Prishtinë, më 19 shtator 2024
Ref. Nr.: AGJ 2537/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI103/24
Parashtrues
Sylejman Zeneli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022]
të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Sylejman Zeneli, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Rexhep Potera, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] e 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.4626/2020] e 16 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C.nr.312/2019] e 20 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë Gjykata Themelore).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 29 dhjetor 2023.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia pra Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës Nr.01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 26 prill 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 29 prill 2024 parashtruesi i kërkesës plotësoi kërkesën e tij me dokumente shtesë.
Më 7 maj 2024, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [GJR.KI103/24] dhe Vendimin [KSH.KI103/24] caktoi gjyqtarin Jeton Bytyqi, gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 15 maj 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës i’a dërgoi Gjykatës Supreme. Në të njëjtën ditë, Gjykata i kërkoi Gjykatës Themelore që të dorëzoj fletëkthesën që dëshmon datën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjymtës Supreme.
Më 30 maj 2024, Gjykata Themelore dorëzoi fletëkthesën e kërkuar përmes shkresës së 15 majit 2024.
Më 14 qershor 2024, Gjykata njoftoi Limak Kosovo International Airport “Adem Jashari” J.S.C (në tekstin e mëtejmë: “Limak Kosova”) për regjistrimin e kërkesës, duke e njoftuar këtë të fundit se brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, mund të paraqesin komentet e tyre përkitazi me kërkesën. Gjykata nuk pranoi komente nga “Limak Kosova”, brenda afatit të përcaktuar.
Më 11 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë pas këshillimit, njëzëri (i) deklaroi kërkesën të pranueshme; (ii) shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023, të Gjykatës Supreme; dhe (iii) ktheu Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023, të Gjykatës Supreme në rivendosje.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës nga 1 janari 2002, deri më 4 prill 2011 ishte i punësuar në pozitën e Menaxherit të Sigurimit, në “Limak Kosova”, i cili me po të njëjtin punëdhënës më 4 prill 2011 kishte lidhur kontratë të punës tri (3) vjeçare deri më 3 prill 2014.
Më 25 maj 2012, “Limak Kosova” nëpërmjet Aktvendimit [HR-2012-0273], i’a kishte ndërprerë parashtruesit të kërkesës marrëdhënien e punës me pretendimin se ai ka dështuar që të përmbush detyrat e tij sipas kontratës së punës.
Përkitazi me marrëdhënien e tij të punës tek “Limak Kosova”, parashtruesi i kërkesës inicioi dy (2) procedura gjyqësore:
procedurën nëpërmes padisë së parë kundër “Limak Kosova”, me pretendimin se ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte e paligjshme, dhe si pasojë punëdhënësi duhet obliguar qe të njëjtin ta kthej në vendin e punës dhe t’ia kompensojë të gjitha pagat e humbura; dhe
procedurën përmes padisë së dytë “Limak Kosova”, me të cilën kërkoi që t’i paguheshin tri (3) paga përcjellëse të pensionimit dhe dy (2) paga jubilare, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive (Marrëveshje kjo që buron nga neni 90 (Marrëveshja Kolektive) e Ligjit Nr.03/L-212 të Punës) , e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetori 2017, pasi i njëjti më 2 prill 2017 kishte arritur moshën e pensionimit.
(i) Faktet përkitazi me procedurën e parë gjyqësore ndërlidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës, kundër “Limak Kosova” parashtroi padi në Gjykatën Themelore, nëpërmjet se cilës kërkoi anulimin e Aktvendimit [HR-2012-0273], me të cilin parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënien e punës, dhe si pasojë kërkoi kthim në vend pune dhe pagesën e pagave të humbura.
Më 20 dhjetor 2016, Gjykata Themelore, pasi rasti ishte kthyer në rigjykim, përmes Aktgjykimit [C.nr.412/2015] aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesë, duke detyruar “Limak Kosovën” që (i) ta kthejë atë në vendin e punës si Menaxher i Sigurimit; dhe (ii) t’ia kompensojë pagat e humbura, si rezultat i ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënies së punës.
Më 20 korrikut 2020, duke vendosur sipas ankesës së “Limak Kosova”, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [AC.nr.1276/17] (i) refuzoi ankesën e kësaj të fundit dhe (ii) vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.412/2015] e 20 dhjetorit 2016, të Gjykatës Themelore.
Më 26 prill 2021, duke vendosur sipas revizionit të parashtruar nga “Limak Kosova”, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020], refuzoi revizionin e “Limak Kosova”, duke vërtetuar konstatimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, për (i) kthim në vendim e punës; dhe (ii) kompensimin e pagave të humbura si rezultat i ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Sipas informatave të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij, ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri në arritjen e moshës së pensionimit të tij.
(ii) Faktet përkitazi me procedurën për kompensimin e pagave përcjellëse të pensionimit dhe të pagave jubilare
Në vitin 2017, përderisa procedurat gjyqësore për kthimin e tij në vendin e punës para gjykatave të rregullta ishin duke u zhvilluar, parashtruesi i kërkesës arriti moshën e pensionimit. Si rrjedhojë, ai parashtroi kërkesës tek “Limak Kosova” për pagesën e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit dhe dy (2) paga jubilare sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetori 2017. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij thekson se në lidhje me këtë kërkesë nuk kishte pranuar përgjigje nga “Limak Kosova”.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës kundër “Limak Kosova” parashtroi padi në Gjykatën Themelore, përmes së cilës kërkoi kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit në shumën totale prej katërmijë e treqind e pesëdhjetë (4,350.00) euro dhe të dy (2) pagave jubilare në shumën prej njëmijë e katërqind e pesëdhjetë (1,450.00) euro. “Limak Kosova” paraqiti përgjigjen në padi duke arsyetuar, ndër të tjera, se parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës më 25 maj 2012, dhe se në kohen e ndërprerjes së marrëdhënies së punës nuk kishte marrëveshje të përgjithshme kolektive në fuqi.
Më 20 janar 2020, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr.312/2019] e refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se (i) shpërblimi jubilar nuk i takon pasi në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Kontrata Kolektive nuk ishte në fuqi; ndërsa (ii) për sa i përket kompensimit të pagave përcjellëse për shkak të daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk ka qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”, për faktin se atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, më 25 maj 2012.
Më 12 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [C.nr.312/2019] të Gjykatës Themelore, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar ndër të tjera se përmes Aktgjykimit [C.nr.412/2015] të Gjykatës Themelore, është anuluar vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës dhe “Limak Kosova” është detyruar që atë ta kthejë në vendin e tij të punës si Menaxher i Sigurimit.
Më 16 shtator 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4626/2020], refuzoi si të pabazuar ankesën e tij, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ishte në marrëdhënie pune nga 25 maji 2012, e deri në ditën arritjes së moshës së pensionimit.
Më 17 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, ndaj Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, duke paraqitur të njëjtat pretendime sikurse para Gjykatës së Apelit.
Më 5 janar 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022], refuzoi kërkesën për revizionin të parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se (i) nuk i takonte shpërblimi jubilar, pasi në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk ishte në fuqi. Ndërsa (ii) për sa i përket kompensimit të pagave për shkak të daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk ka qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”, për faktin se atij i ishte ndërprerë marrëdhënien e punës më 25 maj 2012, dhe si pasojë i njëjtit nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës tek “Limak Kosova”, në tre (3) muajt e fundit para pensionimit dhe nuk ka realizuar të ardhura mujore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, dhe paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNj).
Parashtruesi i kërkesës thekson se gjykata e shkallës së parë përmes Aktgjykimit [C.nr. 312/2019] të 20 janarit 2020, ka refuzuar kërkesëpadinë e tij, për pagesën e pagave përcjellëse dhe jubilare edhe përkundër faktit se e njëjta gjykatë me Aktgjykimin [C.nr.412/2015], e 20 dhjetorit 2016, kishte anuluar si të kundërligjshëm vendimin e “Limak Kosova” për ndërprerjen marrëdhënies së punës, duke e detyruar këtë të fundit që ta kthej atë në vendin e punës në pozitën e Menaxherit të sigurimit, dhe t'ia kompensojë pagat e humbura prej 25 majit 2012 deri më 2 maj 2017, përkatësisht deri në ditën e pensionimit. Parashtruesi i kërkesës thekson se kemi dy vendime të kundërta të gjykatës së njëjtë për të njëjtin paditës, sepse me Aktgjykimin [C.nr.412/2015] e 20 dhjetorit 2016, Gjykata Themelore e ka anuluar vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies se punës ndaj palës paditëse, ndërsa në anën tjetër e njëjta gjykatë ka refuzuar padinë e tij për pagesën e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit dhe të dy (2) pagave jubilare, duke shtuar se Aktgjykimi i 20 dhjetorit 2016 ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [AC.nr.1276/2017] të 20 korrikut 2020 dhe nga Gjykata Supreme me Aktgjykimin Rev.nr. 508/2020 të 26 prillit 2021.
Parashtruesi i kërkesës thekson se më 3 qershor 2021 ia kishte dërguar Gjykatës së Apelit, Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Rev.nr.508/2020] të 26 prillit 2021 më të cilin kjo e fundit e kishte refuzuar revizionin e punëdhënësit “Limak Kosova” dhe kishte konfirmuar Aktgjykimin [Ac.nr.1276/2017] e Gjykatës së Apelit të 20 korrik 2020 dhe Aktgjykimin [C.nr. 412/2015] e 20 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, me të cilët është aprovuar padia e tij për kthim në vendin e punës dhe kompensim të pagave të humbura. Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e saj [CA.nr.4626/2020], thekson se paditësit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës më 25 maj 2012, edhe përkundër faktit se asaj gjykate i ishin prezantuar aktgjykimit e lartcituara, me të cilat u anulua vendimi i punëdhënësit “Limak Kosova” për ndërprerjen e marrëdhënies se punës.
Në këtë kontekst parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është kundërthënës, pasi arsyetimi për ndërprerje të marrëdhënies së punës, sipas tij nuk do duhej të ishte bazë për mos aprovimin e padisë për pagesën e pagave përcjellëse të pensionimit dhe të pagave jubilare, dhe se Gjykata e Apelit nuk ka arsyetuar se përse sipas saj paditësi nuk ishte në marrëdhënie efektive pune. Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se është fakt i vërtetuar se paditësi ishte në marrëdhënie pune, që nga vitit 1971, e deri në datën e pensionimit më 2 maj 2017. Sipas tij arsyetimi i Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [AC.nr4626/2020] të 16 shtatorit 2022, sipas faqes 6, “se paditësi ne tre muajt e fundit para pensionimit nuk ka realizuar page mujore nga marrëdhënia e punës te e paditura nuk qëndron”, sepse në shkresat e lëndës ishte edhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe i Gjykatës Supreme të dorëzuara me parashtresat e cituara me lartë dhe se për më tepër, i njëjti është kompensuar nga “Limak Kosova” për pagat e humbura si rezultat i ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënies së punës.
Parashtruesi i kërkesës në vazhdim thekson se ka parashtruar kërkesës për revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [AC.nr. 4626/2020] të Gjykatës së Apelit të 16 shtatorit 2022, duke shtuar se kërkesës pre revizor i’a kishte bashkëngjitur edhe aktgjykimet me të cilat ishte aprovuar padia e tij për kthim në vendin e punës. Megjithatë, i njëjti mëton se Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar revizionin e ushtruar, me arsyetimin se paditësit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, më 25 maj 2012, dhe se në këtë periudhë nuk ka qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Ligji Nr.03/L-212 i Punës
“Neni 3
Përkufizimet
Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
[...]
Kontrata Kolektive - marrëveshja ndërmjet organizatave të punëdhënësve dhe organizatave të të punësuarve me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës sipas marrëveshjes së arritur;
[...]
Neni 4
Hierarkia në mes të Ligjit, Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratës së Punës
Dispozitat e Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratës së Punës duhet të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Kontrata Kolektive nuk mund të përmbajë të drejta më pak të favorshme për të punësuarin dhe punëdhënësin se sa të drejtat e përcaktuara me këtë ligj.
[...]
Neni 11
Përmbajtja e Kontratës së Punës
Kontrata e Punës përmban;
[...]
të drejtat dhe detyrimet të cilat nuk janë të përcaktuara me Kontratën e Punës, rregullohen me dispozitat e këtij ligji, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit;
[...]
Neni 90
Marrëveshja Kolektive
[...]
4. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet.
5. Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive.
6. Marrëveshja Kolektive nuk mund të përfshijë dispozita të tilla që kufizojnë të drejtat e të punësuarve që kanë si pasojë kushte më pak të favorshme të punës sesa ato të përcaktuar në këtë ligj.
[...]
Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, e 18 marsit 2014
Neni 3
Aplikimi dhe përfshirja
Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Neni 53
Kompensimi në rast të pensionimit
I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të detajuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar; ai konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme, pasi që i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit; i njëjti ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, ashtu siç parashihet me nenin 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, në pajtim me kërkesat e nenit 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë, përkatësisht me dispozitat (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
“Gjykata mund ta konsideroj një kërkesë të pranueshme, nëse:
[...]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
[...]
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me paragrafin 1 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës dhe se e njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara nëpërmjet paragrafit 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Për më tepër dhe në fund, Gjykata thekson se kërkesa nuk mund të shpallet e papranueshme mbi asnjë bazë tjetër. Prandaj, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të vlerësohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata fillimisht rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në pozitën e Menaxherit të Sigurimit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga 1 janari 2002, deri më 4 prill 2011, dhe me pas kishte lidhur kontratë të punës tri (3) vjeçare me “Limak Kosova” duke filluar nga 4 prilli 2011 deri më 3 prill 2014, kontratë kjo me mundësi vazhdimi. Më 25 maj 2012, “Limak Kosova” parashtruesit të kërkesës i kishte ndërprerë marrëdhënien e punës me pretendimin se ai ka dështuar në përmbushjen e detyrave të punës të përcaktuara në kontratën e tij të punës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar dy (2) procedura gjyqësore, përkatësisht:
paraqitjen e padisë së parë ndaj “Limak Kosova”, në Gjykatën Themelore, përmes të cilës kishte pretenduar se ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte e paligjshme. Kjo procedurë kishte rezultuar në nxjerrjen e Aktgjykimit [C.nr.412/2015] të 20 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, përmes të cilit ishte vendosur që parashtruesi i kërkesës (i) të kthehej në vendin e tij të mëparshëm të punës, dhe (ii) të kompensohej për pagat e humbura, si rezultat i ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Ky Aktgjykim ishte vërtetuar përmes Aktgjykimit [AC.nr.1276/17] të 20 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020] të 26 prillit 2021, të Gjykatës Supreme. Si rezultat i këtij Aktgjykimi, sipas parashtruesit të kërkesës ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri në moshën e pensionimit të tij në vitin 2017; dhe
paraqitjen e padisë së dytë ndaj “Limak Kosova”, në Gjykatën Themelore duke kërkuar: (i) pagesën e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit, pasi i njëjti në vitin 2017, kishte arritur moshën e pensionimit; dhe (ii) pagesën e dy (2) pagave jubilare, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017. Lidhur me këtë padi, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.312/2019] të 20 janarit 2020, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se: (i) nuk i takon shpërblimi jubilar, pasi që në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, nuk ishte në fuqi; ndërsa për sa i përket (ii) kompensimit të pagave përcjellëses të pensionimit si rezultat i daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk kishte qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”, për faktin se atij i ishte ndërprerë marrëdhënien e punës më 25 maj 2012. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4626/20] të 16 shtator 2022 të Gjykatës së Apelit; dhe Aktgjykimit të kontestuar [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023, të Gjykatës Supreme.
Gjykata vë në pah, se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij në Gjykatë konteston procedurën e dytë, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.4626/2020] të 16 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C.nr.312/2019] të 20 janarit 2020 të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
Parashtruesi i kërkesës, në kontekst të procedurës së dytë, përkatësisht Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023, të Gjykatës Supreme në esencë pretendon se gjykatat e rregullta, përfshirë edhe Gjykata Supreme nuk mori parasysh faktin që procedura e parë që kishte përfunduar me nxjerrjen e Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020] të 26 prillit 2021 të Gjykatës Supreme, “Limak Kosova” e kishte detyruar që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e punës, dhe t’i kompensojë atij pagat e humbura. Në vijim, parashtruesi i kërkesës shton se si rezultat i përfundimit të procedurës së parë, ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri më datën e pensionimit dhe për pasojë pretendon se i takonin edhe të gjitha të drejtat tjera të të punësuarit, duke përfshirë të drejtat që ndërlidheshin me benificionet e përcaktuara me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës, në thelb ngritë pretendime në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke pretenduar se gjykatat e rregullta gjatë zhvillimit të procedurës së dytë, e cila është objekt i vlerësimit para kësaj gjykate në mënyrë të gabuar kanë interpretuar dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, pa marrë në konsideratë vendimet e gjykatave të rregullta, të nxjerra në procedurën e parë, përmes të cilave ishte vendosur që (i) ai të kthehej në vendim e tij të mëparshëm të punës dhe (ii) të kompensohet për pagat e humbura. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës specifikon se atij i takojnë edhe të drejtat e përcaktuara në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, përfshirë, pagat përcjellëse të përcaktuara në nenin 53 (Kompensimi në rast të pensionimit); dhe pagat jubilare sipas nenit 52 (Shpërblime jubilare) të kësaj marrëveshjeje.
Në dritën e pretendimit thelbësor të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se Marrëveshja Kolektive, në dispozitat e të cilës mbështetet parashtruesi i kërkesës buron nga neni 90 i Ligjit të Punës. Rrjedhimisht, Gjykata pretendimin e parashtruesit të kërkesës do ta trajtojë në kontekst të interpretimit dhe zbatimit të ligjit të aplikueshëm, nga i cili buron Marrëveshja Kolektive, dhe të drejtat dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje.
Në vijim të kësaj, Gjykata gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, në kuptim të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e që ndërlidhen me interpretimin e gabuar dhe qartazi arbitrar të ligjit, do të aplikojë parimet dhe standardet e zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në përmbushje të kërkesave të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, në bazë të të cilit Gjykata, është e detyruar që të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë t’i interpretojë në harmoni me vendimet gjyqësore të GjEDNj-së.
Parimet e përgjithshme përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit
Gjykata fillimisht thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore, si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin dhe zbatimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta hyjnë në fushën e ligjshmërisë dhe, si të tilla, parimisht, nuk janë çështje të Gjykatës Kushtetuese (shih, rastet e Gjykatës nr. KI06/17, me parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, me parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55; dhe KI122/16, me parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56).
Në këtë kuptim, Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me mënyrën se si gjykatat e rregullta merren me konstatimin e fakteve ose interpretimin e ligjit (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato (gjykatat e rregullta) mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Parimisht, Gjykata Kushtetuese nuk mund të vlerësojë arsyet faktike dhe ligjore që kanë bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim, në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata Kushtetuese do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Pra, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih, ndër të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese ne rastet: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri i 16 dhjetorit 2011; KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 37; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, cituar më lart, paragrafi 57).
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve dhe zbatimit të ligjeve nga ana e gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih, rastin e Gjykatës KI75/17, me parashtrues X, cituar më lart, paragrafi 59).
Rrjedhimisht, edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në kuptimin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmerr masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik i cili mund të ketë rezultuar ne "konkluzione arbitrare" (shih, rastet e Gjykatës KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 25 tetorit 2016, paragrafi 40 dhe rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr.73049/01, Aktgjykim i 11 janarit 2007, paragrafi 83, Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, paragrafët 70 74 dhe 84; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, nr. 48553/99, Aktgjykim i 6 nëntorit 2002. paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë, nr. 33202/96, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih gjithashtu, rastin KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 25 tetorit 2016, paragrafi 40).
Lidhur me këtë, Gjykata duke afirmuar parimet dhe qëndrimet e GJEDNJ thekson se detyrë primare e gjykatave të rregullta është që të zgjedhin problemet rreth interpretimit te legjislacionit, përderisa roli i Gjykatës Kushtetuese është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën (shih, në këtë kuptim edhe qëndrimin e GJEDNJ-së në rastin, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, no.38366/97, Aktgjykim i 25 prillit 2000. paragrafët 33-39; Koshoglu kundër Bulgarisë, no.48191/99, Aktgjykim i datës 10 maj 2007, paragrafi 50).
Vlerësimi i Gjykatës
Gjykata fillimisht do të vlerësoj pretendimin e parashtruesit të kërkesës sa i përket pagesës së pagave përcjellëse me rastin e pensionimit, ashtu siç përcaktohet me nenin 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive; dhe pastaj do të vlerësoj pretendimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pagat jubilare ashtu siç përcaktohet me nenin 52 të kësaj marrëveshjeje.
Përkitazi me pagat përcjellëse pas pensionimit
Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se neni 53 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, i cili ishte në fuqi në kohën kur parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit, përcaktonte se:
“I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit.”
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës megjithëse nuk kishte punuar efektivisht tek “Limak Kosova” deri në arritjen e moshës së pensionimit, pasi i njëjti ishte duke ndjekur procedurat përkitazi me ligjshmërinë e largimit të tij nga puna me Vendimin [HR-2012-0273] të “Limak Kosova”, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.412/2015] të 20 dhjetorit 2016, kishte vendosur për (i) kthimin e parashtruesit të kërkesës në vendin e punës, dhe (ii) kompensimin për pagat e humbura si rezultat i largimit nga puna. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [AC.nr.1276/17] të 20 korrikut 2020, dhe nga Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020] të 26 prillit 2021.
Lidhur me të lartcekurat, Gjykata vëren se largimi i parashtruesit të kërkesës nga puna ishte konstatuar i paligjshëm nga gjykatat e rregullta, dhe lidhur me këtë ishte në dijeni edhe Gjykata e Apelit edhe Gjykata Supreme me rastin e vendosjes përkitazi me vendimet e kontestuara. Sipas parashtruesit të kërkesës, ai edhe ishte kompensuar për pagat e papaguara deri në moshën e pensionimit.
Për këtë arsye, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit [C.nr.312/2019] të 20 janarit 2020 të Gjykatës Themelore, e cila ndër të tjera, arsyetoi: “...Nga kontrata e punës për periudhë të caktuar e lidhur në mes paditësit dhe të paditurës e nënshkruar me dt.04.04.2011, rezulton se paditësi tek e paditura ka themeluar marrëdhënien e punës në kohë të caktuar duke filluar nga 04.04.2011 deri me 03.04.2014, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit. [...]” duke shtuar se “ gjykata gjeti se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, këtë për faktin se paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës që nga dt.25.05.2012, në kohën kur marrëveshja e përgjithshme kolektive e sipër përmendur nuk ka qene ne fuqi, dhe marrëveshje tjetër kolektive nuk ka pasur në fuqi, ne kohen kur i është ndërpre marrëdhënia e punës.”
Gjykata vëren se gjendja faktike e vërtetuar nga Gjykata Themelore është pranuar në tërësi nga Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ac.nr.4626/2020] të 16 shtatorit 2022, e cila arsyetoi: “Sa i përket pagës përcjellëse me rastin e pensionimit rezulton se paditësi, në momentin e pensionimit, nuk ishte në marrëdhënie pune te e paditura, për shkak se nga data 25.05.2012, paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës. Pra, paditësi nuk kishte kryer punë dhe detyra të punës në mënyrë efektive tek e paditura, e që rezulton se atij, nuk i takon e drejta në pagesën përcjellëse, në lartësi prej tri pagave mujore, sepse paditësi për tre muajt e fundit, para pensionimit nuk ka realizuar page mujore nga marrëdhënia e punës te e paditura. Pra kolegji, vlerëson se paditësit, që i është ndërpre marrëdhënia e punës në mënyrë të kundërligjshme dhe ky fakt është vërtetuar me vendim të formës së prerë, i takon e drejta e shpërblimit të demit real dhe fitimit të humbur, por jo edhe shpërblimet nga marrëdhënia e punës gjatë afatit kur ai nuk ishte në marrëdhënie pune efektive, duke kryer punë dhe detyra te punës, sipas kontratës së punës te punëdhënësi. Andaj, pretendimet ankimore të paditësit ishin të pa themelta, sepse ai nuk dëshmoi në masën e duhur se te e paditura, si punëdhënës i fundit, ishte në marrëdhënie pune pa ndërprerë në kohëzgjatje prej 10, 20 apo 30 vitesh, në momentin kur MPKK ishte në fuqi e as nuk dëshmoi, se 3 muaj para pensionimit, ka realizuar page te punëdhënësi i fundit.”
Ndërsa sa i përket kompensimit të pagave përcjellës e të pensionimit, Gjykata Supreme, theksoi: “Për sa i përket kompensimit të pagave për shkak të daljes në pension; paditësi me datën 05.04.2017 në momentin e pensionimit nuk ka qenë në marrëdhënie të punës te i padituri, për faktin se i padituri me aktvendimin e datës 25.05.2012, atij ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës. Gjykata Supreme duke e marrë parasysh nenin 53, të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka vlerësuar se paditësi nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës te i padituri në tre muajt e fundit para pensionimit, nuk ka realizuar të ardhura mujore te i padituri, prej nga rezulton se nuk ka të drejtë në kompensimin e pagesës në shumën prej tri pagave mujore.
Nga interpretimi i lartcekur i gjykatave të rregullta përkitazi me të drejtën për paga përcjellëse rezulton se, Gjykata Themelore, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme, të drejtën për paga përcjellëse e kanë interpretuar të shkëputur nga fakti se vendimi për shkëputjen e marrëdhënies së tij të punës ishte shpallur i paligjshëm, me vendime gjyqësore të formës së prerë dhe përfundimtare. Kjo përkundër faktit se edhe Gjykata e Apelit, edhe Gjykata Supreme ishin në dijeni se nëpërmjet vendimeve gjyqësore ishte detyruar “Limak Kosova” që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e punë dhe t’ia kompensojë pagat e humbura, si rezultat i largimit të paligjshëm nga puna.
Në këtë kontekst, Gjykata Supreme duke interpretuar nenin 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që përcakton se “i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit”, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk i takon kjo e drejtë pasi ai nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës te i padituri në tre muajt e fundit para pensionimit, dhe nuk ka realizuar të ardhura mujore tek i padituri.
Megjithatë, vendimi për shkarkimin e tij ishte anuluar dhe “Limak Kosova” ishte obliguar që parashtruesin e kërkesës ta kthej në vendin e punës por duke pasur parasysh faktin që ai veçse kishte arritur moshën e pensionimit, ai kishte realizuar të drejtën në paga të humbura, sikurse të ishte në marrëdhënie të rregullt të punës tek “Limak Kosova”, dhe atë me vendime të formës së prerë dhe përfundimtare.
Prandaj, Gjykata vlerëson se edhe pagat e humbura, përfshirë tri (3) pagat e fundit, ishin të njohura dhe të llogaritshme dhe sikur parashtruesi i kërkesës të mos largohej nga puna në mënyrë të paligjshme, siç është konstatuar me vendim përfundimtar gjyqësor, ai do t’i realizonte ato. Prandaj, Gjykata vëren se paragrafi 53 i Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive, në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh se (i) largimi i tij nga puna ishte deklaruar i paligjshëm me vendim përfundimtar gjyqësor; dhe (ii) faktin që në ndërkohë ai kishte arritur moshën e pensionimit, nuk mund të interpretohet në mënyrë, që kërkon që ai të ketë punuar efektivisht deri në ditën e pensionimit.
Gjykata, rrjedhimisht, vëren se interpretimi i nenit 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive nga Gjykata Supreme, në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës, pasi përkitazi me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij, rezulton se ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte e paligjshme dhe ishte detyruar “Limak Kosova” për t’ia paguar pagat e humbura si rezultat i ndërprerjes së paligjshme të kontratës së punës. Ky fakt nuk ishte përfillur nga gjykatat e rregullta, përfshirë Gjykatën Supreme.
Rrjedhimisht, Gjykata duhet të konstatojë se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme me të cilin është refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesi të kërkesës, në rrethanat e rastit konkret, nuk i ka plotësuar kriteret e një “gjykimi të drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, për shkak të aplikimit dhe interpretimit qartazi të gabuar apo arbitrar të ligjit, dhe si pasojë konstaton se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së.
Përkitazi me të drejtën për “paga jubilare”
Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës përkitazi me të drejtën për paga jubilare, Gjykata vërën se në linjë me konkluzionet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, Gjykata Supreme, theksoi se: “Nga këqyrja e shkresave të lëndës rezulton se paditësi e ka lidhur kontratën e parë të punës me paraardhësin e të paditurit me 7.02.2002, kështu që dhjetëvjetori jubilar do të përmbushej me datën 7.02. 2012, në këtë periudhe kohore në Kosovë nuk ka ekzistuar kontrata kolektive”.
Lidhur me këtë, Gjykata i referohet përmbajtjes së nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që i referohet “përvojës në punë pandërprerë, të punëdhënësi i fundit”.
Gjykata po ashtu i referohet edhe një numri të rasteve ku ajo i kishte shpallur si të qartazi të pabazuara kërkesat që ndërlidheshin me pretendime të parashtruesve të kërkesës se atyre i’u takonte e drejta për paga jubilare kur vitin jubilar e kishin arritur gjatë kohës sa Kontrata kolektive nuk ishte në fuqi (shih ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI118/20, parashtrues i kërkesës Selim Leka, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021; dhe KI72/23, parashtrues Isa Hashani, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024. Gjykata nuk e sheh të nevojshme të devijojë nga kjo praktikë gjyqësore.
Rrjedhimisht, duke pasur parasysh të gjeturat e Gjykatës Supreme si dhe praktikën gjyqësore të vet Gjykatës përkitazi me raste të tilla, pretendimet e parashtruesit të kërkesë për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i mos akordimit të pagave jubilare, është i pabazuar.
Në fund, Gjykata duke pasur parasysh të lartcekurat, konsideron se nuk është e nevojshme të shqyrtohen pretendimet e parashtruesit të kërkesës sa i përket neneve 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 48 (1) (a) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 11 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, se Aktgjykimi [Rev.nr.485/2022] i 5 janarit 2023, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TA SHPALLË TË PAVLEFSHËM, Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës Kosovës;
TA KTHEJË, Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, në rivendosje sipas konstatimeve të Aktgjykimit të Gjykatës;
TA URDHËROJË, Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me nën-rregullin (5) të rregullit 60 të Rregullores së punës, deri më 11 mars 2025, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
T’UA KUMTOJË, këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
TË KONSTATOJË, që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Jeton Bytyqi Gresa Caka-Nimani
Sylejman Zeneli
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 55 - Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore
Civile