Prishtinë, më 16 prill 2024
Nr. ref.:RK 2417/24
VENDIM PËR HEDHJE POSHTË TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI70/23
Parashtruese
Xhemile Ademi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ae. Nr. 835/19 të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Xhemile Ademi, me vendbanim në fshatin Mihaliq, Komuna e Vushtrrisë, përfaqësuar nga Nysret Mjeku, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ae.nr.835/19] të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), lidhur me Aktgjykimin [C.nr.627/18] të 11 tetorit 2018 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 mars 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023 Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.KSH.KI70/23] dhe Vendimit [Nr.GJR.KI70/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 25 prill 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesen e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 25 prill 2023, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, të dorëzojë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesja e kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Ac.nr.835/19] të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Më 22 maj 2023, pas kalimit të afatit të paraparë prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, Gjykata rikujtoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që në afat prej 7 (shtatë) ditësh të dorëzojë informatat e kërkuara me shkresën e 25 prillit 2023.
Më 24 maj 2023, Gjykata Themelore dorëzoi përmes postës elektronike kopjen e fletëkthesës së kërkuar, që dëshmon se parashtruesja e kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Ae.nr.835/19] të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit më 30 janar 2023.
Më 31 maj 2023, Gjykata kërkoi nga përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës, që të njoftojë Gjykatën në qoftë se kundër Aktgjykimit [Ac.nr.835/19] të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit, ka paraqitur revizion. Po ashtu, nga i njëjti kërkoi që kërkesën ta plotësojë me dokumentacionin në vijim: kopjen e kërkesëpadisë të parashtruar në Gjykatën Themelore më 2 shkurt 2012, dhe kopjet e të gjitha parashtresave dhe ankesave të dorëzuara para gjykatave të rregullta që nga momenti i parashtrimit të kërkesëpadisë më 2 shkurt 2012.
Më 12 qershor 2023, përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës dorëzoi informatën dhe dokumentet shtesë në Gjykatë, ndër to, kopjen e revizionit të nënshkrua nga ai, të cilës i mungonte vula dhe data e pranimit nga Gjykata Themelore.
Më 13 qershor 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin ligjor të parashtrueses së kërkesës se ka pranuar dokumentet shtesë në lidhje me kërkesën. Lidhur me kopjen e revizionit të dorëzuar nga ai, Gjykata kërkoi nga i njëjti që të njoftojë Gjykatën se me cilën datë e ka parashtruar revizionin në Gjykatën Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), dhe të dorëzojë dëshminë se kur Gjykata Themelore e ka pranuar revizionin, duke e lutur që informatën dhe dokumentacionin ta dorëzojë në Gjykatë në afat prej pesë (5) ditësh, nga dita e pranimit të shkresës.
Më 6 korrik 2023, pasi nuk mori përgjigje, Gjykata përsëri kërkoi nga përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës që të njoftojë Gjykatën se me cilën datë e ka parashtruar revizionin në Gjykatë Supreme, dhe të dorëzojë dëshminë se kur Gjykata Themelore e ka pranuar revizionin, duke e lutur që informatën dhe dokumentacionin ta dorëzojë në Gjykatë në afat prej pesë (5) ditësh, nga dita e pranimit të shkresës.
Më 27 korrik 2023, përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës dorëzoi sërish kopjen e revizionit, mirëpo nuk dorëzoi informatën se me cilën datë e ka parashtruar revizionin në Gjykatë Supreme dhe dëshminë se nëse apo kur Gjykata Themelore e ka pranuar revizionin.
Më 7 nëntor 2023, Gjykata pas shqyrtimit të Raportit Paraprak të Gjyqtarit raportues vendosi që të shtyjë shqyrtimin e kërkesës pas dorëzimit dhe plotësimit me informata shtesë.
Më 13 nëntor 2023, Gjykata i kërkoi Gjykatës Supreme që të dorëzojë informatën që konfirmon nëse parashtruesja e kërkesës ka dorëzuar revizion në Gjykatën Supreme, dhe nëse ky është rasti të (i) konfirmojë datën e dorëzimit të revizionit dhe nëse (ii) Gjykata Supreme ka nxjerrë vendim në lidhje me revizionin.
Më 8 dhjetor 2023, Gjykata pranoi dokumentacionin e dorëzuar nga Gjykata Supreme, përmes të cilit konfirmohet që (i) parashtruesja e kërkesës më 22 shkurt 2023 përmes Gjykatës Themelore kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme; dhe (ii) Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj [Rev. 211/2023] të nxjerrë më 7 qershor 2023, revizionin e parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar si të bazuar, duke anuluar Aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit dhe duke kthyer lëndën për rigjykim në Gjykatën Themelore.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 mars 2024, Gjykata pas shqyrtimit të raportit të Gjyqtarit raportues nga Kolegji shqyrtues, me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën e parashtrueses së kërkesës.
Në përputhje me rregullin 57 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës të Gjykatës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim konkurrues, i cili do të publikohet së bashku me këtë Vendim.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 28 nëntor 1999, bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës, ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra në punë, në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK). KEK-u, bashkëshortes së të ndjerit dhe pasardhësve të tij, iu kompensoi rentën mujore në periudhë prej pesë (5) vitesh, duke e ndërprerë të njëjtën në mënyrë të njëanshme më 1 korrik 2006.
Në vitin 2006, parashtruesja e kërkesës, së bashku me pasardhësit e të ndjerit, parashtruan padi në Gjykatën Komunale në Vushtrri, duke kërkuar rivendosjen e të drejtës në ushqimi dhe mbajtje.
Më 20 shkurt 2008, Gjykata Komunale në Vushtrri, përmes Aktvendimit [C.nr.537/06], u shpall jokompetente për vendosje në këtë çështje.
Më 2 shkurt 2012, parashtruesja e kërkesës dhe pasardhësit e të ndjerit, parashtruan padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, për kompensimin e fitimit të munguar-rentës mujore.
Më 30 prill 2015, përmes Aktvendimit [C.nr.262/12], Gjykata Themelore e hodhi padinë e parashtrueses së kërkesës dhe paditësve të tjerë si të pasafatshme, duke theksuar e parashtruesja e kërkesës e ka lëshuar afatin për mbrojtjen e të drejtave të cenuara, ashtu siç parashihet me dispozitën e nenit 79 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës).
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë ndaj Aktvendimit [C.nr.262/12] të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore.
Më 14 shkurt 2018, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.3706/15] pranoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të bazuar, prishi Aktvendimin [C.nr.262/12] të 30 prillit 2015, të Gjykatës Themelore dhe çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë në rigjykim, duke theksuar se lejueshmëria e padisë për kompensimin e dëmit-rentës, në këtë rast nuk mund të vlerësohet sipas nenit 79 të Ligjit të Punës, sepse nuk kemi të bëjmë me kontest nga marrëdhënia e punës, por me kërkesë pasurore në emër të fitimit të humbur, për të cilin nuk është caktuar afati ligjor për paraqitjen e padisë.
Në rigjykim, më 11 tetor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.627/18 refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës dhe të paditësve të tjerë.
Në arsyetim të këtij Aktgjykimi, Gjykata Themelore vlerësoi se në rastin konkret kemi të bëjmë me kërkesë të parashkruar pasi që çështja kontestuese ka ndodhur më 28 nëntor 1999, ndërsa padia në Gjykatë Themelore është parashtruar më 2 shkurt 2012, duke theksuar se paditësit në padi konsiderohet se janë njoftuar për dëmin në ditën që ka ndodhur aksidenti.
Kundër këtij Aktgjykimit, brenda afatit ligjor, parashtruesja e kërkesës dhe paditësit e tjerë parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit.
Më 11 nëntor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.835/19] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe paditësve të tjerë, dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.627/18] të 11 tetorit 2018 të Gjykatës Themelore.
Faktet që ndërlidhen me dorëzimin e revizionit në Gjykatën Supreme
Bazuar në dokumentacionin e pranuar nga Gjykata Supreme rezulton që më 22 shkurt 2023, përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës, para se të dorëzonte kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, të 11 nëntorit 2022 kishte dorëzuar revizion në Gjykatën Supreme.
Më 7 qershor 2023, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 211/2023] revizionin e parashtrueses së kërkesës e pranoi si të bazuar, dhe për pasojë anuloi Aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, duke e kthyer lëndën në rigjykim në Gjykatën Themelore. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të saj kishte gjetur se për shkak “të zbatimit të gabueshme të së drejtës materiale dhe për shkak të shkeljes së rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe se për këtë arsye nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimin e aktgjykimit të goditur, prandaj e aprovon revizion dhe e anulon tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjykatës së shkallës së parë.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, asaj i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në pretendimet e saj, parashtruesja e kërkesës konsideron se Aktgjykimi [C.nr.627/18] i Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimi [Ac.nr.835/19] i Gjykatës së Apelit janë përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, pasi që Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtrueses si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndonëse e njëjta Gjykatë paraprakisht aprovoi ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e ktheu çështjen në rigjykim, duke theksuar se çështja që është ngritur me padi nuk është marrëdhënie pune, por e drejtë në sigurimin e të drejtës në ushqim dhe mbajtje, e cila nuk parashkruhet. Parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata Themelore nuk e ka përfillur vërejtjen e Gjykatës së Apelit, dhe përsëri me Aktgjykim e ka refuzuar padinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, që parashtruesja e kërkesës e konsideron si shkelje e nenit 31 të Kushtetutës.
Dispozitat relevante të Rregullores së punës
Rregullorja e punës
Rregulli 25
(Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)
[...]
2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
(1) Gjykata mund te hedhe poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.
[...]
Vlerësimi i kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, përtej kritereve të përcaktuara më lart, në vlerësimin nëse përfaqësuesi i pretenduar i kërkesës i plotëson kriteret për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton se rregulli 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) i Rregullores së punës përcakton që kërkesa e parashtruesve të kërkesës duhet të përmbajë edhe: “[...] (g) arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës; dhe (h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.”
Në rastet kur kërkesat para Gjykatës nuk janë të kompletuara, bazuar në paragrafin 4 të nenit 22 të Ligjit, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditëve për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë.
Në rastin konkret, Gjykata rikujton edhe njëherë se kërkesa e dorëzuar në Gjykatë më 27 mars 2023, ishte e paplotë, ndër tjerash, për shkak se parashtruesja e kërkesës nuk kishte dorëzuar informacion nëse i kishte shteruar të gjitha mjetet ligjore të parapara me ligj. Në vijim të kërkesës së Gjykatës për plotësim të kërkesës, përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës më 12 qershor 2023 dorëzoi dokumentet e kërkuara shtesë në Gjykatë, ndër to, edhe kopjen e revizionit të nënshkruar nga ai, të cilës i mungonte vula dhe data e pranimit nga Gjykata Themelore. Si rezultat i kësaj, Gjykata më 13 qershor 2023 dhe 6 korrik 2023, respektivisht i kërkoi përfaqësuesit ligjor të parashtrueses së kërkesës që të plotësonte kërkesën e tij me informatën se me cilën datë e kishte parashtruar revizionin në Gjykatën Supreme dhe të dorëzojë dëshminë se kur Gjykata Themelore e ka pranuar revizionin. Në vijim të dy kërkesave të njëpasnjëshme të Gjykatës, dhe përkundër kërkesës specifike të Gjykatës, përfaqësuesi ligjor i parashtrueses së kërkesës në Gjykatë nuk dorëzoi informatën se me cilën datë e ka parashtruar revizionin në Gjykatë Supreme dhe dëshminë se nëse apo kur Gjykata Themelore e ka pranuar revizionin.
Si rrjedhojë, Gjykata më 13 nëntor 2023 iu drejtua Gjykatës Supreme me kërkesën për informata, dhe bazuar në informatën e pranuar nga kjo e fundit, rezulton që parashtruesja e kërkesës, përmes përfaqësuesit të saj të autorizuar ligjor para se të dorëzonte kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese, më 22 shkurt 2023 kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, të 11 nëntorit 2022 kishte dorëzuar revizion në Gjykatën Supreme.
Si rezultat i informatës së pranuar nga Gjykata Supreme rezulton që Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 211/2023] të 7 qershorit 2023, revizionin e parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar si të bazuar, dhe për pasojë kishte anuluar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, duke e kthyer lëndën në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Bazuar në të lartcekurat, rezulton që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit për të cilin parashtruesja e kërkesës nga Gjykata ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij është anuluar dhe për pasojë çështja në lidhje me kërkesëpadinë e saj është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore, dhe për pasojë ky Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nga ana e parashtrueses së kërkesës nuk mund të konsiderohet më si vendim përfundimtar në rastin e parashtrueses së kërkesës.
Në rrethana të tilla, Gjykata fillimisht duhet të vlerësojë nëse çështja para Gjykatës paraqet një pretendim aktiv dhe të diskutueshëm.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës i cili përcakton që:
“(1) Gjykata mund te hedhe poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest. “
Në vijim, Gjykata po ashtu vë në dukje se detyrim i ngjashëm me rregullin 54 paragrafin 1 të Rregullore së punës, ekziston edhe në nenin 37 (Çregjistrimi i kërkesave) të KEDNJ-së, përmes të cilit përcaktohet që:
“1. Në çdo fazë të procedimit, Gjykata mund të vendosë të çregjistrojë një kërkesë, kur rrethanat çojnë në përfundimin se:
a. [...] ose
b. çështja është zgjidhur; ose
c. për çdo arsye tjetër që, sipas Gjykatës, nuk justifikon vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës. [...]”
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), kur kjo e fundit në kuptim të paragrafit 1 nenit 37 të KEDNJ-së, për çështjen e rasteve para saj, ajo duhet të vlerësojë nëse: (i) së pari, se a qëndrojnë ende rrethanat për të cilat ishin ankuar drejtpërdrejtë parashtruesit e kërkesës; dhe, (ii) së dyti, nëse efekti i shkeljes eventuale të KEDNJ-së për shkak të atyre rrethanave gjithashtu është korrigjuar (shih rastet e GJEDNJ-së El Majjaoui & Stichtung Touba Moskee kundër Holandës, kërkesa nr. 25525/03, Vendim për çregjistrim të kërkesës, paragrafi 30; Pisano kundër Italisë, kërkesa nr. 36732/97, Vendim për çregjistrim të kërkesës, paragrafi 42; Sisojeva dhe të tjerët kundër Letonisë, kërkesa nr. 60654/00, Vendim për çregjistrim të kërkesës, paragrafi 97).
Përderisa, Gjykata duke iu referuar edhe praktikës se vet gjyqësore, po ashtu vë në dukje se në rrethana të ngjashme në rastin KI195/18 kishte vendosur ta hedhë poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës, për faktin se para se Gjykata të vendoste në lidhje me kërkesën e tij, Gjykata Supreme kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të kontestuar nga ai. Në këtë rast, Gjykata konstatoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit para kësaj Gjykate nuk është në fuqi dhe si i tillë, nuk prodhon asnjë efekt juridik për parashtruesin e kërkesës (KI195/18, me parashtrues Afrim Haxha, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 23 korrikut 2019, paragrafët 24-26; të cituar më lart, paragrafi 30).
Në rastin konkret, në kontekst të vlerësuarit nëse ende qëndrojnë rrethanat për të cilat parashtruesja e kërkesës është ankuar në Gjykatë, kjo e fundit konsideron se në rrethanat e rastit konkret objekti i kërkesës nëse parashtruesja është viktimë e shkeljes së të drejtave të saja si rezultat i Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, të 11 nëntorit 2022 nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm për arsye se i njëjti është anuluar përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme, të 7 qershorit 2023, dhe çështja e kërkesëpadisë së saj është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore. Rrjedhimisht, Aktgjykimi i kontestuar para kësaj Gjykate nuk është më tej në fuqi dhe si i tillë, për shkak se i njëjti është anuluar dhe çështja e saj është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Megjithatë, Gjykata thekson se hedhja poshtë e kërkesës për faktin se pretendimi për shkelje kushtetuese më nuk është aktiv, nuk e ndalon parashtruesen e kërkesës që në fazat e mëvonshme t’i drejtohet sërish Gjykatës me pretendime për shkelje kushtetuese nga aktet e autoriteteve publike (shih rastin KI195/18, me parashtrues Afrim Haxha, të cituar më lart, paragrafi 30).
Si përfundim, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit duhet të hedhet poshtë ashtu siç përcaktohet me rregullin 54 (1) (a) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47.1 të Ligjit dhe me rregullin 54 (1) (a) të Rregullores së punës, më 27 mars 2024, me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër,
VENDOS
TA HEDHË POSHTË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Xhemile Ademi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës