KI126/21, Parashtrues: Afrim Metallari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 603/2020, të 22 shkurtit 2021
KI126/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pune, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me largimin nga puna të parashtruesit të kërkesës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës në Policinë e Kosovës. Fillimisht, parashtruesi i kërkesës ishte suspenduar për 48 orë, për shkak të dyshimit të përfshirjes në incident dhe shkeljes së rëndë të detyrave të punës, ku kjo masë i ishte vazhduar prapë, për të vazhduar më tej në zhvillimin e hetimeve nën dyshimin për shkeljen e rëndë të detyrave të punës. Pas zhvillimit të hetimeve, Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë përmes Vendimit [nr. 354/KBD/16], kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të shkeljeve disiplinore, për shkak se “derisa kishte qenë në detyrë, në kordonin e formuar nga ana e zyrtarëve policorë për të kontrolluar turmën e protestuesve, e kishte lëshuar radhën e kordonit në fjalë duke dalë para kolegëve të tij dhe të njëjtit i kishte kërcënuar me fjalët: “Se nëse goditet ndonjë protestues unë do t’i paraqes në IPK, si dhe do të dal para mediave që t’i njoftoj për forcën që policët kishin përdorur ndaj protestuesve“, dhe i kishte shqiptuar masën disiplinore “Ndalesë në pagë 30% e pagës mujore bruto për 6 muaj”, si dhe masën plotësuese “Transfer administrativ”. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në KASH, ku ky i fundit vendosi të: (i) refuzojë si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës; (ii) aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga ana e ankuesit A.H., hetues në Njësinë e Standardeve Profesionale – DRP Ferizaj; (iii) vendimin e KBDP-së nr. 354/KBD/16 e ndryshoi, ku nga masa e shqiptuar disiplinore “Ndalesë në pagë 30% e pagës mujore bruto për 6 muaj” dhe masës plotësuese “Transfer Administrativ”, i shqiptoi masën disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës”. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KASH-it, e cila padi u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Themelore. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit ku kjo e fundit e refuzoi si të pathemeltë ankesën e tij. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, të cilin kjo e fundit vendosi ta refuzojë si të pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, respektivisht pretendoi se në rastin e tij janë shkelur parimi i barazisë së armëve dhe e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor si pjesë thelbësore të një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.
Në essence, parashtruesi i kërkesës i ka argumentuar dhe ndërtuar pretendimet e tij në drejtim të barazisë së armëve dhe të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, andaj, Gjykata analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vlerësoi se nuk është i bazuar pretendimi i parashtruesit të kërkesës se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, në rastin e tij kanë shkelur parimin e barazisë se armëve, për faktin se nuk kishin marrë për bazë pretendimin e tij se Gjykata Themelore nuk kishte ftuar dëshmitarin e propozuar nga ai, dhe se nuk janë lëshuar fare në analizim të çështjes, sepse nga arsyetimi i Aktgjykimit të kontestuar vërehet qartë se gjykatat në fjalë, kanë marrë parasysh dhe kanë shqyrtuar në tërësi të gjitha shkresat e lëndës (dosjen), përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve të ngjarjes në fjalë dhe posaçërisht CD-të, ku përmes tyre vërtetohet se parashtruesi i kërkesës kishte lëshuar kordonin policor dhe ishte dalë në anën e protestuesve, duke arritur në konstatimin se parashtruesi i kërkesës kishte bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me pretendimin për dëgjim në cilësi të dëshmitarëve të personit S.K., nuk rezultojnë të jenë arbitrare apo jo proporcionale sepse përmes padisë drejtuar Gjykatës Themelore shihet se personi në fjalë nuk është propozuar si dëshmitar nga parashtruesi i kërkesës, dhe se Gjykata Themelore kishte vendosur për çështjen duke u bazuar në prova të mjaftueshme, përfshirë këtu edhe video-incizimet në CD, dhe dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kishin qenë prezent në vendin e ngjarjes. Gjykata po ashtu konsideron se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë mundur që ta shtjellojnë më tepër çështjen e dëgjimit të dëshmitarit, por kjo në vetvete nuk e bën procesin kundërkushtetues sepse, nga dokumentet në dispozicion, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka marrë përgjigje në substancë ndaj pretendimeve të tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në këtë kontekst, Gjykata konsideron se përveç se është respektuar parimi i barazisë së armëve dhe i kontradiktoritetit procedural nga këto instanca gjyqësore është respektuar po ashtu edhe parimi i palës së dëgjuar, pasi që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kishin marrë vendim për çështjen, para se t’ua jepte palëve ndërgjyqëse mundësinë për t’i ballafaquar argumentet, provat dhe dëshmitë e tyre, kundruall njëra-tjetrës, që ato i konsideronin relevante dhe të favorshme për to, ashtu siç kërkon parimi i barazisë së armëve, si element i të drejtës për gjykim të drejtë, i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, Gjykata konsideroi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes padisë, ankesës dhe revizionit, në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke vlerësuar se gjykatat kanë pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse që mbështesin konkluzionin e tyre përkitazi me vendimmarrjen në çështjen e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vlerësoi se, Gjykata Supreme duke vlerësuar pretendimet e ngritura në revizion nga parashtruesi i kërkesës dhe gjetjet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore, arriti në konkluzionin se këto të fundit, pasi administruan të gjitha provat relevante, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve dhe CD-në, vërtetuan jashtë çdo mëdyshje se parashtruesi i kërkesës (paditësi) kishte thyer kordonin e sigurimit policor dhe kishte kaluar në anën e protestuesve, sa kohë që ishte duke ushtruar funksionin e zyrtarit të policisë së Kosovës. Andaj, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta nuk e konsideruan më tej të nevojshme të marrin në pyetje dëshmitarë të tjerë, përfshirë edhe dëshmitarin e propozuar nga parashtruesi i kërkesës, pasi që ato kishin prova të mjaftueshme që provonin faktin se parashtruesi i kërkesës kishte bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Gjykata dëshiron të rikujtojë gjithashtu se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, i obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin pretendim.
Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, si të tilla, i takojnë kategorisë së tretë (iii) “pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara” prandaj këtë pretendim e shpalli si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese.
Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Afrim Metallari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative