Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP. nr.44/2020 të Gjykatës Supreme, të 23 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 75/21

Parashtruesit: “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”

Shkarko:

KI75/21, Parashtrues: “Abrazen LLC”, “Energy Development GroupKosovaLLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, V Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP. nr.44/2020 të Gjykatës Supreme, të 23 korrikut 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, masë e sigurisë, vendim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një Vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, për caktimin e tarifave nxitëse për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare/fotovoltaike, sipas të cilit, aplikuesit përkatës ishin pajisur me autorizime preliminare dhe ishin në listën e pritjes për t’u informuar për përfshirjen në skemën mbështetëse për caqet e disponueshme. Parashtruesit e kërkesës ishin në këtë kategori. Kundër këtij vendimi të ZREE-së, Sami Kurteshi, parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes të cilës, kërkoi (i) anulimin e vendimit të lartcekur të ZREE-së; dhe (ii) shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, deri në vendosjen e çështjes kontestuese në mënyrë meritore, duke pretenduar se si pasojë e këtij Vendimi, do të mund të shtrenjtohej energjia elektrike, prandaj si konsumator i energjisë elektrike atij do të i shkaktohej dëm i pariparueshëm.

Gjykata Themelore, aprovoi si të bazuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar. Në arsyetimin e vendimit të saj, kjo e fundit, kishte përshkruar kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 22 të Ligjit 03/L-202 për Konfliktet Administrative (LKA), por përkundër faktit që referohej në “prova të besueshme”, nuk kishte paraqitur asnjë prej tyre dhe as nuk kishte arsyetuar se si të njëjtat rezultojnë në plotësimin e kritereve të përcaktuara përmes nenit 22 të LKA-së, përkatësisht (i) nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej; dhe (ii) shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.

Kundër Aktvendimit të lartcekur, parashtruan ankesë ZREE-ja dhe parashtruesit e kërkesës, në të cilën theksuan se, Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, i mungonte arsyetimi lidhur me (i) faktet vendimtare dhe kriteret ligjore për lejimin e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së, siç kërkohet përmes nenit 22 të LKA-së; dhe (ii)  mungesën e legjitimitetit procedural të paditësit, siç kërkohet, ndër tjerash, përmes nenit 34 të LKA-së. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke vepruar sipas ankesës dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, respektivisht, miratuan qëndrimin e Gjykatës Themelore. Megjithatë, përkundër pretendimeve të parashtrueseve të kërkesës, asnjëra nga këto instanca, (i) përtej përshkrimit të dispozitës ligjore, përkatësisht nenit 22 të LKA-së, nuk sqaruan se si kriteret ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ishin plotësuar në rrethanat e rastit konkret; dhe (ii) nuk ofruan fare arsyetim përkitazi me pretendimin thelbësor të parashtruesve të kërkesës lidhur me mungesën e legjitimitetit procedural të paditësit sipas nenit 34 të LKA-së.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës i kontestuan konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryesisht, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësorë, në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara  përmes neneve të lartcekura.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi që, Gjykata Themelore, në pezullimin e ekzekutimit të një vendimi në afat të pacaktuar, përkatësisht deri në zgjidhjen në merita të një çështje, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë asnjë arsyetim përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e një vendimi, përkatësisht ato të përcaktuara saktësisht në nenin 22 të LKA-së dhe as nuk kishte shqyrtuar fare, nëse pala paditëse, ndër të tjera, kishte legjitimitet procedural, siç kërkohet përmes nenit 34 të LKA-së. Për më tepër, dhe përkundër faktit që mungesa e trajtimit të këtyre dy neneve të LKA-së, ishte ngritur në mënyrë të vazhdueshme nëpër instanca gjyqësore përmes ankesave përkatëse nga parashtruesit e kërkesës,  edhe Gjykata e Apelit edhe ajo Supreme, thjeshtë kishin miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, duke mos adresuar asnjë nga argumentet e palëve të ngritura përmes ankesave përkatëse, përkatësisht duke mos sqaruar se si, për pezullimin e ekzekutimit të një vendimi deri në zgjidhjen meritore të çështjes, ishin plotësuar kriteret e përcaktuara në nenet 22 dhe 34 të LKA-së, respektivisht.

Në këtë aspekt, Gjykata theksoi, se përderisa bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatat me juridiksion apeli në miratimin e vendimi të një instance më të ulët, jo detyrimisht duhet të dhënë sqarime lidhur me secilin argument të palës, të njëjtat duhet të tregojnë “konsideratë të majftueshme” përgjatë një vlerësimi të tillë, në këtë kontekst, pretendimet e palëve të cilat janë thelbësore dhe/ose përcaktuese për meritat e një rasti, duhet medoemos të trajtohen dhe arsyetohen. Në rrethanat e këtij rasti, gjykatat e rregullta kishin miratuar pezullimin e një vendimi deri në zgjidhjen meritore të çështjes, vetëm duke përshkruar dispozita ligjore, dhe pa dhënë asnjë arsyetim lidhur me plotësimin e kritereve qartë të përcaktuara në nenet 22 dhe 34 të LKA-së, respektivisht.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, vendimet e gjykatave të rregullta, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore.

Parashtruesit:

“Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative