KI89/22, Parashtrues Xhelal Plakolli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr. 88/22 të 21 marsit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI89/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 marsit 2023, publikuar më 27 mars 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, parashkrimi i ndjekjes penale, barazia e armëve
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin [Pml.nr. 88/22] e 21 marsit 2022, të Gjykatës Supreme, përmes të cilit Gjykata Supreme ndërroi cilësimin juridik të veprës penale dhe ndryshoi vendimin mbi dënimin për parashtruesin e kërkesës më ç’rast e rikualifikoi veprën penale për të cilën ishte shpallur fajtor nga gjykatat e rregullta nga vepra penale e “Mashtrimit” në veprën penale të “Keqpërdorimit të besimit” si dhe largoi dënimin me gjobë, duke lënë në fuqi vetëm dënimin me burgim prej 10 (dhjetë) muajve. Në esencë, parashtruesi i kërkesës akuzohej për veprën penale të mashtrimit, pasi që, më 10 nëntor 2011, ishte autorizuar nga B.L që në emër të tij të ndërmerrte të gjitha veprimet për shitjen e një prone në Komunën e Ferizajit, ai kishte shitur pronën përmes kontratës së shitblerjes më 4 janar 2012, ndërkaq mjetet e realizuara nga kjo shitje nuk ia kishte dhënë personit B.L., sipas marrëveshjes.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes rikualifikimit juridik të veprës penale, Gjykata Supreme e ka dënuar për vepër penale e cila ka arritur parashkrimin absolut në kuptim të pikës 5 së paragrafit 1 të nenit 90 dhe paragrafit 6 të nenit 91 Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës lidhur me veprën penale të “Keqpërdorimit të besimit” pasi që ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale) i paraparë për ndjekjen e veprës penale, si dhe konsideroi se për shkak të rikualifikimit të veprës penale nga Gjykata Supreme i është mohuar e drejta për t’u ankuar dhe parashtruar argumente kundër veprës penale për të cilën është dënuar, me ç’rast pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe te Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neneve 32 [E drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, dhe nenin 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës në lidhje me nenin 7 (Nuk ka dënim pa ligj) të KEDNJ-së. Gjithashtu, parashtruesi pretendoi se Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit kanë krijuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme duke krijuar pasiguri juridike dhe vendosur në pozitë të pabarabartë parashtruesin e kërkesës në kuptim të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës (i) për parashkrimin e veprës penale për të cilën është dënuar, respektivisht, shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 dhe 33 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6 dhe 7 të KEDNJ-së janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese , siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës, (ii) për shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe të drejtës për mjete juridike janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 3 të rregullit 39 të Rregullores së punë, si dhe (iii) në lidhje me ekzistimin e divergjencës në praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit, si dhe për shkelje të neneve 3, 24 dhe 31 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.
Xhelal Plakolli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale