Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, AML.nr.1/2019, të 16 prillit 2019

Nr. të lëndës KI 131/19

Parashtruesit: Sylë Hoxha

Shkarko:

KI131/19, Parashtrues i kërkesës: Sylë Hoxha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, AML.nr.1/2019, të 16 prillit 2019

KI131/19, Aktvendim i miratuar më 12 mars 2020, i publikuar më 22 prill 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për vendim të arsyetuar, përfitimet e ish- zyrtarëve të lartë, ushtrues detyre, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me të drejtën e përfitimit të statusit të ish- funksionarit të lartë, siç është përcaktuar në Ligjin nr. 03/L-001 për Përfitimin e ish- Zyrtarëve të Lartë dhe Ligjin nr. 04/L-038 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-001 për Përftimin e ish- Zyrtarëve të Lartë (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Përfitimin e ish- Zyrtarëve të Lartë), të atyre funksionarëve të cilët, kanë ushtruar njërin nga funksionet e përcaktuara përmes ligjit të lartcekur, përkatësisht funksionin e ish- Kryetarit të Kuvendit, ish-Kryeministrit, ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ish-Kryeprokurorit të Shtetit dhe ish-Kryetarit të Gjykatës Supreme. Rasti konkret, ndërlidhet me të drejtën ose jo të ish-ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Shtetit për të përfituar nga statusi i ish-zyrtarit të lartë publik, duke  realizuar të drejtën për pagë mujore në lartësi prej  shtatëdhjetë përqind (70%) të pagës të funksionit përkatës.  Ish-ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Shtetit, përkatësisht parashtruesi i kërkesës, dhe i cili kishte ushtruar këtë funksion me vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës prej 5 gushtit 2014 deri më 21 prill 2015, përkatësisht pas pensionimit të Kryeprokurorit paraprak dhe deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe dekretimit të tij nga Presidentit i Republikës, pretendon se i takon një e drejtë e tillë. Realizimin e kësaj të fundit e kishte kërkuar fillimisht përmes kërkesës drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe i cili e refuzoi kërkesës e tij. Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, më pas u konfirmua nga të gjitha gjykatat e rregullta, përfshirë Gjykatës Supreme e cila shqyrtoi çështjen përkatëse, pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga Prokurori i Shtetit.

Të gjitha gjykatat, në esencë, kishin vënë theks në dallimin në mes “ushtrimit” të një funksioni dhe “zgjedhjes” ose “dekretimit” në një funksion bazuar në dispozitat përkatëse kushtetuese e ligjore, duke refuzuar për pasojë, pretendimet e parashtruesit të kërkesës, dhe duke sqaruar se (i) ai ka ushtruar këtë  funksion në bazë të vendimit përkatës të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe nuk është  zgjedhur/emëruar në këtë funksion bazuar në procedurën e përcaktuar sipas paragrafit 7 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës; dhe (ii) për pasojë, nuk mund të fitojë statusin e ish-funksionarit të lartë bazuar në Ligjin për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuar përmes neneve 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në aspektin e të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, mungesën e të cilës e pretendon parashtruesi i kërkesës para Gjykatës, kjo e fundit aplikoi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe konstatoi se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, ishin mjaftueshëm të arsyetuara në rrethanat e rastit konkret. Për më tepër, Gjykata sqaroi se gjykatat e rregullta, kishin të drejtë në mënyrën e aplikimit të Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë, duke theksuar se (i) ky i fundit, u njeh të drejtën e përfitimit të statusit të ish-funksionarit të lartë dhe rrjedhimisht edhe të drejtën për përfitimet përkatëse, vetëm ish-funksionarëve të lartë të shtetit të emëruar përmes procedurave të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligje të aplikueshme përkatëse, me kushtin që të njëjtit të kenë ushtruar funksionin përkatës për së paku gjashtë (6) muaj; (ii) përfitimet e përcaktuara përmes këtij ligji nuk u takojnë zyrtarëve të tjerë dhe të cilët mund të kenë “ushtruar” këtë funksion, por të mos jenë “emëruar” në mënyrën e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse të aplikueshme, pa marrë parasysh nëse këtë funksion e kanë ushtruar për periudhën gjashtë (6) mujore të referuar në këtë ligj, dhe kanë ushtruar kompetencat e plota të funksionit përkatës; (iii) se numërimi specifik i pesë (5) kategorive të funksioneve në ligjin e lartcekur, lexuar së bashku me dispozitat e tjera të këtij ligji, nënkupton qëllimin e ligjvënësit për të kushtëzuar përfitimin e këtyre të drejtave në zgjedhjen/emërimin e një funksionari të lartë në pajtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore dhe ushtrimin e këtij funksioni për të paktën gjashtë (6) muaj. Gjykata gjithashtu sqaroi se dallimin në mes “zgjedhjes” dhe “ushtrimit” të një funksioni të lartë e kishte bërë edhe në rastin KO97/10, me parashtrues Jakup Krasniqi, Aktgjykimi i 28 dhjetorit 2010.

Përfundimisht, Gjykata konstatoi që pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura para gjykatave të rregullta përkitazi me interpretimin e gabuar të nenit 3 të Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë, ishin arsyetuar mjaftueshëm nga të njëjtat, duke rezultuar kështu në një procedurë e cila, në tërësinë e saj dhe përkitazi me pretendimet për mungesë të një vendimi të arsyetuar gjyqësor, i përmbush kriteret e përcaktuara përmes praktikës përkatëse gjyqësore në interpretimin e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Ndërsa, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljen e neneve 24 dhe 54 të Kushtetutës, respektivisht, Gjykata përkitazi me (i) të parën sqaroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka saktësuar asnjë pretendim përkitazi me ndonjë dallim në trajtim dhe rrjedhimisht nuk ka arsyetuar dhe as mbështetur pretendimet e tij për shkelje të këtij neni të Kushtetutës; dhe (ii) të dytin, sqaroi se ato pretendime, në thelb, janë të njëjta me ato për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të cilat tashmë Gjykata i kishte refuzuar si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

 

Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sylë Hoxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri