KI104/21, Parashtrues: Kadri Veliu, Hatushe Veliu, Ariana Veliu, Alvin Veliu dhe Diana Veliu; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme E. Rev. nr. 427/2020 të 12 prillit 2021
KI 104/21, Aktvendim për Papranueshmëri i 12 majit 2022, publikuar më 3 qershor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia para ligjit dhe e drejta për gjykim të drejtë për shkak të vendimit të paarsyetuar dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, qartazi i pabazuar.
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me aksidentin e trafikut, i cili është shkaktuar nga i siguruari i kompanisë së sigurimit “Sigal”, ndërsa parashtruesit e kërkesës kanë pësuar dëme materiale dhe jomateriale. Gjykata po ashtu thekson se sipas pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, më 11 janar 2012 është kërkuar parapagimi përkatës nga kompania e sigurimeve “Sigal”, mirëpo në shkresat e lëndës nuk ka dëshmi se kërkesa përkatëse i është dërguar ligjërisht kompanisë së sigurimit “Sigal”, gjegjësisht procedura për realizimin e kërkesave (kompensimi i dëmit) nuk ishte iniciuar asnjëherë te e njëjta. Më 28 dhjetor 2011, parashtruesit e kërkesës parashtruan padi në Gjykatën Themelore. Kërkesa për kompensim të dëmit është aprovuar në Gjykatën Themelore dhe është përcaktuar kamatëvonesa në shumën prej 12%, duke filluar nga 28 dhjetor 2011 deri në pagesën përfundimtare. Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore me aktgjykimin e saj [C. nr. 675/11] të 7 gushtit 2015, arsyetoi caktimin e kamatëvonesës prej 12% në bazë të nenit 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ndryshoi pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore vetëm në pjesën që lidhet me kërkesën e parashtruesve për kompensimin e dëmit jomaterial, ndërsa në pjesën tjetër Gjykata e Apelit e vërtetoi në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë. Gjykata Supreme aprovoi pjesërisht revizionin e e kompanisë së sigurimit “Sigal” dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit duke detyruar kompaninë e sigurimit “Sigal” që t’u paguajë parashtruesve të kërkesës shumat e gjykuara me kamatë të cilën e paguajnë bankat vendore si për mjetet e afatizuara për një vit pa destinim të caktuar duke filluar nga data 7.08.2015 për shkak të mungesës së dëshmive se kërkesa përkatëse i është dërguar ligjërisht kompanisë së sigurimit “Sigal”, përpara kësaj date.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se aktgjykimi i Gjykatës Supreme është nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e tyre në vendim të arsyetuar, që shkaktoi vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike. Sipas pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, këto shkelje kanë ndodhur për shkak se Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat për ndryshimin e qëndrimit lidhur me datën e llogaritjes së kamatëvonesës.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vëren se pretendimi kryesor i parashtruesve të kërkesës ka të bëjë me pretendimin për mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor si dhe interpretimin e gabuar të ligjit, përkatësisht vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike. Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës nuk dëshmojnë apo mbështetin në mënyrë të mjaftueshme para Gjykatës se ky zbatim i ligjit dhe gjendja faktike e vërtetuar nga gjykatat e rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar” duke rezultuar në konkluzione “arbitrare” ose “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat në gjykatat e rregullta në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme e bazoi arsyetimin për pranimin e revizionit dhe ndryshimin e pjesës së aktgjykimit në lidhje me shumën dhe datën e llogaritjes së kamatës në mënyrë specifike në bazë të Ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të Kushtetutës për shkak të interpretimit të gabuar dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm bien në kategorinë e tretë (iii), nën-kategorisë (b) së pretendimeve „të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) rregullit 39.
Në vijim, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të së drejtës për barazi para ligjit, të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se ajo ka vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës nuk nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. Prandaj, në lidhje me këtë pretendim, kërkesa e parashtruesve duhet të deklarohet e papranueshme, si qartazi e pabazuar, pasi këto pretendime i takojnë kategorisë së tretë (iii), nën-kategorisë (a) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, prandaj si të tilla, këto pretendime të parashtruesve të kërkesës, pasi që parashtruesi vetëm ka përmendur dispozitën e Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Kadri Veliu, Hatushe Veliu, Ariana Veliu, Alvin Veliu dhe Diana Veliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile