Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 182/2020, të 6 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 191/21

Parashtruesit: Florim Shahiqi

Shkarko:

KI191/21, Parashtrues: Florim Shahiqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 182/2020, të 6 korrikut 2020

KI191/21, Aktvendim i 16 shkurtit 2022, i publikuar më 4 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, mbrojta e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor mes parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Gjilanit, ku kjo e fundit për qëllime të shtrimit me zhavorr dhe asfalt të një rruge, kishte shpronësuar pesë paluajtshmëri. Për shkak të mospërmbushjes së detyrimit, parashtruesi i kërkesës, ndaj komunës së Gjilanit, kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku në emër të shpronësimit kishte kërkuar kompensim monetar në shumën prej 150 euro, për çdo metër katror të sipërfaqes së shpronësuar, si dhe aplikimin e kamatëvonesës sipas ligjeve në fuqi. Duke vendosur sipas kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës Gjykata Themelore në Gjilan, kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e tij, duke akorduar shumen e përgjithshme prej 80 mije euro. Kundër vendimit të shkallës së parë e paditura, Komuna e Gjilanit, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila kishte aprovuar ankesën e saj dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje në shkallën e parë. Shkalla e parë, duke vendosur sipas rekomandimeve të shkallës së dytë, refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të shkallës së parë, parashtroi ankesë në shkallën dytë, e cila refuzoi në tërësi ankesën e tij si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës në këtë rast ushtroi mjetin e jashtëzakonshëm, revizionin, kundër vendimit të shkallës së dytë në Gjykatën Supreme, e cila nëpërmjet Aktgjykimit të kontestuar Rev.nr. 182/2020, e refuzoi revizionin dhe konfirmoi si të drejta dhe të bazuara në ligj vendimet e kontestuara të gjykatës së shkallës së dytë dhe të shkallës së parë.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, sepse gjykatat e rregullta ia kishin mohuar atij të drejtën për tu kompensuar për pesë paluajtshmëritë e shpronësuara nga e paditura Komuna e Gjilanit, dhe se ato (gjykatat) me rastin e marrjes se vendimeve sipas ankesës dhe revizionit, nuk i kanë analizuar në mënyrë reale dhe të drejtë kërkesëpadinë, provat materiale, faktet dhe dëshmitë e paraqitura.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar kritereve të pranueshmërisë së kërkesës, të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës konstatoi se parashtruesi i kërkesës legjitimohej si palë e autorizuar për të kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, Rev.nr. 182/2020, se ai po ashtu kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, megjithatë, kërkesën e tij në Gjykaten Kushtetuese, e kishte parashtruar jashtë afateve ligjore.  Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk ishte parashtruar brenda afatit ligjor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse është parashtruar jashtë afatit të paraparë ligjor.

Parashtruesit:

Florim Shahiqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile