Prishtinë, më 26 qershor 2023
Nr. ref.: RK 2220/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI88/23
Parashtrues
Mehmet Mehmeti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit,
Ac. nr. 585/2021, të 23 shtatorit 2022
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Mehmet Mehmeti, me vendbanim në Prishtinë, të cilin e përfaqëson Armend Deskaj, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 585/2021, të 23 shtatorit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Aktgjykimi i kontestuar).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 2 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 25 prill 2023, kërkesa u dërgua në postë, ndërsa më 26 prill 2023 arriti dhe u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, përmes vendimit [Nr. GJR. KI88/23], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 5 maj 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua edhe Gjykatës së Apelit.
Më 5 maj 2023, Gjykata njoftoi edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi informata shtesë, përkatësisht fletëkthesën që dëshmon se kur e kishte pranuar parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Më 16 maj 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 7 qershor 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër Korporatës Energjetike të Kosovës [në tekstin e mëtejmë: KEK], nëpërmjet së cilës kërkonte që KEK-u t’ia paguante tre paga në emër të shpërblimit jubilar, në shumën prej 1.641.00 euro, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.
Më 27 tetor 2020, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 4352/19], aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe vendosi si në vijim:
“I – Aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Mehmet Mehmeti nga Prishtina”.
“II – Detyrohet e paditura KEK, që paditësit Mehmet Mehmeti nga Prishtina, t’ia kompensoj në emër të tri pagave jubilare shumën prej 1.641.00 (një mijë e gjashtëqind e dyzetë e një euro) me kamatë ligjore e cila do të llogaritet nga data 27 tetor 2020, e deri në pagesën definitive, e të gjitha në afat prej 7 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm”.
Më 1 dhjetor 2020, KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. KEK-u kërkoi që të aprovohej ankesa e saj dhe të ndryshohej Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, të refuzohej kërkesëpadia si e pabazuar.
Më 23 shtator 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 585/2021] aprovoi ankesën e KEK-ut, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
“Kolegji vlerëson se në rastin e tillë kërkesa e paditësit nuk gjen mbështetje në dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, për arsye se e njëjta ka hyrë në fuqi me datë 01.01.2015 dhe se e njëjta ka qenë në fuqi deri me datë 31.12.2017, ndaj dhe duke qenë se ajo ka skaduar së implementuari nga kjo datë (31.12.2017 pas denoncimit të saj nga partneri social i punëdhënësit Oda Ekonomike), e njëjta është e pazbatueshme në rastin e paditësit”.
“Gjithashtu sa i përket vendimit të të paditurës nr. 8261 të datës 23.08.2019, për vazhdimin e dispozitave të MPKK-së për njohjen e pagesave jubilare për punonjësit të cilët kanë arritur jubileun deri me datë 31.12.2019, në rastin konkret e njëjta nuk qëndron dhe nuk mund të zbatohet, për faktin se paditësi ka 37 vite përvojë pune, jubileun i njëjti e ka arritur në vitin 2012, e drejta e paraqitjes së kërkesës së paditësit në këtë rast, ka filluar nga data e hyrjes në fuqi të MPKK-së, datë 01.01.2015 dhe afati i fundit për paraqitjen e kërkesës ka qenë data 31.12.2017”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e Ligjit të punës. Sipas tij, në më shumë se 500 raste të natyrës së njëjtë, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e palës së paditur, KEKU-ut.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me nenin 31 dhe 49 të Kushtetutës së Kosovës, për shkak se nuk i garanton atij mbrojtje të barabartë. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës së Kosovës, në lidhje me nenin 5 të Ligjit të punës, që ndalon çdo formë të diskriminimit. Parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkeljen e nenit 54 të Kushtetutës.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 585/2021] të 23 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 585/2021] të 23 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 2 nëntor 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 25 prill 2023, më shumë se 5 muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katër mujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 7 qershor 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Mehmet Mehmeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile