Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ.nr.125/2022, të 27 dhjetorit 2022

Nr. të lëndës KI105/23

Parashtruesit: Naim Avdiu

Shkarko:

KI105/23, Parashtrues: Naim Avdiu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. nr. 125/2022, të 27 dhjetorit 2022

KI105/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më 13 qershor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për  gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me largimin nga puna të parashtruesit të kërkesës nga pozita e Zëvendës Drejtorit Menaxhues, Divizioni i Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Prokuroria Speciale kishte ngritur padi ndaj parashtruesit të kërkesës me dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale “shmangie e detyrimeve me mashtrim”, për çka edhe ishte dënuar nga Gjykata Themelore me dy vite burgim, të cilin dënim nuk do ta mbante nëse brenda periudhës trevjeçare nuk kryen vepër tjetër penale. Gjykata e Apelit kishte miratuar vendimin e Gjykatës Themelore. Më pas, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë  të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, miratoi të njëjtën duke anuluar vendimet e instancave më të ulëta. Gjykata Themelore pushoi procedurën penale ndaj parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Pas kësaj, Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte larguar nga puna parashtruesin e kërkesës. Vendimi i Bordit të Drejtorëve ishte miratuar nga Këshilli i Pavarur Mbikqyrës i Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës dhe pas kërkesëpadisë së ushtrur nga parashtruesi i kërkesës, në Gjykatën Themelore kundër vendimit të lartpërmendur të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, Gjykata Themeore vërtetoi si të drejtë  vendimin e lartpërmendur. Më tej, pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte miratuar nga  Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenet 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në thelb, për shkak të: (i) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Kushtetuese, dhe aplikoi ato në rastin konkret konstatoi se pretendimet për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor, janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit  lidhur me shkeljen e neneve 49 (E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit) dhe 54 (Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave) të Kushtetutës, Gjykata në këtë kontekst konstatoi se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend këto nene, por nuk ka elaboruar dhe shtjelluar më tej si dhe pse ka ardhur deri tek shkelja e tyre nga ana e Gjykatës Supreme.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.

 

Parashtruesit:

Naim Avdiu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative