Prishtinë, më 22 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2189/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI210/22
Parashtrues
Tefik Breznica
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktgjykimit Ac. nr. 1464/2021 të 29 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Tefik Breznica, nga fshati Bardh i Madh, komuna e Fushë- Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin para Gjykatës e përfaqësojnë Sadije Mjekiqi dhe Kreshnik Mjekiqi, avokatë nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac. nr. 1464/2021] të 29 qershorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), përmes së cilit ishte ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [C. nr. 4782/19], i 10 nëntorit 2020.
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 28 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], si dhe nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, të cilën e kishte dorëzuar në postë më 23 dhjetor 2022.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI210/22], caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 25 janar 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesit e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe bazuar në nenin 21 (Përfaqësimi) dhe nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës kërkoi nga ta që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim në procedurën para Gjykatës.
Më 7 shkurt 2023, përfaqësuesit e parashtruesit të kërkesës dorëzuan në Gjykatë autorizimin e kërkuar.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi ishte në marrëdhënie pune, për më tepër se 30 vite, me Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK), në pozitën “Manipulues TS”.
Më 1 nëntor 2018, përmes Vendimit [nr. 2491/0] KEK njoftoi parashtruesin e kërkesës se më 24 dhjetor 2018, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit i ndërpritet marrëdhënia e punës.
Më 22 nëntor 2019, parashtruesi i kërkesë parashtroi kërkesë pranë KEK-ut, për pagesën e tri pagave jubilare, duke u bazuar në nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Më 18 dhjetor 2019, KEK refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 23 dhjetor 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamentin e Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për pagesën e tri pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, KEK-ut në rastin konkret.
Më 10 nëntor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 4782/19], aprovoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilën detyrohet e paditura KEK që në emër të tri pagave jubilare t’ia kompensoj shumën prej 1.818.00 euro (njëmijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë euro), së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8% e cila llogaritet prej ditës së paraqitjes së padisë (datë 23.12.2019) e gjerë në pagesën definitive si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 270.00 euro. Gjykata Themelore në arsyetim të Aktgjykimit të saj ndër të tjera theksoi se kjo e drejtë i takon parashtruesit të kërkesës, duke u bazuar në nenin 245 të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Më 18 nëntor 2020, KEK paraqet ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të LPK-së, vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 29 qershor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1464/2021], aprovoi ankesën e të paditurës KEK dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 4782/19] të 10 nëntorit 2020, duke vendosur të refuzohet si e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri pagave jubilare nga ana e të paditurit KEK-ut. Gjykata e Apelit në Aktgjykimin e saj konsideroi se gjykata e shkallës së parë drejt ka vlerësuar gjendjen faktike, por “gabimisht është zbatuar e drejta materiale me rastin e detyrimit të të paditurës si në dispozitivin e aktgjykimit të atakuar [...]. Kolegji vlerëson se në rastin e tillë kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk gjen mbështetje në dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, për arsye se e njëjta ka hyrë në fuqi më datë 1 janar 2015 dhe ka qenë në fuqi deri me datë (31 dhjetor 2017 pas denoncimit të saj nga partneri social i punëdhënësit Oda Ekonomike), e njëjta është e pazbatueshme në rastin e paditësit”.
Më 25 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozimin për paraqitjen e Kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 1464/2021], të 29 qershorit 2022.
Më 12 dhjetor 2022, Zyra e Prokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC nr. 111/2022], njoftoi parashtruesin e kërkesës se kishte skaduar afati ligjor për marrjen e një vendimi për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në kuptim të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se përmes vendimit të kontestuar, parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], si dhe me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në mënyrë shprehimore pretendon se Gjykata e Apelit, në rastin konkret, ka vendosur ndryshe nga disa raste të natyrës së njëjtë. Në ndërlidhje me këtë parashtruesi thekson se “se ka pasur edhe shkeljen e dispozitave ligjore të nenit 2, par. 1.11 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi-Ligji nr.05/L-021, për çka është shkelur Barazia e Palëve me kushte dhe rrethana të njëjta dhe me bazë të kërkesëpadisë së njëjtë-pagat jubilare”. Diskriminimi vjen në pah kur Gjykata edhe ajo e shkallës së parë edhe ajo e shkallës së dytë për ndonjë rast konsideron se është parashkruar kërkesëpadia për paga jubilare e për ndonjë rast thotë se nuk ka parashkrim, siç sqaruam me shembujt e theksuar më lart”.
Në mbështetje të pretendimeve të tij parashtruesi ka dorëzuar një numër të vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se në raste të njëjta kanë vendosur ndryshe.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata “të na sqarojë se a ka parashkrim të kërkesëpadisë së palës sipas nenit 87 të Ligjit të Punës bazuar se MPKK ka qenë në fuqi deri me dt. 31 dhjetor 2017, e padia e rastit në fjalë për paga jubilare është paraqitur me dt.23 dhjetor 2019, ende pa kaluar 3 vjet”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet
tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit,
përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para
ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të
njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e
të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 7
[Vlerat]
1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë,
barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit,
mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit,
ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik
të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën
politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë
ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për
mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të
pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë
ato.
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 87
[Afati i parashkrimit]
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
LIGJI PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 245
245.1 Kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë prokurori publik mund të ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë brenda tre muajsh. Afati për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë nga paragrafi 1 i këtij neni llogaritet: a) kundër vendimit të marrë në shkallë të parë, kundër të cilit nuk është bërë ankim prej ditës kur ky vendim nuk ka mundur më të kundërshtohet me ankim; b) kundër vendimit të marrë në shkallë të dytë, kundër të cilit nuk është deklaruar revizioni prej ditës kur ky vendim i është dërguar asaj pale së cilës i është dërguar më së voni.
245.2 Kundër vendimit nga paragrafi 1 i këtij neni, të nxjerrë në shkallë të dytë, kundër të cilit palët kanë deklaruar revizion, prokurori publik mund të ngrejë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë vetëm brenda tridhjetë (30) ditësh nga data kur i është dërguar revizioni i asaj pale, revizioni i së cilës i është dërguar më herët.
245.3 Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk lejohet kundër vendimit që me rastin e revizionit ose të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë e ka marrë gjykata me kompetencë për të vendosur për këto mjete juridike”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 30 [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:
Rregulli 30
[Llogaritja e periudhës kohore]
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:
[...]
(3) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
(6) Ndryshe, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 1464/2021] të 29 qershorit 2022, të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për të përcaktuar nëse parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar kërkesën brenda afatit të caktuar prej 4 (katër) muajsh, Gjykata i referohet datës së pranimit të vendimit të fundit nga ana e parashtruesit të kërkesës dhe datën e paraqitjes së kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.
Nga si më lart bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë: (i) cili është “vendimi i fundit” në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës në ndërlidhje me rrjedhjen e afatit ligjor katër (4) mujor nga neni 49 i Ligjit, përkatësisht “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”; dhe (ii) nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” në procesin e shterjes së mjeteve juridike. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesave duhet t’i shterojnë vetëm mjetet juridike të cilat janë efektive, përkatësisht mjetet juridike lejueshmëria e të cilave është përcaktuar me ligj. Kjo sepse parashtruesit e kërkesave nuk mund të zgjasin afatet kohore strikte të përcaktuara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojnë mjete juridike pranë autoriteteve përkatëse e të cilat nuk kanë kompetencë ligjore që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave dhe të lirive themelore cenimin e të cilave e pretendojnë parashtruesit e kërkesave (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09,45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258)
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktgjykimin [Ac. nr. 1464/2021] të 29 qershorit 2022, të Gjykatës së Apelit. Pas pranimit të këtij të fundit, ai ka përdorur mjetin juridik kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, të cilën bazuar në arsyetimin e Njoftimit të Prokurorit të Shtetit e kishte parashtruar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin për Procedurën Kontestimore.
Sa i përket kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur pranë Prokurorit të Shtetit, Gjykata vëren se është fjala për një mjet juridik që nuk është ne dispozicion të drejtpërdrejtë të parashtruesit të kërkesës, por një mjet juridik që varet nga "ndërmjetësi", e që në rastin konkret, "ndërmjetësi" është Prokurori i Shtetit, dhe si e tillë ajo nuk shqyrtohet nga Gjykata (shih rastin e GJEDNJ-së, Tanase kundër Moldavisë, Aktgjykim i 27 prillit 2010, paragrafi 122, gjithashtu edhe rastin KI184/18, parashtruesi i kërkesës: Ilir Gashi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 gushtit 2019, paragrafi 49).
Gjykata tutje shton, se në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktgjykimit [Ac. nr. 1464/2021] të 29 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë që t’i drejtohet Gjykatës.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 1 (c) të Rregullores së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Aktgjykimi [Ac. nr. 1464/2021] i 29 qershorit 2022, të Gjykatës së Apelit dhe i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik, sipas përcaktimit të mësipërm të Gjykatës, e ka pranuar më 28 korrik 2022, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 23 dhjetor 2022, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
Gjykata, në këtë kontekst, rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/21, me parashtrues Shkëlzen Mustafa, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 shtatorit 2021, paragrafi 40; dhe KI64/21, me parashtrues Ali Gjonbalaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2021, paragrafi 38; dhe shih, gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se: Kevin O’Loughlin dhe të tjerët, kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 23274/04, Vendim i 25 gushtit 2005).
Si përfundim, bazuar në arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 27 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Tefik Breznica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile