1 i KPK-së, sepse nuk ishte provuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale që e rëndonte. Mirëpo, në procedurë disiplinore parashtruesi të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të tetë (8) provave tjera që provonin se ai kishte shpërdoruar pozitën zyrtare. Vendimi i punëdhënësit për ndërprerje të marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës ishte vërtetuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës (KPMK) Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, ai ishte liruar nga akuza që e rëndonte për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe se për këtë shkak ai duhet të kthehet në vendin e punës me të gjitha të drejtat që ia akordon ligji.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se është evidente që provat që janë përdorë në procesin disiplinor-gjyqësor kundër parashtruesit të kërkesës nuk kanë qenë objekt shqyrtimi në procesin penal. Shqyrtimi i tetë (8) provave nuk ngre çështje të parregullsisë së procesit disiplinor-gjyqësor apo të ndalimit të ushtrimit të profesionit sepse kjo më shumë është çështje e diskrecionit në gjykim të KPMK-së dhe të gjykatave të rregullta çka Gjykata duhet ta respektojë bazuar në karakterin subsidiar të kërkesës individuale kushtetuese. Gjykata po ashtu vlerësoi se gjatë zhvillimit të procesit disiplinor-gjyqësor kundër parashtruesit të kërkesës, KPMK-ja dhe Gjykata e Apelit e kthyen çështjen në rigjykim tek Komisioni Disiplinor i APK-së përkatësisht Gjykata Themelore, çka është tregues i seriozitetit në gjykim dhe eliminimit të parregullsive të procesit disiplinor-gjyqësor.
Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje neneve 31, 49, 53 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Xhemë Nuredini
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile