Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 310/2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 14 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI 196/21

Parashtruesit: Gëzim Shtufi

Shkarko:

KI196/21, Parashtrues: Gëzim Shtufi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 310/2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 14 shtatorit 2021

KI196/21, Aktgjykim i 26 majit 2022, publikuar më 16 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, çështje penale, paanshmëria e gjykatës, e drejta për vendim të arsyetuar, kërkesë e pranueshme, shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen, ndër tjerash, me procedurat gjyqësore në një çështje penale, në të cilën e njëjta gjyqtare kishte marrë pjesë në kolegjin vendimmarrës në dy nivele juridiksioni. Më saktësisht, nga shkresat e lëndës rezulton që ndaj parashtruesit të kërkesës, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë për kryerjen e veprave penale të “detyrimit” dhe të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”. Gjykata Themelore e kishte liruar parashtruesin e kërkesës nga aktakuza sa i përket të parës, ndërsa e kishte shpallur fajtor përkitazi me të dytën, duke e dënuar parashtruesin e kërkesës me gjobë. Pas ankesës së Prokurorisë Themelore, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, sa i përket lirimit nga aktakuza për veprën penale të “detyrimit”. Kryesuese e kolegjit shqyrtues në këtë vendimmarrje ishte gjyqtarja M. M. Duke vendosur në rigjykim, Gjykata Themelore e refuzoi sërish akuzën ndaj parashtruesit të kërkesës për veprën penale të “detyrimit”, duke u thirrur në parimin res judicata. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së Prokurorisë Themelore, për herë të dytë e riktheu çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, duke urdhëruar që në rigjykim kjo çështje penalo-juridike t’i jepet një trupi tjetër gjykues, pasi trupi gjykues i cili ka gjykuar në shkallë të parë nuk i është përmbajtur vërejtjeve dhe udhëzimeve të Gjykatës së Apelit. Kryesuese e kolegjit shqyrtues në këtë vendimmarrje ishte sërish gjyqtarja M. M. Gjykata Themelore sërish e refuzoi aktakuzën ndaj parashtruesit të kërkesës, duke u thirrur në parimin res judicata dhe ne bis in idem. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte ankimuar nga Prokuroria Themelore në Gjykatën e Apelit, e cila e riktheu për herë të tretë çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, me ç’ rast kjo e fundit e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale të “detyrimit” dhe e dënoi atë me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Prokuroria Themelore parashtroi përsëri ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, por këtë herë vetëm sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar. Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e rritur dënimin nga një vit me kusht, në 3 (tre) vite me burgim efektiv. Parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, me ç’ rast kjo e fundit, e refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vërtetoi aktgjykimet e instancave më të ulëta, duke e lënë në fuqi dënimin e shqiptuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh. Në këtë vendimmarrje pjesë e Kolegjit shqyrtues ishte gjyqtarja M. M.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkelje të parimit të (i) “paanshmërisë së gjykatës”, si rezultat i pjesëmarrjes së gjyqtares M. M. në dy nivele të ndryshme të juridiksionit për rastin penal ndaj tij, konkretisht në atë të Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Supreme; si dhe (ii) të së “drejtës për një vendim të arsyetuar”, si pjesë përbërëse të së drejtës së një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me “paanshmërinë e gjykatës”, dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, ritheksoi se paanësia e një gjykate bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të saj dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet të përcaktohet sipas (i) testit subjektiv, që ndërlidhet me bindjen dhe sjelljes personale të një gjyqtari, duke vlerësuar nëse një gjyqtar mund të ketë pasur paragjykime personale apo anshmëri në një rast të caktuar; dhe (ii) testit objektiv apo nëse vet gjykata, mes tjerash, përbërja e saj, ka ofruar garancione të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim në këtë drejtim.

Në këtë kuptim, Gjykata, duke zbatuar kriteret e sipërcekura, konstatoi se trupi gjykues i Gjykatës Supreme ishte i paanshëm në kuptim të testit subjektiv, megjithatë ai nuk ishte i paanshëm në kuptim të testit objektiv, për faktin se, gjyqtarja M. M. kishte marrë pjesë në dy nivele të ndryshme të juridiksionit për rastin penal, dhe atë dy herë si kryesuese e Kolegjit në Gjykatën e Apelit dhe së fundmi si anëtare e Kolegjit në Gjykatën Supreme. Në këtë kontekst, Gjykata përtej kritereve të përcaktuara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjithashtu rikujtoi përmbajtjen e paragrafit 2 të nenit 39 të Kodit të Procedurës Penale, i cili specifikisht përcakton që gjyqtari duhet të vetpërjashtohet nga vendimmarrja në rast se ka marrë pjesë në procedura të mëhershme në të njëjtin rast penal, gjë që nuk kishte ndodhur në rrethanat e rastit konkret.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar [Pml. nr. 310/2021] i 14 shtatorit 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara nga neni 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin në rivendosje në Gjykatën Supreme.

Parashtruesit:

Gëzim Shtufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale