Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ.nr. 115/2021, të 18 nëntorit 2021

Nr. të lëndës KI 10/22

Parashtruesit: Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore

Shkarko:

KI10/22, Parashtrues: Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ.nr. 115/2021, të 18 nëntorit 2021

KI10/22, Aktgjykim i 18 korrikut 2021, publikuar më 17 gusht 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontroll i kushtetutshmërisë dhe kontroll i ligjshmërisë, qasja në Gjykatë

Rrethanat e rastit konkret, në esencë, ndërlidhen me detyrimin e gjykatave të rregullta që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve nënligjore, duke përfshirë ato të nxjerra në procedurë administrative, siç është përcaktuar në ligjet e aplikueshme në kontekst të konfliktit dhe procedurës administrative. Më saktësisht, në rrethanat e rastit, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kishte kontestuar ligjshmërisë së Rregullores MD-Nr. 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë në raport me Ligjin nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore, duke pretenduar se Rregullorja në fjalë është në kundërshtim me nenin 15 (Veprimtaria e Institutit) të këtij ligji. Rregullorja e kontestuar ishte nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë dhe ishte publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 3 janar 2021. Kjo rregullore fillimisht ishte kontestuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë nga Instituti përkatës. Duke marrë parasysh që përkundër kërkesave edhe të Zyrës Ligjore të Kryeministrisë që e njëjta të ndryshohej për të qenë në përputhje me ligjin e aplikueshëm, Ministria përkatëse nuk kishte ndërmarrë veprime, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi për fillimin e konfliktit administrativ, duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores së kontestuar. Gjykata Themelore hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës, ndër tjerash, me arsyetimin se, Rregullorja e kontestuar nuk paraqet akt përfundimtar në procedurën administrative ndaj të cilit mund të bëhet vlerësimi i ligjshmërisë së tij në procedurë gjyqësore, duke u referuar në Ligjin nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative dhe Ligjin nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Vendimi i Gjykatës Themelore u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston konstatimet e Gjykatës Supreme, duke pretenduar, ndër tjerash, se si pasojë e refuzimit të shqyrtimit në merita të çështjes së përputhshmërinë së Rregullores së kontestuar me Ligjin për Mjekësinë Ligjore, gjykatat e rregullta kanë dështuar që të përmbushin detyrën e tyre të vlerësimit të ligjshmërisë së akteve nënligjore, duke rezultuar kështu në shkelje të detyrimeve kushtetuese të përcaktuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Avokati i Popullit përmes shkresave të dorëzuara fillimisht në Gjykatën Supreme dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, ndër tjerash, theksoi rëndësinë e qartësimit të gjykatave me kompetencë për të vlerësuar ligjshmërinë e akteve nënligjore, gjithashtu duke mbajtur, në parim, qëndrimin se gjykatat e rregullta kanë kompetencë të bëjnë vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të tilla bazuar në ligjet e aplikueshme në procedurë administrative.

Gjykata trajtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës nga këndvështrimi i “qasjes në gjykatë”, e drejtë kjo e ngërthyer në garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për “qasje në gjykatë”, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Për më tepër, Gjykata gjithashtu shtjelloi (i) çështje që ndërlidhen me hierarkinë e akteve juridike në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës; si dhe (ii) çështje që ndërlidhen me detyrimet dhe kompetencat e kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve juridike. Në këtë aspekt, Gjykata theksoi se është detyrim i gjykatave të rregullta, që të sigurojë ruajtjen e supremacisë juridike të ligjeve, duke përfshirë edhe vlerësimin e përputhshmërisë së akteve nënligjore me ligjin e aplikueshëm. Gjykata gjithashtu sqaroi që një detyrim i tillë, përpos që buron nga Kushtetuta e Republikës, është po ashtu qartësisht i përcaktuar në Ligjin për Konfliktet Administrative. Në vlerësimin e Gjykatës, gjykatat e rregullta, duke refuzuar vlerësimin e ligjshmërisë së aktit nënligjor, përkatësisht Rregullores së kontestuar, në raport me nenin 15 të Ligjit për Mjekësinë Ligjore, ndër tjerash, me arsyetimin se akti i publikuar në Gazetë Zyrtare nuk është “akt përfundimtarë në procedurë administrative”, parashtruesit të kërkesës ia mohuan të drejtën e “qasjes në gjykatë”, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përfundimisht, mbështetur në rrethanat e rastit konkret dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi [ARJ.nr. 115/2021] i 18 nëntorit 2021 i Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me Aktvendimin [AA.nr.651/2021] e 6 gushtit 2021 të Gjykatës së Apelit si dhe Aktvendimin [A.nr. 1430/21] e 5 korrikut 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duhet të shpallen të pavlefshëm dhe çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Parashtruesit:

Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative