KI102/22, Parashtrues Faton Aliu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 559/2022] të 10 marsit 2022 të Gjykatës Supreme
KI102/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 prillit 2023, i publikuar më 24 prill 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontesti civil, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest të punës ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe punëdhënësit të tij Limak Kosovo International Airport J.S.C. “Adem Jashari”. Parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë pune me punëdhënësin në fjalë një kohë të caktuar, respektivisht nga 4 prilli 2011 deri më 4 prill 2016. Më 10 nëntor 2015, punëdhënësi mori vendim për ndërprerjen e kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrës dhe obligimeve të punës. Me këtë rast, parashtruesi i kërkesës ushtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar kthimin në vendin e punës dhe kompensim të pagave të humbura. Kjo e fundit me Aktgjykimin [C. nr. 51/2017] e 17 korrikut 2017, kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e tij, duke detyruar punëdhënësin që në emër të dëmit material t’ia kompensojë shumën prej 2.653.88 euro, si shpërblim për mosrealizimin e pagave për shkak të shkëputjes së kontratës së punës, dhe refuzoi kërkesën e tij për kthim në punë. Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin [Ac. nr. 4851/2017] e 1 korrikut 2020, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dhe refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Më 10 mars 2022, Gjykata Supreme, me Aktgjykimin [Rev. nr. 559/2022], vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me të cilën (i) kishte anuluar vendimin e punëdhënësit për ndërprerjen e kontratës së punës, (ii) kishte detyruar punëdhënësin që ta kompensojë parashtruesin e kërkesës për pagat e parealizuara, dhe (iii) kishte refuzuar kërkesën e tij për kthim në punë.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet, 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme në rastin e kolegut të tij të punës (B. SH.), me Aktgjykimin [Rev. nr. 54/2018], të 12 prillit 2008, në rrethana të njëjta faktike dhe juridike, që përveç akordimit të kompensimit kishte vendosur edhe për kthimin e tij në vendin e punës, ndërsa në rastin e tij, e njëjta gjykatë kishte refuzuar kërkesën për kthim në punë, duke ia akorduar vetëm kompensimin e dëmit material.
Gjykata në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës iu referua praktikës së saj dhe asaj të GJEDNj-së, duke përsëritur parimet e përgjithshme në lidhje me jokonsistencën e vendimeve të gjykatave të rregullta. Për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje kushtetuese në rrethanat e rastit konkret për shkak të jokonsistencës së vendimeve gjyqësore, Gjykata përdori tre kritere kryesore: (i) nëse divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma efikas për të zgjidhur divergjenca të tilla; (iii) nëse këto mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti. Gjykata, pas analizës së dy aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, përsëriti qëndrimin e saj se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, dhe as jokonsistencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, në krahasimin e vetëm 2 (dy) aktgjykimeve, edhe nëse të njëjtat mund të jenë kontradiktore. Parashtruesi i kërkesës kishte ngritur edhe pretendime të tjera për shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij, për të cilat Gjykata theksoi se vetëm përmendja e neneve ose referimi në to nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata në fund vendosi se: (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, për jokonsistencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, i përkasin kategorisë së tretë (iii), të pretendime të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese i deklaroi qartazi të pabazuara; (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 dhe 46 të Kushtetutës, i përkasin po ashtu kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallen qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u shpall e papranueshme në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Faton Aliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale