KI189/19, Parashtrues: Alban Miftaraj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [ARJ-UZPV. nr. 85/2019], të 26 qershorit 2019
KI189/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 10 nëntorit 2020, publikuar më 17 dhjetor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta e punës, mosshterje e mjeteve juridike, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ-UZPV. nr. 85/2019, të 26 qershorit 2019, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt Gjyqësor] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.
Gjykata në lidhje me pretendimet e parashtruesit për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, përkatësisht të parimit të “paanshmërisë” vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shterur të gjitha mjetet efektive juridike në kuptimtin substancial. Sa i përket pretendimeve tjera për shkelje të parimeve “reformatio in peius” dhe “res judiucata”, Gjykata gjeti se në këto pjesë kërkesa duhej deklaruar qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, sepse parashtruesi nuk i kishte mbështetur mjaftueshëm këto dy pretendime specifike. Parashtruesi i kërkesës, përveç tjerash, në Gjykatë e kishte ngritur si pretendim edhe shkeljen e të drejtës së pronës, megjithatë edhe ky pretendim në këndvështrimin e Gjykatës doli të jetë qartazi i pabazuar në baza kushtetuese sepse parashtruesi i kërkesës nuk kishte një të drejtë të pohueshme dhe të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë. Pretendimet tjera në lidhje me nenin 49 dhe 55 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës vetëm i kishte pretenduar në kërkesën e tij, pa argumentuar tutje se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve specifike. Andaj, Gjykata në përputhje me praktikën e saj kërkesën e parashtrueses së kërkesës e deklaron qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme.
Si përmbledhje, sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, Gjykata konstatoi se kërkesa: i. në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, përkatësisht pretendimit për “paanshmëri në gjykim” duhet të shpallet e papranueshme në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit dhe në rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike në kuptimin substancial; ii. në lidhje me pretendimin për shkelje të parimit “reformatio in peius”, duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të këtij parimi; iii. në lidhje me pretendimin për shkelje të parimit të çështjes së gjykuar (res judicata), duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse nuk është konfirmuar se gjykatat kanë ndërhyrë dhe rihapur “çështjen e gjykuar”; iv. në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e Pronës] të KEDNJ-së, duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; dhe v. në lidhje me pretendimin për shkelje të neneve 49 dhe 54 të Kushtetutës, duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Alban Miftaraj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative