Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 574/2021] të 2 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI160/22

Parashtruesit: Asllan Kika

Shkarko:

KI160/22, Parashtrues: Asllan Kika, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 574/2021]  të 2 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për paga jubilare, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare nga punëdhënësi Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS Sh.A.). Parashtruesi i kërkesës ushtroi padi kundër KEDS për shpërblimin e pagave jubilare dhe përcjelljes në pension. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit gjithashtu refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar Gjykata Supreme, pasiqë parashtruesi – kërkesën e tij për shpërblimin jubilar e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe se kushtin për shpërblim jubilar për 30 (tridhjetë) vite të përvojës së punës e ka arritur para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës. Ky vendim i konfirmuar nga Gjykata Supreme me arsyetimin se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ishte e aplikueshme nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, andaj kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare ishte paraqitur jashtë afatit.

Thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me pretendimet për: (i) shkelje të nenit 31 të lidhur me nenin 102 të Kushtetutës, për sa i përket mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse është interpretuar gabimisht neni 87 i Ligjit të punës me rastin e refuzimit të kërkesës së tij, si të parashkruar, dhe moszbatim të duhur të nenit 52 dhe 53 të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës;  (ii) pretendimin për mohimin e mjeteve juridike në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës, të ndërlidhur me nenin 54 të Kushtetutës; si dhe (iii) pretendimet për moskonsistencë të praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta dhe shkeljeve të tjera të të drejtave kushtetuese të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet për: (i) shkelje të nenit 31 në ndërlidhje me nenin 102 të Kushtetutës, cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së “shkallës së katërt”. Për sa i përket (ii) pretendimeve për mohimin e mjeteve juridike që janë në kundërshtim me nenin 32 në lidhje me nenin 54 të Kushtetutës, gjykata sqaroi që parashtruesi i kërkesës kishte përdorur mjetin juridik revizionin si dhe kishte pasur mundësinë që të ngriste pretendime lidhur me kërkesën e tij, si dhe Gjykata Supreme iu kishte përgjigjur pretendimeve të ngritura në kërkesë duke dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme e duke shtjelluar në detaje bazën ligjore për refuzimin e revizionit të paraqitur. Prandaj, i kategorizoi si pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese. Përfundimisht, (iii) pretendimet e tjera për shkelje të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës, kategorizohen si pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese, pasiqë parashtruesi vetëm se i kishte përmendur, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Asllan Kika

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile