Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PAKR. nr. 468/18 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 14 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 195/18

Parashtruesit: AfrimHaxha

Shkarko:

KI195/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PAKR. nr. 468/18 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 14 nëntorit 2018

KI195/18, parashtrues Afrim Haxha

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 23 korrikut 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, vendim për hedhje poshtë, pretendim i jo-aktiv dhe i padiskutueshëm, rregulli 35 (4) i Rregullores së punës

Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor për një vepër të caktuar penale dhe ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Të njëjtin Aktgjykim e kishte konfirmuar Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 468/18] të 14 nëntorit 2018. Duke e kontestuar këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kërkesën e tij para kësaj Gjykate. Megjithatë, sipas informacioneve të dorëzuara nga vet parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme e kishte shfuqizuar Aktgjykimin e kontestuar para kësaj Gjykate, respektivisht Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim pranë Gjykatës së Apelit.

Më dritë të këtyre fakteve dhe rrethanave të krijuara në këtë rast, gjatë shqyrtimit të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata vërejti që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk është më tej në fuqi dhe si i tillë nuk prodhon asnjë efekt juridik për parashtruesin e kërkesës. Duke qenë kështu, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me Aktgjykimit e kontestuar të Gjykatës së Apelit, përbëjnë pretendime të cilat tanimë nuk janë “aktivisht të diskutueshme”. Andaj, në përputhje me paragrafin (4) të rregullit 35 të Rregullores së punës, Gjykata vendosi, unanimisht, që kërkesën e parashtruesit të kërkesës ta hedhë poshtë si e papranueshme për shqyrtim të mëtejmë.

Në fund, për sa i takon kërkesës së parashtruesit që lënda e tij të mbahet aktive deri në vendosjen e sërishme nga Gjykata e Apelit, Gjykata arsyetoi se kërkesat nuk mund të mbahen aktive siç kërkon parashtruesi i kërkesës, meqë nuk ka asnjë bazë ligjore në bazë të së cilës një gjë e tillë mund t’i kërkohet Gjykatës apo në bazë të së cilës i lejohet Gjykatës të miratojë të tilla kërkesa. Megjithatë, Gjykata theksoi se përfundimi i dhënë në këtë Vendim nuk e ndalon parashtruesin e kërkesës që në një fazë të mëvonshme t’i drejtohet Gjykatës sërish duke kontestuar një akt të ri të një autoriteti publik për të cilin ai mund të pretendojë se i shkelë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Si përfundim, kërkesa e parashtruesit u hodh poshtë e papranueshme për shqyrtim të mëtejmë bazuar në paragrafin (4) të rregullit 35 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

AfrimHaxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale