Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 16/2019, të 31 janarit 2019

Nr. të lëndës KI 48/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI48/19, Parashtrues: Nderim Fetahu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 16/2019, të 31 janarit 2019

KI48/19, Aktvendim i 15 janarit 2020, publikuar më 5 shkurt 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, mosshterje e mjeteve juridike 

Parashtruesi i kërkesës bazuar në shkresat e lëndës, fillimisht ishte i regjistruar si i lindur më 17 prill 1990. Më pas, në vitin 2011, parashtruesi i kërkesës u pajis me dokumentet përkatëse: (i) certifikatën e lindjes, si i lindur më 17 prill 1993 në fshatin Sfeqël, komuna e Podujevës; (ii) certifikatën e shtetësisë, si shtetas i Republikës së Kosovës, i lindur më 17 prill 1993 në fshatin Sfeqël, komuna e Podujevës dhe, (iii) më 21 nëntor 2011 me pasaportën e Republikës së Kosovës, si i lindur më 17 prill 1993, me datë skadimi 20 tetor 2021.

Parashtruesi i kërkesës pas një kohe, bën kërkesë për korrigjimin e të dhënave personale nga 17 prilli 1990 në 17 prill 1993, mirëpo kjo kërkesë i refuzohet nga organet administrative. Në ndërkohë, e ëma e parashtruesit bën kërkesë për regjistrimin e mëvonshëm në Regjistrin Themeltar të të Vdekurve të Nderim Fetahut, i lindur më 17 prill 1990 dhe i vdekur më 14 korrik 1990, dhe kjo kërkesë u pranua nga Drejtorati i Administratës-Sektori i Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës.

Në ndërkohë parashtruesi i kërkesës, vazhdoi me procedurat pranë autoriteteve publike, duke kërkuar të regjistrohet si i lindur më 17 prill 1993, por një gjë e tillë nuk u pranua nga gjykatat e rregullta, duke u bazuar në prova, përkatësisht dokumentacionin e poseduar, si kopja e librit amë të të lindurve, libreza shëndetësore, regjistrimi i parashtruesit të kërkesës në shkollë fillore, dhe pasaporta e lëshuar nga Konsullata e ish-Jugosllavisë në Frankfurt të Republikës së Gjermanisë, dokumente këto të cilat theksojnë se parashtruesi i kërkesës është i lindur më 17 prill 1990.

Parashtruesi i kërkesës, rrjedhimisht, pranë Gjykatës Kushtetuese konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 16/2019, të 31 janarit 2019, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 21, 22, 23, 24, 37, 45, 46, 47, 48, 49, 50 të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës kishte dy kërkesa kryesore (i) kërkesë për regjistrim si i lindur në 1993; (ii) kërkesë që të regjistrohet si i lindur në vitin 1990 dhe, për më tepër, pretendonte (iii) se ka mbetur pa shtetësi.

Gjykata duke analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës konstatoi se (i) sa i përket kërkesës për regjistrim si i lindur më 17 prill 1993 është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese; (ii) sa i përket kërkesës për regjistrim si i lindur më 17 prill 1990, parashtruesi nuk i ka shteruar mjetet juridike dhe (iii) sa i përket pretendimit se ka mbetur pa shtetësi, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë siç parashihet në nenin 48 të Ligjit dhe pikën (d) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nderim Fetahu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative