Prishtinë, më 6 tetor 2022
Nr. Ref.:RK 2055/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastet nr. KI06/22, KI 11/22 i KI12/22
Parashtruesit
Fatlum Shabani, Emin Rahimi dhe Jeton Ramadani
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,
Pml. nr. 39/2021, të 8 marsit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
në përbërje:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa KI06/22 është dorëzuar nga Fatlum Shabani nga Gjilani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i parë i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Sevdail Robelli, avokat.
- Kërkesa KI11/22 është dorëzuar nga Emin Rahimi nga Gjilani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i dytë i kërkesës).
- Kërkesa KI12/22 është dorëzuar nga Jeton Ramadani nga fshati Livoç i Poshtëm, Komuna e Gjilanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i tretë i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Lirija Kovani, avokate.
- Kur Gjykata i referohet bashkërisht parashtruesit të parë, të dytë dhe të tretë të kërkesës, do iu referohet si parashtruesit e kërkesës.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml. nr. 39/2021] të 8 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [PA1. nr. 679/2019] të 8 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [P. nr. 857/2014] të 12 marsit 2019 të Gjykatës Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
- Parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar e kanë pranuar:
KI06/22, parashtruesi Fatlum Shabani më 29 prill 2021;
KI11/22, parashtruesi Emin Rahimi më 28 prill 2021; dhe
KI12/22, parashtruesi Jeton Ramadani më 29 prill 2021.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 1 të Protokollit 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 20 janar 2022, parashtruesi i parë i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën KI06/22 në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), të cilën Gjykata e pranoi më 21 janar 2021.
- Më 26 janar 2022, parashtruesi i dytë i kërkesës e dorëzoi kërkesën KI11/22 në Gjykatë.
- Më 26 janar 2022, parashtruesi i tretë i kërkesës e dorëzoi kërkesën KI12/22 në Gjykatë.
- Më 3 shkurt 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi për rastin KI06/22 gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesuesi), Safet Hoxha dhe Radomir Laban.
- Më 3 shkurt 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e parë, të dytë dhe të tretë për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata gjithashtu kërkoi nga Gjykata Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesit e kërkesës e kishin pranuar vendimin e kontestuar. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
- Më 18 shkurt 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën që tregon se:
KI06/22, parashtruesi Fatlum Shabani e pranoi vendimin e kontestuar më 29 prill 2021;
KI11/22, parashtruesi Emin Rahimi e pranoi vendimin e kontestuar më 28 prill 2021; dhe
KI12/22, parashtruesi Jeton Ramadani e pranoi vendimin e kontestuar më 29 prill 2021.
- Më 28 mars 2022, në pajtim me rregullin 1 të Rregullores së punës, Kryetarja e Gjykatës urdhëroi bashkimin e kërkesave KI06/22, KI11/22 dhe KI12/22. Përbërja e Kolegjit shqyrtues mbeti e njëjtë.
- Më 20 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Sipas shkresave të lëndës, më 16 maj 2016, kundër parashtruesve të kërkesës është ngritur aktakuza për shkak se në cilësinë e personave zyrtarë (policëve të Kosovës), më 20 korrik 2014, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta, kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tyre zyrtare, në atë mënyrë që kanë fyer dhe përdorur forcë të tepruar gjatë privimit të Z.D. nga liria.
- Më 27 mars 2018, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [P. nr. 857/2014], i shpalli parashtruesit e kërkesës fajtor për kryerjen e veprave penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 198 paragrafi 1 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082 (në tekstin e mëtejmë: KPRK) dhe i shqiptoi parashtruesit të parë të kërkesës dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) muajve, si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 2000 (dymijë) euro, ndërsa parashtruesit të dytë dhe të tretë, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) muajve, si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 1200 (një mijë e dyqind) euro. Me të njëjtin Aktgjykim ishte shpallur fajtor edhe Z.D. për shkak të kryerjes së veprave penale Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 paragrafi 2 i KPRK-së dhe i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, si dhe dënimi me gjobë në shumë prej 600 (gjashtëqind) euro.
- Në një datë të pacaktuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të vendimit mbi sanksionin penal. Z.D. dhe Prokuroria e Apelit gjithashtu paraqitën ankesa ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
- Më 8 korrik 2020, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [PA1. nr. 679/2019], i refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës, të Z.D. dhe të Prokurorisë së Apelit dhe vërtetoi në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore.
- Parashtruesit e kërkesës, në data të pacaktuara, paraqitën kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve të ligjit penal dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
- Më 5 shkurt 2021, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes shkresës KMLP.II.nr. 28/2021, propozoi që kërkesat e parashtruesve për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohen si të pabazuara.
- Më 8 mars 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit PML. nr. 39/2021, refuzoi si të pabazuara pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe vërtetoi në tërësi aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Pretendimet e parashtruesit
- Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit 1 të KEDNJ-së.
- Parashtruesit e kërkesës pranë Gjykatës parashtrojnë pretendime identike, duke theksuar se Gjykata e Apelit ka cenuar parimin e barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit të procedurës, për shkak se nuk i ka ftuar në seancën e Kolegjit në mënyrë që të njëjtit të jenë prezent në seancën e Kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe të ofrojnë qëndrimin e tyre lidhur me pretendimet ankimore. Në këtë rast, në seancën e Gjykatës së Apelit është ftuar vetëm Prokuroria e Apelit, ndërsa parashtruesit e kërkesës nuk kanë qenë të ftuar dhe nuk kanë marrë pjesë në seancën e Kolegjit. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me parimin e “barazisë së armëve“.
- Parashtruesit e kërkesës i referohen rastit të Gjykatës KI104/16, parashtrues i kërkesës: Miodrag Pavić, Aktgjykim i 16 majit 2019, ku është trajtuar barazia e armëve; rastit të GJEDNJ-së, ku është trajtuar barazia e armëve, Dombo Beheer BV kundër Holandës, Aktgjykim i 27 tetorit 1993, paragrafi 33; si dhe rastit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me numër nr. 318/2021, parashtrues i kërkesës: Adil Shillova, të 2 gushtit 2021.
- Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) kërkesat e tyre të deklarohen të pranueshme; (ii) të konstatohet se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit PA1. nr. 679/2019 të 7 korrikut 2020 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Supreme PML. nr. 39/2021 të 8 marsit 2021 janë të kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 1 të Protokollit Shtesë të KEDNJ-së; dhe (iii) çështja të kthehet në rishqyrtim në Gjykatën e Apelit.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe të Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
- c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të parapara më tej me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
- Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor… ”.
- Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara, të cilat kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ nr. 3/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 8 marsit 2021, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kanë qartësuar të drejtat dhe liritë që ata pretendojnë se u janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.
- Megjithatë, Gjykata gjithashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet të dorëzohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesve u është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe me pikën (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, e cila përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
- Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktgjykimin [Pml. nr. 3/2021] e Gjykatës Supreme të 8 marsit 2021. Fletëkthesa e cila është dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton se Aktgjykimi i kontestuar është pranuar nga parashtruesi i kërkesës KI06/22, Fatlum Shabani, më 29 prill 2021, nga parashtruesi i kërkesës KI11/22, Emin Rahimi, më 28 prill 2021, dhe nga parashtruesi i kërkesës KI12/22, Jeton Ramadani, më 29 prill 2021. Parashtruesi i kërkesës KI06/22, Fatlum Shabani e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 20 janar 2022, ndërsa parashtruesit e kërkesës KI11/22, Emin Rahimi, dhe KI12/22, Jeton Ramadani, e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatë më 26 janar 2022, më shumë se 8 (tetë) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe me Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
- Kur një parashtrues i kërkesës ka të drejtën që t’i shkoj zyrtarisht një kopje e vendimit të formës së prerë të organeve të brendshme gjyqësore, është e përshtatshme me objektin dhe qëllimin e nenit 49 të Ligjit të konsiderojë që afati prej katër muajsh fillon të ecë nga data e dorëzimit të kopjes së këtij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
- Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë sigurinë juridike, duke siguruar që rastet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih, gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
- Si përfundim, për arsyet e shtjelluara më lart, Gjykata konstaton se kërkesat nuk janë dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesve të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 20 shtator 2022, njëzëri
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani